Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, mori pjesë në akademinë solemne të organizuar me rastin e 111-vjetorit të Kongresit të Dibrës, kësaj ngjarjeje madhore, që sipas tij, i parapriu Pavarësisë së Shqipërisë.
Meta shprehet se “sfida më e madhe që kemi sot dhe gjithçka duhet të bëjmë, për të dëshmuar patriotizmin e vërtetë dhe respektimin e të parëve tanë, është të mbajmë të rinjtë në këto troje duke i edukuar me vlerat më të mira kombëtare. T’ju rikthejmë shpresën dhe t’ju krijojmë të gjitha mundësitë për t’u punësuar dhe për të ndërtuar të ardhmen e sigurt dhe europiane në vendlindjen e tyre. Do t’ia dalim me sukses sepse nuk kemi rrugë tjetër”.
Meta zhvilloi një vizitë edhe në Manastirin e Shën Gjon Pagëzorit, në Mbiguri së Dibrës së Madhe, që këtë vit kremton 1 mijë vjetorin e hapjes.
“Një vend i jashtëzakonshëm pelegrinazhi dhe qendër e rëndësishme e besimit ortodoks, që vizitohet çdo ditë nga qindra besimtarë. Kënaqësi të bisedoja me Peshkopin Partenij, në veçanti për rolin që duhet të luajnë udhëheqësit fetarë për kultivimin e paqes, bashkëjetesës dhe bashkëpunimit midis qytetarëve, pavarësisht përkatësisë etnike e fetare, sidomos në rajonin tonë, që aq shumë ka vuajtur nga nxitja e frymës së urrejtjes. I lumtur që në këtë vizitë të shoqërohesha nga Myftiu i Dibrës së Madhe, Reshat Kaçallniku, për të dhënë të gjithë bashkë mesazhin e domosdoshmërisë së harmonisë ndërfetare në të mirë të popujve dhe progresit shoqëror”, tha Meta.
Por sot, Meta vizitoi edhe Kishën e Shën Lledrit në Spiten-Prull, “në këtë vend të shenjtë, që rrezaton prej 7 shekujsh besimin e palëkundur të popullit të mrekullueshëm të kësaj zone dhe jo vetëm, tek Zoti”.
Ai tha se “kjo Kishë e rikonstruktuar falë kontributeve bujare të banorëve, u bëri ballë gjithë sulmeve barbare, luftërave e diktaturave të egra, për të shndritur në këtë 30-vjetor të rikthimit të lirisë së fesë në vendin tonë, sepse populli i Spiten-Prullit nuk e humbi kurrë besimin në Zot dhe shpresën tek e ardhmja”.
“Në kushtet e një situate tejet të vështirë ekonomike e sociale, ku papunësia dhe varfëria janë evidente në shumë familje dhe kur gjendja është përkeqësuar për shkak të COVID-19, që po krijon drama të tmerrshme familjare e shoqërore, ju bashkova lutjeve për shëndet të plotë për të gjithë shqiptarët, veçanërisht për ata që po vuajnë nga pandemia, për këdo që ka humbur punën dhe është në pamundësi ekonomike, për të rinjtë e fëmijët tanë që të mos i braktisin familjet dhe Atdheun e tyre”, tha Meta./ATSH