101 vjet më parë u krijua në Shkodër “Komiteti i Zojavet ‘Grueja Shqyptare’ për ndihma bamirsije”

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave publikoi dokumente që tregojnë sesi 101 vite më parë, gratë shqiptare u organizuan për të ndihmuar në luftë për Atdhe.

101 vjet më parë u krijua në Shkodër, më 3 gusht 1920, “Komiteti i Zojavet ‘Grueja Shqyptare’ për ndihma bamirsije”.

Synimi kryesor i Komitetit ishte mbështetja në mjete financiare dhe sende të ushtrisë shqiptare që ndodhej në front të luftës, por edhe për të ndihmuar familjet e dëmtuara prej luftës.

Pjesëtare e këtij Komiteti mund të ishte çdo vajzë e grua që dëshironte të kontribuonte vullnetarisht, në përputhje me Statutin e Komitetit.

Kryetare nderi u caktua zoja e Hysen beg Bushatit, kryetare u zgjodh Shaqe Çoba, nënkryetare Age Koka, sekretare Paulina Leka, arkëtare Albnia Ashiku, e të tjera zonja shkodrane nënshkruan si anëtare dhe këshilltare.

Ky Komitet, veç përmasës së vet të bamirësisë, shpërfaq qartazi dhe një element tjetër të veprimtarisë shoqërore të nisur dhe të mbështetur nga vajzat dhe gratë në Shqipëri: shërben si piketë orientuese e lëvizjeve feministe që filluan të vepronin menjëherë pas organizimit shtetëror të Shqipërisë (Lushnje, janar 1920).

Ndonëse të rralla, veprimtari të tilla nuk mungonin edhe mbi 100 vjet më parë, bën të ditur DPA./ATSH

LEXO EDHE: Thesaret e arkivit, zbuloni si duket një libër 600-vjeçar përmes një ekspozite