Nga Roland QAFOKU
Sot mbushen 100 vjet nga vrasja më e bujshme që ka ndodhur në historinë e shtetit shqiptar. Më 13 qershor të vitit 1920, ditën që do festonte 57 vjetorin e lindjes, Esad Pashë Toptani, një nga personazhet më kontraverse të shtetit shqiptar, u ekzekutua nga student Avni Rustemi.
Dy herë kryeministër, ministër i Brendshëm në qeverinë e Ismail Qemalit, ministër i Luftës në qeverinë e Turhan Pashë Përmetit, komandant vali i Shkodrës, komandant i Xhandarmërisë së Janinës dhe deputet i Sanxhakut të Gjirokastrës, Esad Pashë Toptani padyshim ishte një nga shqiptarët më me ndikim dhe më të rëndësishëm të kohës. I implikuar direkt në 10 vrasje. I akuzuar për 20 vjedhje, grabitje prone e abuzime të këtij lloji. Në tre raste kishte tradhtuar hapur Shqipërinë duke dhuruar territore në këmbim të parave. Ishte vënë në shërbim të Italisë, Serbisë, Malit të Zi, Francës, Greqisë, në interes të pushtetit të vet dhe kundër Shqipërisë. Vrasjen e Esad Pashë Toptanit nuk e mendonte vetëm Avni Rustemi. Atë të diel të 13 qershorit të vitit 1920, në vend të 2 plumbave nga pistoleta “Smith & Wesson” Esad Pashë Toptani mund të kishte marrë edhe një tufë me lule si dhuratë për ditëlindje. Por fiks në ditën që pashai mbushte 57 vjeç, studenti nga Libohova e qëlloi për vdekje teksa po dilte nga hotel “Continental” në Paris, duke kryer kështu vrasjen më të bujshme të kohës, por edhe nga më të bujshmet në historinë e Shqipërisë.
Skena e vrasjes
Ishte ora 13.00. e 13 qershorit kur Esad Pashë Toptani doli nga hotel “Continental” në Paris. Atë ditë mbushte 57 vjeç dhe kishte vendosur që ditëlindjen ta festonte në “L’Escargot d’Or” një nga lokalet më luksoze të Parisit në shoqërinë e dy personave: të dashurës franceze 22-vjeçare Eliz Dyfur, me të cilën bashkëjetonte prej dy vitesh si dhe me Xhemil Bej Vlorën, nipin që ishte ardhur nga Franca. Porositi te recepsionisti një makinë, e cila u parkua përpara hotelit dhe ndërsa Xhemili dhe Eliz u futën brenda saj, Esadi po ecte disa metra prapa tyre. Por në këtë moment, krejt papritur, studenti Avni Rustemi iu afrua Esadit nga prapa dhe pa i thënë asnjë fjalë e qëlloi me pistoletën dy herë. Herën e parë plumbi e kapi në pjesën ku qafa bashkohet me kurrizin, e ndërsa Esadi po rrëzohej, e qëlloi sërish përpara në anën e zemrës. Esad Toptani vdiq në vend ndërsa veprimi tjetër i atentatorit ishte hedhja e pistoletës mbi trupin e viktimës. Avni Rustemi nuk bëri ndonjë përpjekje për tu larguar nga vendi i krimit dhe kjo i dha mundësinë që dy roje të sigurisë së hotelit dhe disa kalimtarë të rastit ta kapnin duke ushtruar dhunë, ndërsa mbërritja e një polici që kaloi aty rastësisht u shoqërua me shtrëngimin e prangave në kyçet e duarve të tij. Janë të shumta figurat politike që e kanë komentuar vrasjen e Esad Pashë Toptanit. Kam zgjedhur sot katër prej tyre: Enver Hoxha, Mustafa Kruja, Llazar Fundo, Nikolla Pashiq.
ENVER HOXHA, sekretar i Parë i KQ të PPSH, në mitingun e zhvilluar në Libohovë më 28 maj 1969 në kujtim të Avni Rustemit.
“Akti heroik i Avni Rustemit në Paris nuk ishte një atentat i thjeshtë, ai nuk kishte karakter terrorist apo anarkist. Jo! Akti i Avni Rustemit kishte një kuptim të madh politik dhe ideologjik. Plumbat e Avni Rustemit që shtrinë përdhe Pashën e Toptanit mu në zemër të Parisit, ishin sinjal, ishin një kushtrim i atij revolucioni të popullit shqiptar që po ngrihej kundër feudalizmit”. (Libri “Avni Rustemi” faqe 18)
Mustafa Kruja, në librin “Gjysmë shekulli me pendë në dorë”, faqe 424
“Sikur mos t’i kishte pasë armatosun fat’i Shqipnisë dorën nji djaloshi të rrëmbyem prej patrijotizmit për me ia shkurtuem jetën, ndoshta do të kishte qenë thjesht fatal”.
Llazar Fundo, student, në procesin gjyqësor ndaj Avni Rustemit
“Avniu bëri atë që do të kishte bërë çdo shqiptar tjetër, nëse do të ishte gjendur përballë një “monster” të tillë si Esad pasha”. (Në librin e Ilir Ikonomit “Esad Pashë Toptani, Njeriu, lufta pushteti”, faqe 521-522)
Nikolla Pashiq, kryeministër i Serbisë në gazetën franceze “Le temps”, 1920
“Kjo zhdukje (vrasje) është për të ardhur keq. Së pari se Esad Pasha ishte miku ynë dhe gjithashtu edhe miku juaj (francezëve)”