Mbi 200 tituj librash dhe revistash në shqip dhe gjuhë të huaja që dëshmojnë mbi jetën e Nënë Terezës, misionin e saj humanitar dhe punën e palodhur në këtë fushë u prezantuan në ekspozitën “110 vjet me Nënë Terezën”, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë.
Kjo ekspozitë u çel në nder të shenjtores Nënë Tereza për çfarë ka dhënë në kuadër të dashurisë njerëzore dhe mesazhit humanitar që ka përcjellë për shoqëritë, aq aktuale edhe ditët e sotme.
Ekzistojnë mbi 4000 tituj botimesh e ribotimesh për Nënë Terezën aktualisht sot në botë.
Me këtë ekspozitë Muzeu Historik Kombëtar mbyll festimet dedikuar shenjtores shqiptare që është një simbol frymëzimi me vlerat e saj kudo në botë.
“Me gjak, unë jam shqiptare. Me shtetësi, jam indiane. Me besim, unë jam një murgeshë Katolike. Sipas profesionit tim, unë i përkas botës. Për nga zemra ime, unë i përkas plotësisht Zemrës së Jezusit”, janë fjalët e thëna nga Nënë Tereza, që jetën e saj ia përkushtoi të varfërve. Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, që më vonë e ndryshoi emrin në Nënë Tereza, lindi me 1910 nga prindër shqiptarë./ATSH