10 vjet pa regjizorin e madh dhe njeriun e thjeshtë Ibrahim Muçaj

Nga ROLAND QAFOKU

Në jetën e vet regjizori Ibrahim Muçaj nuk la pas shumë famë, por la shumë vepra. Jetonte dhe punonte pa bujë, ashtu siç iku nga kjo botë atë 5 janar të ftohtë të vitit 2010. Nga të pakta amanete që kishte lënë ishte pikërisht ajo që të mos u bënin tam-tame. Edhe varrimin të thjeshtë, edhe përvjetorët të thjeshtë. Ashtu ndodhi edhe dje në Tiranë. Në një ambjent të denjë për amanetin e tij, dhjetra aktorë, regjizorë, ish-studentë dhe miq të tij bënë sëbashku kujtime nga puna me të. Por në një rast në të cilin kishte shumë për të thënë për publikun, mungonin kamerat dhe gazetarët. Asnjë televizion, asnjë gazetë, e asnjë portal nuk kishte aty qoftë edhe një përfaqësues.
I biri Irvini dhe bashkëshortja Liria kishin të vetmin merak nëse në këtë ceremoni do ishin aq denjësisht të thjeshtë siç donte Ibrahimi. Të dukej vetja si në një Shqipëri tjetër, në një Shqipëri ku thjeshtësia nuk është cilësi normale dhe gati ngjan si ves. Në një shoqëri me një shkallë të gjerë vanitoziteti, me ta famshëm që nuk bëjë asnjë unë përveç dalja në ekran, në 10 vjetorin e ndarjes nga jeta të Ibrahim Muçës të dukej vetja sikur po jetoje disa çaste larg, diku në Hënë. Dikush me mikrofon dhe dikush në bisedë, gati ishin në një mendje se Ibrahim Muça e kishte madhështinë në dy aspekte: Profesionalizmi dhe thjeshtësia.
Margarita Xhepa nuk i mbajti dot lotët teksa tha se “në këto 10 vjet, pa një mik, koleg dhe regjizor filmi si Braçja, ishte një mungesë e madhe”.
Bujar Kapexhiu tha se Ibrahim Muçaj mbetet një nga regjizorët më të mëdhenj të kinematografisë shqiptare.
Rajmonda Bulku nuk e fsheh asnjëherë që zbulimin ekskluziv të saj në kinematografi e ka bërë Ibrahim Muçaj dhe të mendosh që ajo ishte vetëm 16 vjeç. “Isha pothuajse fëmijë,- tha Bulku, – kur ai më pa në rrugë dhe tha menjëherë se kjo do bëhej aktore e madhe”. Eh çfarë intuite dhe guximi,- themi ne,-kur e dëgjojmë!
Roza Anagnosti që nuk plaket kurrë nga ato që i ka dhënë skenës dhe filmit por edhe me ngrohtësinë e shpirtit dhe zërit të saj nuk la asnjë fjalë pozitive pa thënë për regjizorin Muçaj.
Regjizori dhe aktori Mevlan Shanaj solli kujtimet më të hershmet, që në kohën kur Muçaj ishte asistent regjizor duke dhënë vlerësime ekstra për talentin e tij.
Aktorja tashmë e afirmuar Renada Caci kujtoi profesorin e saj në Akademinë e Arteve si një njeri me shumë pozitivitet dhe lënda regji filmi që ai jepte, ishte nga më të dashurat e saj.
Gazetarja dhe moderatorja e njohur Eneida Xhelili më shumë vlerësime për profesorin e saj i dha në një mënyrë që habi këdo që i dëgjoi. E bija e saj bukuroshe, vetëm 7 vjeç, jo vetëm dinte pothuajse çdo titull filmi, por edhe shumë batuta të përdorura në ta duke I lënë pa fjalë të gjithë që e dëgjonin. E rrallë sa më ska.
Hokatar dhe mbresëlënës regjizori Saimir Kumbaro kujtonte mikun e tij Braçe si më seriozin që bënte humor por edhe një profesionist me vlera të mëdha.
Por i kryemerakosuri i kësaj përkujtimore ishte jë personazh që për Ibrahim Muçajn ishte shumë i rëndësishëm: Kristaq Mitro. Nuk ka jë rast të dytë në historië e kinematografisë shqiptare por ndoshta edhe botërore që dy regjizorë të bashkëpunojnë aq shumë të shtrirë në kohë. Janë 12 filma që mbajnë vulën e dy autorësisë regjizoriale Ibrahim Muçaj dhe Kristaq Mitro. Kur e pyesim regjizorin Mitro si ka mundësi kjo bashkejetesë kaq e gjatë mes dy regjizorëve të mëdhenj, ai përgjigjet vetëm me një fjalë: Sinqeriteti. Përsëri na duket sikur u hodhëm në një botë tjetër që nuk ka lidhje me ne, në një botë ku kjo fjalë ose vlen pak ose aspak.
Nëse Ibrahim Muça do bëntë në ditët e sotme aq filma sa ka bërë deri në vitin 1990 ai do kishte më shumë famë, ndoshta edhe më shumë para.
Nëse bën një analizë të thjeshtë kuptohet se në të 12-të filmat që mbajën firmën e Muçajt dhe Mitros indroktrinimi është në nivel minimal. Nuk e dimë dhe nuk jemi të sigurtë nëse kjo vjen pikërisht nga niveli i ulët i indroktrinimit të vetë tyre apo diçka tjetër, por ne jemi përballë një fakti që nuk mund ta mohojë kush. Në një regjim diktatorial ku indroktrinimi ishte baza e funksionimit të gjithçkaje, të mos ishe i tillë, merr një domethënie të madhe në ditët tona.
Nëse përdor metrin aktual të standatit kinematografik, pra me metrin e sotëm, për ato filma mund të thuash çfarë të duash. Mund ti quash filma komunistë, mund ti shash para e mbrapa, mund t’u thuash ishin turp, e gjithëfarësoj. Dikush mund të thotë që edhe nuk duhet të shfaqen dhe autorët e tyre duhet të shpallen bashkëfajtorë të pasojave të komunizmit. Por kjo i bie që Ibrahim Muçaj dhe Kristaq Mitro janë fajtorë përsë jetuan gjatë komunizmit. Epo kjo nuk është normale.
Kjo kundërshtohet duke u mjaftuar të përmendim filmin “Nusja dhe shtetërrethimi” i vlerësuar së fundi në “Viennale” që u mbajt nga 25 tetori deri në 4 dhjetor 2019 që mban firmën e Muçajt dhe Mitros si regjizorë dhe Helena Kadare si skenariste. I përzgjedhur nga një program evropian me temë nga Lufta e Dytë Botërore, organizatorët erdhën në Shqipëri dhe e përzgjodhën atë mes shumëe shumë filmave me këtë temë. Dhe të mendosh se pllakata e këtij festivali u mor nga sheshxhirimi i këtij filmi i përzgjedhur mes 41 filmave të tjerë evropianë. Po kjo na bën shumë krenarë ne të gjithëve.
Apo edhe filmi tjetrër “Dimri i fundit”. Niveli i seriozitetit të filmit shkoi deri atje sa për të përcaktuar kolonën zanore janë bërë disa prova. Dhe çfarë provash se!:Filmi i sapomontuar shfaqej në një ekran dhe orkestra simfonike luante duke patur përballë filmin dhe ishin regjizorët atra që përcaktonin nëse kjo apo ajo muzikë i shkonte filmit. Kjo është arsyeja që ne sot kemi një kryevepër muzikore nga mjeshtri Aleksandër Lalo.
Një tjetër film që mban vulën e Ibrahim Muçajt dhe të Kristaq Mitros është edhe Liri a vdekje”. Një film që në një asnëj rrethanë nuk mund të përsëritet. Mjeshtëria e regjzorëve është se kanë sjellë të gjallë epopenë e luftës për liri të shqiptarëve nën drejtimin e heroit Çerçiz Topulli. Nuk ka sot asnjë dokumentar, kronikë televizive apo speciale në ekran që të flitet për atë periudhë dhe atë personazh dhe të mos përdoret pjesë nga filmi I Muçajt dhe Mitros.
“Duaje emrin tënd” është një film që solli një revolucion për kohën. Në vitin 1984 kur diktatori Hoxha ishte ende gjallë të realizoje një skenë me puthje ishte sikur të vije vullnetarisht kandidaturën për të kaluar nja 10 vite të mira në burg. Ata që kanë jetuar në atë kohë dhe nuk e kuptojnë, nuk kanë kuptuar asgjë nga komunizmi. Ata që nuk e kanë jetuar atë kohë dhe nuk e kuptojnë janë të pafajshëm por duhet tua shpjegojmë mirë që duhet ta kuptojnë.
Veprat e Ibrahim Muçajt janë të mëdha por vetëm fama e emrin të tij nuk është e tillë. Kjo u tregua edhe dje në këtë 10 vjetor të ndarjes nga jeta. Njeriu që ka lënë kaq gjurmë në kinematografinë shqiptare ka një dekadë që nuk jeton më. Rrojnë vepra që la pas. Por rron edhe thjeshtësia e tij. “E ka lënë me amanet”, përsëriti i biri Irvini. Kaq mjafton për të shpjeguar madhështinë e një njeriu si Ibrahim Muçaj. / ObserverKult.com