14 Shkurti një mashtrim njerëzor

– A duhet të presësh një vit për të shprehur dashurinë ?!…

Nga Shefqet Meko

Mos i besoni përrallave të 14 Shkurtit. Shën Valentini ishte një prift i marrë dhe unë nuk dua “t’i jap me qira” ndjesitë e mia… Është një sajesë “për të bërë para”. Nuk ka mundësi që njeriu që dashuron të presë datën 14 shkurt për ta shprehur dhe glorifikuar dashurinë e vet. Thjesht është një mashtrim i madh njerëzor. E pse duhet lavdëruar një ditë, kur njeriu ka shansin e madh të dashurohet çdo sekondë të ekzistencë së tij?…

Shumë njerëz, në marrinë e qelqeve të kohës, vërshojnë me lot, lule, momente, drithërma dhe tërë lavde për një ditë që është “Si ditët e tjera”… Qetësohuni njerëz. Nëse nuk keni provuar dashurinë dhe ëmbëlsinë e saj në 365 ditë, përse ju duhet ky 14 shkurti i viteve të shkuara? Për modë? Sepse kështu “Bën bota’’’?Më falni, ju jeni viktimë e qelqeve dhe pallavrave. Unë nuk dua të jetoj 365 ditë për një ditë”…

Dashuria është paqe me atë që jeton. Është mirëkuptim me atë që ke pranë. Puthje me atë që do dhe nuk ka kurrë nevojë për një orë apo ditë si kjo…

Unë nuk kam nevojë të blej lule sot të shpreh dashurinë për atë që dua. Dashuria ime është “çështje private” që juve nuk ju intereson. Unë bëhem interesant për JU vetëm kur “shkreh pushkë” mbi dashurinë time, gjë që nuk do ta dëgjoni kurrë për sa kohë jam gjallë…

Kjo është një ditë mashtruese për ata që nuk kanë dashuruar kurrë. Unë kam dashuruar. Unë jam zhgënjyer nga dashuria ndaj nuk festoj sot me turmat e harbuara që nuk e kanë idenë e dashurisë. Ajo nuk është “tufë lule”, as “Puthje e zjarrtë”, as “seks pa kufi”… Dashuria është mbi të gjitha paqe dhe mirëkuptim. Sherbim dhe i shërbyer. I puthur dhe i ledhatuar, I përkëdhelur në lëngatat e mundshme dhe i puthur çdo mëngjes që sjell dritë në shtrat…

Harlisjet e sotme janë thjesht një hipokrizi si fjalimet e politikanëve amerikanë në Senat apo Kongres.
Njerëz, dashuria është dhunti e përditshme, jo një “herë në hënë”…
Të dashuruar qofshi përditë, si mua që nuk më duhet 14 Shkurti për të kujtuar se “Jam i dashuruar”.
Puthje dhe paqe me atë që jeton. Kaq e thjeshtë kjo ditë….

ObserverKult


Lexo edhe:

SABRI HAMITI: PSE DUHET TË FSHEHET DASHURIA?