Vlora Ademi: A thue dhimba mall, a malli dhimbë ka ma shumë?

vlora ademi

Poezi nga Vlora Ademi

Asnji tjetër largim nuk dhimti
sa ky i yti
Tjetër asnji nuk i përcolli ma të trishtat dallëndyshe.
Ta shitoi shtatin vjeshta
e ngjyrat ia ngatërroi dimni
tjerave ua la moshën tande n’dorë
tespih me tridhetë e tri rruza qelibari.

Aty,
në nji cep rruge, nuk mbin ma bar,
ditë t’pajetueme aty sytha qesin përditë
e ujiten me lotin e nji grueje.

A thue dhimba mall, a malli dhimbë ka ma shumë?

Janë dy rreze drite që ta prekin ballin atje përtej,
e emnin ta thonë me dy rrokje përditë.

A t’shkon mendja me u ba kumri,
me e pa shikimin tand n’sytë e tyne,
në kangën tande emnin tand me e thanë?

A t’shkon mendja me u dalë andrre,
me i marrë ngrykë,
me ta me u nisë bashkë n’aventurë
për në ishullin Kurrkund…

Ju le amanet t’randë: me u rritë para kohe,
me e matë shtatin me fotografinë tande

Prandej tash nuk po i duen ma përrallat,
prandej nuk po i besojnë ma ishullit t’Piter Panit,
prandej e diela po u duket dita e tepërt e javës,
prandej javët po numërohen prej largimit tand,
prandej shtegut drejt qiellit mbet’ nji vrragë e zezë
që s’mujti me ta ndalë hovin drejt turrit.

Titulli origjinal: HOVI DREJT TURRIT

ObserverKulti

Lexo edhe:

VLORA ADEMI: TRADHTOM’ ME TANA GRATË E BOTËS!