Njeriu punëtor, i përkushtuar edhe i dashuruar me profesionin e tij, mësimdhënien e gjuhës shqipe, por edhe vet gjuhën shqipe për të cilën ka lënë pas vepra themelore, që janë sot gur themeli në albanologji dhe pikë referimi për pasardhësit e rinj u përkujtua në 100-vjetorin e tij lindjes. Në mjediset e jashtme të Akademisë së Shkencave u zhvillua së fundi konferenca shkencore “Vepra e Shaban Demirajt (1920-2014) për historinë e gjuhës dhe prejardhjen e shqiptarëve” për akademikun e ndjerë, ish- kreun e këtij institucioni, Shaban Demirajn referuan kreu i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, Rexhep Smajli për “Historinë e gjuhës shqipe edhe zhvillimet ballkanistike në studimet e Demirajt”, Anila Omari për “Vendin e ndihmesave të Demirajt në traditën e filologjisë tekstore shqiptare”, Seit Mansaku për “Etnogjenezën e shqiptarëve në dritë të kërkimeve gjuhësore të Demirajt” e shumë akademikë e studiues të tjerë.
“Profesor Shaban Demiraj qëndroi gjatë gjithë jetës si urë ndërlidhëse dhe si një kryesues i degës vendëse të gjuhësisë shqiptare, ku punoi, krahas gjuhëtarëve të formuar në perëndim, edhe me ata që u formuan më vonë në universitete të vendeve të Lindjes. Ai qëndron në krye të asaj breznie të ngushtë filologësh, që u formuan dhe u vetëformuan brenda vendit, dhe iu bashkuan me plot sukses dhe me zotësi konkurruese dijetarëve vendës që ishin formuar, në periudhën midis dy luftërave botërore, në universitete perëndimore. Është fjala për ata gjuhëtarë që kishin përvetësuar metodën dhe arritjet e shkollave më të shquara dhe më serioze të albanologjisë, si ajo austro-gjermane, italiane e franceze e shkollave të tjera afër tyre”, shprehet ndër të tjera kreu i Akademisë Skënder Gjinushi.
I biri i akademikut Shaban Demirajt, albanologu edhe studiuesi Bardhyl Demiraj rrëfen të atin në tri dimensione, si prind, pedagog dhe koleg.
“Si çdo familjarë, në kësi aktivitetesh përjeton emocione. Por unë nuk jam vetëm familjar, pasi ai ka qenë mësuesi im dhe koleg, që prej vitit 1981 që kam dalë në jetë profesionale në jetë. Prandaj këto emocione janë trefishë. Kujtimet e mia si student, janë edhe mbeten 50 vjet më parë, kur ai ishte në prag pensioni, ka qenë i rreptë jo vetëm me mua, por me të gjithë, sepse kërkonte atë që jepte. Si albanolog vepra e tij ka ndikuar dhe në formimin tim profesional, edhe pse nuk përkojnë fushat e punës me njëra-tjetrën, pasi ai është marrë me gramatikë historike të gjuhës shqipe kryesisht, ndërsa unë me strukturën etimologjike të shqipes etj”, shprehet akademiku Bardhyl Demiraj.
Gjatë kësaj veprimtarie, përmes një ekspozitë retrospektivë, u paraqitën edhe botimet shkencore, si “Gramatikë historike e gjuhës shqipe”, “Historia e gjuhës së shkruar shqipe”, “Pellazgët, etruskët edhe shqiptarët” të akademikut Shaban Demirajt./shqiptarja.com