Xhelal Ademi: Je ëngjëll mbi këtë dhe

Xhelal Ademi
Xhelal Ademi

Kot të prita n’sheshe bote n’kënde rruge kot të prita
Se ti erdhe përmes gote që sakaq me fund e ngrita,
Pastaj heshtje asgjë tjetër, asnjë zhurmë asnjë zë
Ndaj harresa kaq e vjetër bëhet sa një shekull më.

S’di ku humbën fjalët tua, ti më the, “mos pi raki”
N’vend të saj te një krua do t’më japish pakëz gji,
Se do vinje si një Zanë, si tek Muja i plagosur
Gjersa jeta aty pranë t’gjitha rrugët mi ka sosur.

E kur sipër kësaj loje si mbi shpinën e një mali
Hëna do të bënte roje me shkëlqimin që ia fali
Ky vegim që sot arrita ta kopjoj nga sytë e tu
Në mëngjes kur t’hapet drita ti do t’ikish nga këtu.

Me një ikje të marrosur dhe me shiun nëpër sy
Me do lot që ke varrosur nën qerpik aty me dry,
Do të ikish përtej vitesh që të kthehesh kaq e re
Se ti s’je një Zanë mitesh por një ëngjëll përmbi dhe…

ObserverKult

————————————

Lexo edhe:

Xhelal Ademi: Merr gjumin tim e mbylli sytë!