Gjysmëshekulli i fundit i mjaftoi historisë për ta vendosur veprën letrare të Migjenit në një nga majat më të larta të bjeshkëve me gjelbërim të përhershëm të letërsisë sonë kombëtare.Me një realizëm të thellë, të panjohur deri atëherë në letërsinë tonë, Migjeni konsiderohet si një ndër shkrimtarët më të lexuar e më të rëndësishëm të shekullit të 20-të.
Akademia e Shkencave e Shqipërisë përkujton sot Migjenin në 109-vjetorin e lindjes.
“Ai ishte, kështu, një poet margjinal. Të vetmuar ishin dhe Noli me Poradecin, madje tepër të vetmuar, por vetmia e Migjenit, ajo vetmi e thjeshtë, e pabujshme e tij, ishte më tragjikja e të gjithave. Meqenëse vepra e Migjenit është, përgjithësisht, një dyluftim i pambarim me një pjesë të letërsisë dhe jo vetëm të letërsisë, por të krejt mendësisë shqiptare, ajo mund të kuptohet saktësisht vetëm e ballafaquar me to”, shkruan Ismail Kadare – Uragani i Ndërprerë – Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe.
Migjeni lindi më 13 tetor 1911 në qytetin e Shkodrës, ku mori dhe mësimet e para.
Krijimet e para, vjersha dhe skica, nisi t’i botonte në revistat “Illyrija”, “Bota e re” etj. Në vitin 1936 u shtyp përmbledhja poetike “Vargjet e Lira”, por, e ndaluar nga censura, ajo nuk qarkulloi. Megjithatë kopje dhe vjersha të veçanta të saj u lexuan të kopjuara dhe të shpërndara dorë më dorë. Përmbledhja u botua disa vjet pas vdekjes së autorit, më 1944. Vepra e plotë e tij u botua prej S. Luarasit, më 1957, nën kujdesin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Më pas, krijimtaria e tij është botuar disa herë në Tiranë dhe në Prishtinë. Sido që e njohu vetëm pjesërisht, mendimi kritik, qysh në pritjet e para (fundi i viteve ’30 – fillimi i viteve ’40) e vlerësoi Migjenin si “fenomen”, “uragan”, poet “flamurtar” që “revolucionoi” mendësinë e kohës.
Me lirikën e tij jeta letrare e atyre viteve kreu shkëputjen më të dukshme e më të vendosur prej tradicionalizmit nacional; me të ajo u hap, u bë vizionare dhe përftoi si kurrë më parë tipare universale; me të ajo njohu kritikën konceptualiste si mënyrë e të menduarit artistik (“Parathënie e parathanjeve”, “Të birt e shekullit të ri”, “Poema e mjerimit”, “Kanga skandaloze” etj.).
Thellësisht e angazhuar, poezia e Migjenit solli në letërsinë shqipe një problematikë të re, jetën e shtresave të varfra të shoqërisë shqiptare, temën e mjerimit e të pasojave të tij morale, përjetimin artistik të domosdoshmërisë së ndryshimit dhe vegimin e një bote tjetër, më të mirë e më të drejtë.
Ajo përvijoi tiparet e një humanizmi që flakte mitet, kultet dhe gjithfarë qëndrimesh irracionale e sentimentale. E ashpër (“Trajtat e Mbinjeriut”, “Të lindet njeriu”, “Lagjja e vorfun”) dhe delikate (“Dy buzë”, “Z.B.”, “Një natë” etj.), e hareshme (“Kanga e rinis”, “Ekstaza pranverore”) dhe e trishtuar e tragjike (“Nën flamujt e melankolisë”, “Vetmia”, “Vuejtja”, “Një natë pa gjumë”, “Frymëzim i pafat” etj.), poezia e Migjenit kërkonte dhe gjente mjete të tjera, të gjera e të vrullshme në mundësitë e tyre shprehëse.
Fjalori, krejt i hapur në zgjedhjet e veta, vargjet, shpesh të thyera e të lira, që, më shumë se harmoninë formale, synonin figurën e mendimit, të guximshme e të beftë, ritmi dinamik e rimat e brendshme që i nënshtrohen gjithnjë theksimit të mesazhit, e veshën ligjërimin e poezisë së tij, me të gjitha tiparet e vargëzimit modern, që i përpunoi ndryshe aftësitë e fjalës shqipe për t’u renditur artistikisht.
Për letërsinë shqipe të viteve ’30, prurje moderne ishin edhe skicat e Migjenit, që kishin si vatërzim tematik tjetërsimin e njeriut (“Sokrat i vuejtun apo derr i kënaqun?”, “Ose…, ose”, “Vetëvrasja e trumcakut”, “Idhujt pa krena”, “Në sezonën e mizave”, “Gogoli” etj.) dhe, në ligjërimin e tyre, dalloheshin prej teknikave të përthithura nga publicistika, dramatikja e eseistikja, prej groteskut dhe ironisë sarkastike, nëntekstit të fuqishëm dhe jashtëzakonisht konciz.
Të tilla tipare stilistike shfaqeshin edhe në disa skica të tjera (“Bukuria që vret”, “Moll’ e ndalueme”, “A don qymyr zotni?”, “Në kishë”, “Luli i vocërr” etj.), të cilat, tek zbulonin qartas simpatitë e thella demokratike të Migjenit, realizonin përmes bërthamash subjektore, konkretësisë së detajeve, ndërrimit dhe ndërhyrjes autoriale, kërkesat e tij për një art që do të ndikonte shpejt në konstitucionin shpirtëror të kohës.
Proza rrëfimtare e Migjenit (“Studenti në shtëpi”, “Bukën tonë të përditshme falna sot”; “Historia e njenës nga ato…”, “Të çelen arkapijat”), megjithëse nuk u botua me gjallje të tij, ishte shprehje e drejtpërdrejtë e nevojës që ndjente procesi letrar i kohës për të braktisur vizionet romantiko-sentimentaliste dhe idhujt e vjetruar.
Materialist në bindjet e veta, Migjeni kishte arritur ta kuptonte se psikja e individit përcaktohej prej gjendjes së tij ekonomike, dhe, pikërisht për këtë arsye, ai duhej përshkruar në vartësinë e tij prej realitetit të marrëdhënieve të egra e të ndërlikuara shoqërore.
Gjithë duke ruajtur karakteristikat e stilit të skicave, proza rrëfyese e tij krijonte personazhe që kishin një biografi (Nushi, Lukja), hera-herës një portret (Agia), mbi të gjitha një mënyrë të menduari e të sjelli të tjetërsuar e të përcaktuar prej qenies së tyre shoqërore (Filipi, Kola, i ati i Nushit etj.).
E vendosur në mjediset e Shkodrës, duke krijuar figurat e të papunit të përhumbur, të tregtarit filistin, të fanatikut të egër, të intelektualit që kuptonte se për të luftuar hipokrizinë, si rregullator të marrëdhënieve midis njerëzve, duhej një shoqëri tjetër, duke zbuluar varësinë nga faktorët që vendosin mbi fatet e individit, proza rrëfyese e Migjenit arriti ato shkallë të analizës dhe të përgjithësimit artistik, që kanë karakterizuar realizmin.
Vepra e tij sfidonte në çdo pikëpamje; ajo ishte shprehje e shqetësimeve të mundimshme të jetës shpirtërore shqiptare që ftonin për të përfytyruar një shoqëri njerëzore në të cilën individi, i njohur dhe i kuptuar së fundmi, do të realizohej plotësisht në të gjitha ndërlikimet e tij ekzistenciale. Migjeni ka qenë dhe mbetet ndër shkrimtarët më të lexuar të letërsisë shqipe. Krijimtaria e tij luajti një rol të madh reformues e risues në letërsinë shqiptare; ajo ishte pamja më e shënjuar e takimit të saj me zhvillimet moderne të letërsisë evropiane. Kjo është një ndër arsyet që ajo është përkthyer në disa gjuhë./ ObserverKult