Zaimi: Jeta është tmerrësisht e brishtë dhe e bukur, çdo përpjekje ia vlen!

Pyetësorit të Prustit i përgjigjet poeti dhe publicisti Bardhyl Zaimi.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?

-Ne mund të flasim për lumturi të çastit, për copëza lumturie. Jetojmë mes iluzionit të lumturisë dhe këtyre fragmenteve që e bëjnë lumturinë. Mbase mund të jetë një katarzis i përtejmë, një çlirim sipëran nga çdo rëndëse që ndërlidhet me vetë lumturinë. Një moment i pavërejtshëm, një gjendje thjeshtësisht e pangarkuar kur zemra këndon plotëninë e vetë.

Cila është frika juaj më e madhe?

– Frika se mund të humb ndonjë nga më të dashurit e zemrës, ndonjë të afërm, ndonjë mik.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?

-Me kalimin e kohës nocioni admirim zvenitet dhe ia lëshon vendin vlerësimit dhe respektit. Përgjithësisht me magjepsin fragmentet. Jeta është kaq plurale dhe më duket e pakuptimtë të ngujohem në nocionin admirim dhe të jetojë nën hijen e një personi pavarësisht nga vlerësimi i lartë që mund të kem për një person.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?

-Njeriu është qenie e papërsëritshme. Asnjë identifikim nuk mund të m’i përmbush zbrazëtitë e plotënisë që përshkruhen në jetëshkrimi tim. Jemi unikat në gjallninë tonë.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?

-Padurimin, që paradoksalisht ngeshëm prehet në kolltukun e ditës!

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?

-Cinizimin e budallaftë, intrigën dhe dyftyrësinë e tipit siç thotë një varg i Shekspirit
“Nxjerrin helm që s’e kanë në zemër”.

Në cilat gjëra e teproni?

-E teproj me kafe dhe duhan dhe në shumë raste me gjumë.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?

-Një situatë e jashtëzakonshme, kur jeta brutalisht do të kërcënohej nga mizoria e vdekjes, ose në rast se kjo gënjeshtër do t’i jepte shpresë jete një shpirti njerëzor. Mbase jo gënjeshtër tipike, por një rrëfim shpresëdhënës.

 Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?

-Më pëlqejnë viset e mesdheut, ato topose me ullishte parake dhe me një diell të purpurtë që lëveret në horizont. Gjithsesi në shumë raste edhe viset skandinave, ato acare të kristalta që bartin avull fëmijërie, avullin e drerëve përrallor.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?

-Padiskutim fjalën “ domethënë”, sidomos kur kam paraqitje publike, kur kam ngërç “ontologjik” dhe kur jam i shpërbërë në dhjetra mendime. Miqtë, zakonisht ma thonë që e përdori kaq shumë sa njeriu e ka problem të më dëgjoj se çfarë flas. Është edhe një lloj pasigurie, mëdyshje.

 Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?

-Për asgjë, sepse kam ndjekur pasionin tim, pavarësisht nga gabimet që kam bërë. Ndërkohë që gjithnjë e kam pasur vëmendjen dhe kujdesin për tjetrin, dinjitetin e tij në raportet që kam pasur me njerëzit.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?

-Familja ime, gruaja ime, Vlora, fëmijët, Gresa, Orgesi dhe Hektori. 

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?

-E dyzuar mes padurimit dhe një qetësie që gjithnjë është në ardhje e sipër.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?

-Jam në një lloj ndryshimi të përhershëm. Vazhdimisht synoj të përbrendësoj vlera të reja, horizonte tjera. Vazhdimisht i zhvendos sinorët e qenies sime me kuptime tjera dhe bashkë me këtë edhe me ndjeshmëri tjera. Si matricë nuk do të ndryshoja asgjë. Jam i plotë në mungesat e mia!

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?

-Jeta ime ndërlidhet me librat. Leximi, por edhe botimi i librave. Dua ta veçoj këtu librin e parë me ese “Fuga e fjalëve” dhe studimin mbi kritikën e Mitrush Kuteli “ Paradigma e kritikës së Kutelit”.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?

-Më lejoni ta citoj këtu një intelektual shqiptar të viteve 30-ta, Ismet Toton. Diku ai shkruan: “Vilari i jetës nuk duron qortime”. Një definim brilant me të cilin pajtohem tërësisht.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?

-Mund të tingëllojë si klishe, por do të doja të kthehem përsëri në këtë trajtë që jam. Mendoj se duhet të jetë diçka tepër e lodhshme dhe banale të jesh dikush tjetër apo një send tjetër.

 Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?

-Padiskutim familja, miqtë, librat, që në fakt janë shenjtëria e jetës sime.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?

-Mungesën e mirëkuptimit, paragjykimin, egocentrizmin. Të gjitha format e totalitarizmit, rreshtin, uniformitetin, viktimizimin dhe madhështitë e rreme.

Ku do të dëshironit të jetonit?

-Në një topos të përndritur ku mund të bashkohet habitusi antik, vezullimi i renesancës dhe plogshtia urbane. Sigurisht ku nuk do të ndalohej pirja e duhanit.

Cila është cilësia juaj më e veçantë?

-Toleranca dhe optimizimi i çmendur.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?

-Burrninë në kuptimin më sublime të dinjitetit njerëzor.

Çfarë vlerësoni tek një femër?

-Delikatesën, inteligjencën, natyrshmërinë. Padiskutim dhe vetëbesimin për ta zotëruar jetën deri në grimcat më të fundit.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?

-Janë shumë lista do të ishte tepër e gjatë. Bodleri më trondit, Markezi më magjeps, Sabato më fut në “tunelet” e ekzistencës, Kuteli më trand gjer në thelb të jetës, Rreshpja më paqton me një melankoli të përtejme…

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?

-Gjithë ata që ndershmërisht mbijetojnë në këtë realitet të vrazhdë. Njerëzit e përkushtuar, pavarësisht nga profesioni. Gjithë ata që vazhdojnë të ecin përpara pavarësisht nga vështirësitë që ua ofron jeta.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?

-Talentin për të pikturuar.

Si do të dëshironit të vdisnit?

-Qetësisht pranë më të dashurve, duke përshpëritur si një lutje të pafundme emrat e tyre.

Cila është motoja juaj?

-Jeta është tmerrësisht e brishtë dhe e bukur, çdo përpjekje ia vlen!/ ObserverKult