Tirana dhe suprizat e saj
Nga Jani Malo
1. Tirana është rraskapitëse për t’u përshkuar me këmbë, por e pakalueshme me makinë.
2.Qyteti ka shumë korsi biçikletash, ku zakonisht kalojnë kalimtarët, ndërsa biçiklistët dhe përdoruesit e skuterave i provojnë aftësitë e tyre penetruese midis makinave.
3.Edhe pse ka një rrugë që njihet si ‘Rruga e Trenit’, mos u tregoni të pasjellshëm duke kërkuar doemos trenin. Të paktën jini të lumtur derisa nuk ju kërkon njeri biletën e trenit.
4.Nëpër linjat e autobusëve urbanë, edhe prova e ngjeshjes, edhe shpejtësia e vogël e lëvizjes për të shijuar qytetin, nuk janë gjë para kënaqësisë që do të merrni kur të mësoni se si përdoren ende bileta të kohës së socializmit.
5.Mos u habisni nëse vëreni se qentë janë më të kujdesshëm nga njerëzit kur kalojnë nga njëra anë e rrugës në tjetrën. Kjo ndodh se njerëzit, veç mendjes, kanë humbur edhe instinktin.
6.Mos u mundoni të shihni Malin e Dajtit nga kulla e Sahatit të Tiranës, por kënaquni kur Kullën e Sahatit ta shihni vetëm pasi të jeni ngjitur në Malin e Dajtit.
7.Nëpër rrugët e qytetit shiten zarzavate të ardhura nga Ndroqi, ndërsa në Ndroq zarzavatet shkojnë nga Tirana.
8.Edhe pse Tirana komandohet nga autoriteti i padukshëm i kaosit, është përgjithësisht një qytet i qetë. Tollovia e tallavasë nëpër bare dhe gurgulea e grumbujve me burra namusqarë që luajnë domino nëpër lulishte janë përjashtime që vetëm e shtojnë adrenalinën.
9.Nëpër bare zakonisht flitet me zë të lartë dhe kryefjala e çdo tavoline është korrupsioni, shenjë kjo e një ndjeshmërie dhe e një sinqeriteti të përkorë, ku edhe ai që vidhet edhe ai që vjedh e bëjnë njëlloj fërtele hajdutërinë.
10.Falë arkitektëve të shumtë qyteti nuk ka fare arkitekturë. Grumbujt e pallateve të lënë përshtypjen se qyteti nuk ndërtohet nga ndërtues, por nga ca urithë të çuditshëm që nuk gërryejnë tokën për flori, por e gjejnë arin e tyre duke gërvishtur qiellin.
11.Të gjitha pallatet e vjetra i kanë fasadat të lyera me lajle-lule si për të vërtetuar se ideatori i kësaj vepre arti ishte një piktor. Mbase po të qe skulptor do merrej edhe me anët e tjera të pallateve.
12.Ndryshe nga qytetet e tjera të Shqipërisë, që po japin shpirt nga shpopullimi, Tirana merr frymë me gulçe. Njerëzit lëvizin në një pështjellim të lagësht pasigurie dhe në përballjen me ta nuk do e keni të vështirë të vëreni se dëshpërimi gati është ndryshkur në fytyrat e tyre.
ObserverKult
————————-
Lexo edhe: