100 lirikat e Odise Plakut, dëshmi e një erotike të përkëdhelur mendërisht e trupërisht

odise

Ndërsa lexoj lirikat e ndjera që Odise Plaku më besoi t’i përzgjedh, më vjen ndër mend piktura e famshme e Tiziano Vecellio-s “Venusi, muzikanti dhe Kupidi”. Në një atmosferë të tillë idilike ofrohen 100 lirikat e dashurisë odiseane, lirika të cilat të prangojnë me syrin e parë që u hedh për lexim.

Prof. as. dr. Ilir Shyta

Përballë vajit në kanavacë që mbretëron në “El Prado” të Madridit, kompozohen njëlloj si në një telajo fjalët në letër dhe gjurmojnë e frymojnë eros trupor e atdhetar: “Unë jam vetë dashuria. Venusi, italiania, bija e Jupiterit, motra e grekes Afërditë, ballazi mjeshtrit të organos, i cili i jep mësime muzike…”
Përballë një konteksti të përsëdytur, si në një déjà vu të largët, shijojmë vargjet e Odisesë, që përmes metaforash, simbolesh, një enumeracioni segmentar kinematografik dhe metonimish krijojnë filmin e tij lirik mes vargjesh të ndjera dashurie.
“Duhet t’i mbash veset që ke si një mantel mbretëror, pa ngutje. Si një kurorë që s’e di dhe që bën sikur s’e shikon dot. Vetëm qenieve me vese nuk u mjegullohen konturet në baltën transparente të atmosferës. Bukuria është një ves i mrekullueshëm i formës”, – shkruan poeti dhe piktori peruan César Moro te “Dashuri deri në vdekje”.
Ndoshta brenda këtij surrealizmi “veset” e jetësuara në varg nënqasin rebelizmin dashuror të Odit, një trill mashkullor kryeneç’ ky, përballë portretit femëror, që një ditë vuan prangimin e tij dashuronjës.

Këto 100 lirika mbeten dëshmi e një erotike të përkëdhelur mendërisht e trupërisht, përtej emotivitetit autorial, edhe kur ngasjet mëkatare vijnë të frymëzuara nga folku rrëzëllues.
Ato shndërrohen kështu në rrëfenjë erotike, pa ndarje ciklesh poetike (një dëshirë kjo e shprehur e autorit të tyre), ku pikërisht si në një udhëkryq nuk di ku të ndalosh së pari: të shijosh magjinë e fjalës apo të marrësh emocion vargu? Edhe figura e babait lartësohet në këtë renditje jokronologjike brenda rrethit vicioz të ekzistencës… Me dhe pa emra të përveçëm, gjithkush firmos erën e tij të realizuar në gjallje.
Dashuria brenda 100 lirikave shndërrohet kështu në kryefigurë jo të ngutshme, por të lakmueshme, të ngjashme me ato të emblemave të dashuruara epokalisht, ndonjëherë të xhelozueshme brenda zemrës sonë.
Butësisht, si në studion e një piktori, shkrimësia e vargjeve të Odi(t)sesë, që thurmon jetë dhe dashuri, ngjyra dhe tinguj erosi, kërkon që edhe ty si lexues të të japë çlodhje, pikërisht atë çlodhje meditative që prej kohësh qëndron në fronin mbretëror të poezisë së tij.

ObserverKult

Kliko edhe:


ODISE PLAKU: PSE DREQIN EDHE UNË SHKRUAJ!