Vlora Ademi: Kur

dielli një ditë do t’marr ngjyrë tjetër,
ndoshta t’hirt
ndoshta të kaltërt
ndoshta ngjyrë përjetësie,
qielli do të përmbyset n’pikë të ditës
vargut do t’i zihet fryma,
refreni do të mbetet pa zë,
e pulbardhës do t’i rëndohen krahët
n’harrim fluturimi
humbur n’pellgun e dëshirës
të shkëlqimdiellit,
të vetmes
të paguxuarës,
të patreguarës,
vetëm për t’ia prekë një herë frymën
e puthë shikimin e prajshëm,
me e ndje mallkimin bekim,
si pelegrin
zbathur me iu ngjitë mëkatit përpjetë,
shpirtnueshëm
buzëetun
me ia shiju pikën e djersës
në t’fundit udhëtim,
e me e fikë terrin
me shkëndija të vargut,
se ndryshe nuk preken
e nuk adhurohen perenditë.