100 vjet nga themelimi i Bibliotekës Kombëtare në Tiranë

Nga Kastriot Dervishi

Biblioteka Kombëtare nisi jetën e saj në Tiranë më 10 korrik 1920, ditë kur u zhvendos fondi i bibliotekës së Komisisë Letrare Shqipe. Duke qëmtuar aktet shtetërore të mbërritura në ditët tona, vërehen dy emra intelektualësh që janë marrë me procesin e zhvendosjes dhe ngritjes së bërthamës së parë të Bibliotekës Kombëtare në Tiranë, e cila në muajt e parë të saj njihet me emrin “Biblioteka e Shtetit”.

Me vendimin nr.438, datë 11.7.1920, Këshilli i Ministrave, me propozim të po asaj dite të Ministrisë së Arsimit, vendosi të paguajë shpenzimet e bartjes së fondit të bibliotekës së Komisisë Letrare e mobilieve të saj, nga Shkodra në Tiranë, të cilat vlerësoheshin në 1389 lireta italiane. Në vendim flitet për një “drejtori të përgjithshme”, e cila ka mundësi të jetë ajo e arsimit e krijuar nga austro-hungarezët gjatë sundimit të tyre. Brenda të njëjtit vendim, Karl Gurakuqit i paguheshin shpenzimet e udhëtimit në vlerën e 400 liretave italiane.

Me vendimin nr.439, datë 11.7.1920, Këshilli i Ministrave vendosi që bibliotekarit Luigj Naraçi, t’i paguhen 350 lireta italiane si shpenzime udhëtimi dhe dietë.