Xhorxh Bajron: Në zemrën time kam diçka të fshehtë…

Nga poema “Korsari” e Xhorxh Bajron

Në zemrën time kam diçka të fshehtë,
Atë në botë nuk ma di njeri;
Kur jemi tok, lulzon si lulja vetë,
Po hesht sërish në terr, kur ikën ti.

Një fill i artë shpirtit m’i jep dritë,
Po rrezet nuk i shihen dot me sy;
Atë mbi dhe s’ka forcë ta venitë,
Se errësira nuk arrin aty.

Oh, dhe në vdeksha, sillmë nëpër mendje,
Kujtoje miken, që të desh me zjarr,
Se ta duroj, e mjera, s’jam në gjendje,
Harrimin tënd, i dashur, as në varr!

Një amanet plotsoma, po të mundësh,
Se nuk do të të lutem përsëri:
Një pikëz lot, të parin e të fundit,
Për dashurin time derdhe ti!

Përktheu: Jorgo Bllaci

Xhorxh Bajron

—————————————————————

LEXO EDHE: KUR BAJRONI KËNDONTE LABÇE DHE LABËRIT IA KTHENIN NDERIN POETIT

Petrit Ruka

-një esse mbështetur mbi gërmimet koniciane mbi shqiptarët- 

Dyqind vjet më parë, hipur mbi një anije me vela që voziste lumit Rhin, ylli i madh i poezisë botërore, lordi “me gjak blu”, Bajroni, u kthehet e iu thotë shokëve; tani më dëgjoni se do t’ju këndoj nja dy këngë arbërore.


Dhe pastaj ia dha një sokëllime me një o-ooo të gjatë rrëqethëse sa i shastisi të gjithë e i la pa mend. Fjalët e kënduara shqip prej poetit të madh nuk i kuptonin, po drithërima e melodisë së saj ta çante zemrën më dysh.

Nderi, këngës labe i vinte nga njeri prej gjenive të poezisë botërore. Labërit nuk e dinin këtë lajm, po arb(v)anitasit që luftuan me të ia dinin emrin dhe bëmat në Mesolongj e gojë më gojë emri i tij ish ngjitur maleve shqip deri në Labëri. Një kumt misterioz, nga ata që vetë Zoti mezi i shpjegon, u thoshte labërve se nderi duhet shlyer me nder, pra kënga me këngë, sepse borxhi duhej larë.


Kushedi në cilin katund a pllajë, pak vite më vonë, një lab kërreu këngën e nderimit që do ta citojmë më poshtë.
Borxhi ishte larë kokë për kokë, nderi ishte kthyer siç e do zakoni. Por në fillim le të citojmë Faik Konicën që bie lajmin e madh përmes gazetës “Albania” kur shkruan për udhëtimin e tij në Shqipëri më 1809, në artikullin “Udhëtimi i Lord Bajronit në Shqipëri”…