10 vjet nga lamtumira e fundit: Roland Trebicka, aktori që na bëri të qeshim edhe kur donim të qanim

Nga Albert Vataj

Ai si pakkush tjetër diti të ishte fjalëpakë e punëshumë.

Nuk ngau kurrë pas privilegjeve, nderimeve edhe pse i takonin, për çfarë dha në skenë e la në testamentin interpretues dhe jo vetëm.

Ai “u fsheh” pas veprës, pas përkushtimit, duke mos patur diçka për të thënë më shumë se sa vetë puna e tij titanike kishte ofruar.

Mbylli sytë dhjetë vite të shkuara, duke lënë të çelur horizonte të pamata rolesh, personazhesh, tipesh dhe karakteresh që aq me virtuozitet i skaliti me daltën e talentit të tij.

Jetoi mish e shpirt me personazhet, aq sa edhe në amshim ata vazhdojnë ta ndjekim nga pas për të mbetur gjithnjë mirënjohës, që u dha atyre dhe vetes një jetë të gjithmonshme, një pavdekësi që përtërihet në ëndjen dhe dëshirimin e artdashësve dhe admiruesve të tij të shumtë.

I përket amshimit një prej zërave, pjesë e rëndësishme e memories së artit të aktrimit, komedisë dhe aktit sublim të shpirtëzimit të roleve, tipeve dhe karaktereve të pavdekshme.

Trebicka, mbeti kujtimi për këtë emblemë të komedisë, për këtë njeri të përkorë, për këtë bashkëshort dhe prind të devotshëm.

I përgjithmonshëm qoftë kujtimi i këtij mjeshtri të skenës./vjosa.net

ObserverKult


Lexo edhe:

AKTORI ROLAND TREBICKA PËRKUJTOHET NË 74-VJETORIN E LINDJES

Teatri Kombëtar kujtoi në 74-vjetorin e lindjes aktorin e madh që i mungon skenës dhe publikut shqiptar, Roland Trebicka.

Aktori i njohur më së shumti si “Jovan Bregu”, për shkak të rolit të tij në komedinë “Pallati 176”,  vijon të mbetet në kujtesën e artdashësve si interpretimi që e bëri të njohur.

Trebicka u nda nga jeta në moshën 65-vjeçare, pasi nuk ka mundur të fitojë betejën me sëmundjen e rëndë, e cila e mundonte prej kohësh.

Aktori Trebicka u kujtua edhe nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila tha se “përherë me buzëqeshje do ta kujtojmë aktorin tonë të madh Roland Trebicka.

Në ditën e tij të lindjes kujtojmë njeriun që na bëri të qeshnim në kohë të vështira, një nga ata aktorë që arrinte të vishte bukur çdo rol, edhe ata më dramatikët, ndonëse te publiku është ngulitur për rolet e tij komike.

Dhe, me artin e tij është aq i gjallë, saqë vetëm kjo datë, ka kuptim për artistë si ai”.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult