Me mision historik mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të shqiptarëve në SHBA, si edhe lobimin në Kongresin e Shteteve të Bashkuara për të drejtat e shqiptarëve anembanë botës, shoqëria “Vatra” u themelua zyrtarisht, më 28 prill 1912.
Takimi i parë për të sjellë së bashku të gjitha organizatat shqiptare amerikane në një federatë u mbajt më 24 dhjetor 1911 në Boston, me nismën e shoqatës “Besa – Besë”.
Në këto takime ishin të pranishëm: Faik Konica, Fan Noli, Kristo Floqi, Marko Adams, dhe Paskal Aleksi. Të dhënat zyrtare të komisionit të bashkimit citojnë: “Ne bëjmë thirrje për të formuar Federatën Pan Shqiptare të Amerikës nga bashkimi i shoqatave të mëposhtme: “Besa – Besë”, “Flamuri i Krujës”, “Shoqëria Kombëtare” dhe “Dallandyshja”.
Në këtë mbledhje historike u emërua një pleqësi e përkohshme prej këtyre zotërinjve. Sekretar At Fan Noli, arkëtar Llambi Chikozi, menaxher i gazetës “Dielli” Kristo Kirka, organizatorët e degëve të federatës: Faik Konica dhe Kristo Floqi. Mbikëqyrës së gazetës “Dielli”: Paskal Aleksi, Elia Tromara dhe Kosta Vasili. Federata Panshqiptare “Vatra”, u njoh prej shtetit të Masacusetit dhe mori kartën më 13 qershor 1912.
Një muaj para bashkimit, në mbledhjen e 24 marsit u diskutua edhe emri i federatës. Gjithsecili paraqiti emra të ndryshëm. U propozuan emra të tillë si “Plugu”, “Parmenda”, “Kastrioti”, “Skënderbeu”, “Përlindja” etj., por asnjëri prej tyre nuk u pëlqye. Fan Noli, me elokuencën e tij, arriti t’i bindte delegatët që federata e sapolindur të pagëzohej me emrin “Vatra”.
“Vatra”, shkruante “Dielli”, është emri i shoqërisë së re të bashkuar, është emri me të cilin shoqëria federale e re, për të parën herë, shfaqet si një shoqëri e organizuar, e përgjithshme, e kolonive shqiptare të Amerikës.
Emri i plotë i shoqërisë së re të bashkuar do të ishte Federata Shqiptare e Amerikës “Vatra” (në anglisht: “The Albanian Federation of America “Vatra”). Duke sjellë në shprehje argumentet që Noli paraqiti për emërtimin e Federatës Shqiptare të sapokrijuar, në një artikull redaksional të gazetës “Dielli” të datës 4 prill 1912 thuhej:
“Përmbi gjithë kombet e tjera, shqiptari ka më tepër të drejtë të përdorë fjalën “Vatra” si të tijën. “Vatra” fjal’ e butë, e qetë, po me sa të madh kuptim! P.sh,: Ku pi sisë rritet, flet dhe formohet si njeri me ndjenja e zakone shqiptari? Ku njeh njeri-tjetrin dhe pastaj Kombin dhe Atdheun e vet? Ku dëgjon më të bukurat tregime për historinë dhe fisnikërinë e tij? Ku ëndërron për punën, lumturinë e fatbardhësinë e tij? Ku e ka qendrën Shqiptari? Përse rron, punon, mundohet, përpiqet, lufton dhe më në fund vdes?
Për vatrën dhe gjithë për vatrën! Edhe kur themi “Vatra” nuk përmendim vetëm atë copë vend tek bëjmë zjarr e mblidhemi rrotull tok, po e marrim me një kuptim më të lartë e më të shënuar si rrënjën e kombit, si burimin e çdo idealizmi. Shqiptari luftën për Kombin e tij e quan “Luftë vatre”.”
Emri u miratua zyrtarisht në mbledhjen për bashkim të 31 marsit 1912 dhe me këtë emër, Shoqëria hyri në histori.
Rekordi i mbledhjes (sjellë nga “Dielli”) themeltare është shkruar nga dora e Faik Konicës, i cili ishte sekretar i Komisonit të Bashkimit.
Në Rekordin IV, shkruhet:
Komisioni i Bashkimit dhe delegatët e shoqërive, në mbledhjen që mbajtën të dielën e 31 marsit 1912, pasi biseduan çështjen e kanunores, të emrit dhe pagesës së Shoqërisë Federale që do të formohet, morën këto vendime:
1- U votua një shumë prej $ 70.00 për njohjen e shoqërisë nga shteti i Massachusetts.
2-Shoqëria u quajt”Federata Pan –Shqiptare e Amerikës VATRA”
3-Pagimi do të ishte $3 për mot dhe $1 për hyrjen e anëtarëve të rinj.
4-Mbledhja tjetër do të bëhej me 9 prill në sallën e Kishës së Shën Gjergjit, ora 6 P.M.
5-Çështja që do të bisedohej në mbledhjen pasuese do të ishte Kanunorja.
Në fund të rekordit janë emrat që kanë firmosur. Për Komisionin e bashkimit: Fan Noli, Kristo Floqi, Faik Konitza dhe Paskal Aleksi. Pas tyre emrat e delegatëve pjesmarrës:Elia Tromara, Lambi Çikozi, Kristo Kirka, Kosta Vasili, Koste Kotta.
Data, 31 mars 1912.
Në takimin e 9 prillit u diskutua një pjesë e kanunores, e cila përfundoi në mbledhjen pasuse. (rekordi VII)
Mbledhja tjetër u mbajt me 14 prill dhe diskutimet janë të shënuara në rekordin VIII. Pasi u miratua plotësisht Kanunorja, u morën vendimet e mëposhtme:
Çdo delegat të sillte në mbledhjen tjetër një raport të plotë, ku të tregonte:
1-Numrin dhe emrat e anëtarëve që përfaqësonte së bashku me kapitalin që kishte shoqëria.
2- Të mbahej një mbledhje me 28 prill për të zgjedhur një komision të hëpërhëshëm të Federatës i cili të vepronte gjerësa të organizoheshin degët plotësisht.
Mbledhja u bë me 28 prill dhe zgjodhi këta zyrtarë të komisionit:Fan S. Noli-sekretar, Lambi Çikozi-arkëtar,Faik Konitza dhe Kristo Floqi-organizatorë të degëve, Kristo Kirka-manager i “Diellit”, Paskal Aleksi, Elia Tromara dhe Kosta Vasil-mbikqyrës të gazetës.
Sipas rekordeve të nënshkruara prej anëtarëve të komisionit dhe delegatëve të shoqërive, provohet se VATRA u themelua zyrtarisht me 31 mars 1912, u deklarua me 28 Prill, dhe me 13 qershor të atij viti u njoh nga shteti i Massachusetts.
Ndërkohë që shoqëria Besa-Besën, që ishte ndër shoqëritë kryesore që u shkri në Vatër dhe botuse e gazetës ”Dielli” mbledhjen e fundit të saj e ka bërë me 28 prill 1912.Pas këtij takimi ajo dorëzoi gjithëçka në Vatër, gazetën, mobliljet e zyrës, arkën prej $374.85 etj.Kryetar i parë i Shoqërisë Besa_Besën qe zgjedhur Fan S. Noli më 1907, më 1908 Kristo Kirka.Nga maji 1910 e deri më 28 prill 1912 kryetarë të saj kanë qenë Josif Pani dhe Kolë Rodhja, i cili nuk ishte në mbledhjene fundit pasi gjendej i burgosur në Gjirokastër.
Komisioni i përkohshëm i Vatrës e bëri mbledhjen e parë me 2 korrik 1912 dhe mori vendimin që Kuvendi i parë i Vatrës të mbahej me 14 korrik të atij viti. Ajo mbledhje ngarkoi Faik Konitzën që të interesohej për përgatitjen e Vulës së Vatrës, Lambi Çikozi mori përsipër të përgatiste kopsat me monogramet F.S.V dhe Kristo Kirka të shtypte Kanunoret shqip.
FAIK KONICA: UNË “NUNI” I VATRËS – SI MODEL SHËRBYEN DY ORGANIZATA IRLANDEZE: “THE GAELIC” DHE “SINN FEIN”
Shpesh janë bërë debate për autorësinë e Vatrës. Kristo Floqi shkruante me rastin e 25 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë se ai ishte gur-themeli i Vatrës dhe se Konica dhe Noli, nuk i ishin përgjigjur fillimisht në mbledhjen e parë. Këto Floqi i shkroi edhe në revistën “Hylli i Dritës”, madje shumë vite më vonë, e publikoi artikullin e tij edhe “Shenjëzat” që botonte Ernest Koliqi në Romë. Ish Editori i Diellit,Refat Gurazezi, që e shkroi Historinë e Vatrës në faqet e Diellit, replikon me Floqin dhe e cilëson si vetëmburrje dhe të pavërtetë deklarimin e ish editorit Floqi, të cilit gjithësesi nuk mund t’ia mohosh kontributin sepse në kohëbashkimin e organizatave në VATËR, ai ishte editor i DIELLIT, dhe ai i dërgoi ftesta për mbledhjen e parë, por që fara e bashkimit ishte hedhur herët, vecanërisht nga Konica, këtë nuk mund ta mohojë kush.
Faik Konica na ka lënë dëshminë e tij të botuar në Dielli, dhe për hirë të dëshmisë autentike e sjellim të plotë: Boston 31 mars 1922; Jam ndodhur këtu edhe në të parën edhe në të dytën nga këto data(diskutim për 28 prillin apo 31 marsin si ditë themelimi). Dhe si një nga “nunët” e Federatës sonë VATRA, të cilën e kryesoja edhe aherë si sot, më bie shorti të thom ca fjalë për nisjet e kësaj shoqërie me famë: CA FJALE, se historia e plotë e VATRES është tepër e madhe që të hyjë në garth të ngushtë të një artikulli; e ka vendin e saj në një librë që do t’botojë nonjë ditë Federata mi historin’ e përgjithshme të Shqipëtarëve t’Amerikës, histori që do t’përmbledhë të ngjarat jo vetëm të ç’do dege po të ç’do shoqërie tjatër këtu, të ç’do grupi, të ç’do kollonie, me business-et e ndryshme, fabrikat ku kanë punuar Shqipëtarë, shkollat ku kanë mësuar, etj…, në një fjalë një histori që do të jetë si pasqyra e jetës që kanë rojtur djemt’ e Shqipërisë më kët’anë të Oqeanit(Sa keq që nuk u plotësua kjo dëshirë e Faik Konicës. Ka copëza historie, por jo një të plotë-dg). Trimëria e Shqiptarëve t’Amerikës, të cilët me djersët, krahët, dhe zemrën e tyre, e kanë shpëtuar në disa raste Shqipërinë, meriton pa dyshim nderimin e një historie të veçantë. Po këtu, siç thamë më sipër, do të shkruajmë vetëm një artikull për nisjet e VATRES.
Para se të vij n’Amerikë, kisha rojtur disa vjet n’Ingli dhe atje kisha vënë re anallogjin’ e madhe që kish Irllanda kundrejt Inglisë me Shqipërinë kundrejt Turqisë, me ndryshimin që Irllandasit, të frymëzuar nga një idealismë të pavdekur, po lëftojin qindëra vjet për çlirimin e tyre. Nisa pra të studioj organizatat e këtij populli të çuditshëm, dhe veçan dy: the Gaelic League edhe Sinn Fein, e para për të përhapur kulturën me anë të gjuhës nacionale, e dyta për të ndarë Irllandën nga Inglia. Organizimi dhe kanunëria e VATRES u-inspirua gjer më një pikë nga të dy shoqëritë irishe, dhe prandaj VATRA ka pasur dhe ka në gji të saj dy tendenca që rrjedhin nga inspirata e parë e tyre: tendenca kulturale dhe tendenca politike, nga të cilat e funtmia ka mbretëruar shumë vjet, dhe tani del në shesh edhe e para, e penguar aqë kohë me padrejtësi dhe për dëm të popullit.
Më 9 të Vjeshtës së Mesme 1909, zbrita në Boston nga vapori Ivernia(që është një tjatër emër i Irllandës), edhe mora në dorë redaksin’ e Diellit, të cilin gjer ahere (numur 29) e kish shkruar me talent At Fan S. Noli. Dielline zotonte dhe e mbante shoqëria Besa-Besën, e cila qendrën e kish në Boston, po anëtarët i kish më të shumët në rrethet: në Natick, në Cochituate, në Brockton, në Framingham, në Marlboro, në Lynn, në Worcester, në Southbridge, etj., dhe ca të pakë anëtarë shumë më lark. Përveç shoqërisë Besa-Besën, kish n’Amerikë edhe disa shoqëri të tjera, ca për interesat e një fshati ose të një qyteti, ca edhe me qëllim të përgjithshëm. Po shoqëria Besa-Besën, si proprietare dhe botonjëse e Diellit, çquante përmi të gjitha dhe kish një rëndësi të veçantë.
Si u-vendosa në Boston dhe u njoha me patriotët që mirjin pjesë në lëvizjen kombëtare, nisa të përhap iden’ e bashkimit të shoqërive; po, ndonëse e pëlqejin të gjithë, asnjë s’dukej gati të bëjë çapin e duhur. Me shoqërin’ e Jamestown-it ish bërë fjalë dhe më parë, po s’kish dalë gjë. Shoqëria korçare Arësimiish ajo që çfaqte dëshirën më të madhe për një bashkim, dhe pata shumë herë fjalime të pëlqyera për këtë çështje me kryetarin e ahershëm Z. Nik Dishnicë. Po dhe këto fjalime vanë humbur. Dhe’u nuk ish dhe i gatitur miaft për lulëzimin e mendimit.
Disa javë pas ardhjes s’ime këtu, këshillova të mbahet një mbledhje e shoqërisë Besa-Besënpër të biseduar vetëm këtë çështje, edhe atje çfaqa idenë që shkaku i mosbashkimit të shoqërive ish se shoqëritë s’dojin të humbisjin qënien e tyre duke u-çdukur në gji të njërës vetëm, të shoqërisë Besa-Besën; dhe proponova një zgjidhje më të pëlqyer: jo bashkimin, po federimin.
Kjo fjal’ e fundit, federimi, u përdor’ ahere për herën e parë për këtë çështje, dhe është për çudi kur dëgjon njeriu një pakicë analfabetësh të thonë se iden’ e VATRES e mbollnë nj’a dy njerës të cilët ose s’kishin ardhur ende n’Amerikë, ose rrojin jashtë lëvizjes dhe lark qendrave shqipëtare. Po një nga karakteristikat e barbarëve, që është dhe e foshnjave, është moskuptimi i mësimeve që rrjedhin nga kronologjia, nga datat. Ja për kujtim historie raporti i shkurtër i botuar te DielliNo. 44, më 28 të Jenarit 1910 (faqe 3, shtyllë 5):
PLEQËSIA E BESA-BESËS. – “Pleqësia e Besa-Besësmbajti një mbledhje të Dielën e shkuar në zyrë të Diellit. Ishin në mbledhje: Z. Kisto Kirka, kryetari; Z. George Konda, arkëtar; Z. Nikolla Tromara, sekretar; edhe ZZ. Andrea Kristo, Stavre Mihal, Xheli Sotir, pleq. ZZ. Fani Kosta, nënëkryetar, edhe Maqi Thanas, plak, s’muntnë të vijnë. Në mbledhje muarnë pjesë edhe i Përnd. At Fan S. Noli me drejtorin e DiellitZ. Faik Konitza. U panë hesapet, dhe u bisedua çështja e federimit (lidhjes) së shoqërive kombëtare t’Amerikës. Mbledhja zgjati 3 or’ e gjysmë.”
Kjo mbledhje munt të quhet i pari çap për të themeluar në mes të Shqipëtarëve t’Amerikës një federatësi “Vatra”. Për fat të zi, dolli ca ditë më vonë një pengim i papritur. Mbledhja u mbajt më 28 të Jenarit; më 25 të Shkurtit, Diellibotonte demicjen e Drejtorit. Një mosmarrëveshje me kryesin’ e shoqërisë Besa-Besënshkakëtoj heqjen t’ime. U-vendosa përsëri nga anëtarët si drejtor, dhe vazhdova në këtë ofiq, me Z. Josif Pani si kryetar të Shoqërisë, gjer më 1 të korrikut 1910. Ahere, gazeta pushoj, dhe u botua tre muaj e gjysmë më vonë përsëri me At Fan S. Nolin si editor dhe me Z. Lambi Çikozin si Manager.
Si hyri ajo grindje në mes, ra edhe idea e themelimit të Federatës; dhe sado që më vonë lidha përsëri marrëdhëniet personale më të mira me ata nga të cilët isha ndarë nga moskuptime politike dhe jo gjë tjatër, bisedimi i 28 Jenarit 1910 mbeti pa pemë.
Në fund të motit 1911, ndodhesha në Cambridge, Mass.; vija rrallë në Boston, dhe s’piqesha me njeri, as kisha nge’ të marr pjesë në nonjë bisedim. Diellin, nga i cili kishte dalë(ishte larguar) edhe Fan Noli, nuk e këndoja, nga frika se mos harroja shqipen. Një ditë mora një letrë ku më ftojin në një mbledhje delegatësh, për të themeluar një “Komitet Qendror”. Idea s’m’interesonte as pakë; dhe në mbledhje, e cila u mbajt me 24 të Shën-Endreut në Rathbone Hall, nuk u ndodha, sado që isha emëruar delegat i shoqërisë Skënder-Beunë Gary, Indiana. Si duket, kjo ide e Komitetit Qendrorkish qenë biseduar pa rreshtur nga shqiptarët; dhe te Dielli No. 126 (30 Vjesht’ e III, 1911) u botua një Kanunore e Komitetit Qendror, të cilën duhet ta këndojë ç’do njeri që do të studiojë historin’ e themelimit të VATRES; do të shihni atje se ay projekt është aqë lark nga organizimi i Federatës s’onë, sa është lark Ballkani nga Irllanda.
Më 11 të Jenarit 1912, Dielli njihte dështimin e Komitetit Qendror dhe na ia vinte fajin At Fan Nolit edhe mua. Më 18 të Jenarit, Dielli botonte një letrë nga At Fan S. Noli, i cili, duke folur edhe n’emër tim, thosh se ishim gati të piqeshim për të biseduar, po “me konditën që të bëhet një gjë serioze dhe jo për të qeshur.”
Vetë shkova në Boston, u poqa me Z. Lambi Çikozin, manager-in e Diellit, edhe me Z. Kristo Kirka, kryetarin e shoqërisë Arësimi. I gjeta plot me dëshirë për të themeluar një organizatë serioze. U poqa me miq të tjerë, dhe i gjeta gjithë n’atë mendje. Vendosa ahere të trazohem.
Nismë të bëjmë mbledhje të dëndura, dhe në njërën shtrova ndryshimin në mes të një shoqërie qëndrore edhe të një shoqërie federale, me përfundimin që forma e fundit fitoj pëlqimin. Në një tjatër, si pas porosisë që kisha marrë nga delegatët, shtrova dy emëra për pëlqim: Parmendaedhe Vatra, i pari me kuptimin ideal të kulturës së mendjes e të shpirtit, i dyti me një kuptim më patriotik. U pëlqye i dyti. Dhe ashtu Federata “Vatra”, me emër dhe me formë, dolli në shesh. Në mbledhje themeltare të Marsit 31, 1912, ndodheshin këta zotërinj, si komision dhe delegatë: At Fan Noli dhe ZZ. Lambi Çikozi, Kristo Kirka, Faik Konitza, Elia Tromara, Kosta Vasil, Dr. Kost Kotta, Kristo Floqi, Paskal Aleksi. Te Kalendari i bukur i VATRES, 1918 gjenden shumë hollësira për nisjet e VATRËS.
Për emërin, formën federale, kanunoren, regulloren, edhe shpiritën e parë të VATRES, jam responsibleunë. Po e drejta është që VATRA, të cilën un’ e lashë çilimi shtatë muajsh, u ngjall, u rrit, u madhua, u bë një forcë e madhe nga Fan Noli dhe Veteranët e Amerikës, më 1915-1919, dhe n’atë shvillim unë s’kam patur as një pjesë./konica.al