Visar Zhiti: Një këmbë e vockël godet brenda barkut

Visar Zhiti

Si zjarri i parë i botës
nën një qiell të ulët
të paardhur akoma-
brambullon dhëmbja e barrës tënde.

Një këmbë e vockël brenda në bark
të godet. Është hapi i
të ngjethurave të tua të lumtura
prej zambakësh e psherëtimash.
Një këmbë e vogël e jetës pafund
që ngjitet nga zemra në mjegullat e menjes
dhe vrapon për të dalë
në shpellën prej mishi
mes lumit të gjakut
të vdekjes pa vdekje.
Ja edhe pak. Dhe do të shtrydhësh diellin
si gjirin tënd. Dhe yjet
si luleshtrydhe.

Sa fort godet brenda në bark
ajo këmbë
e zjarrit të parë të botës.

ObserverKult