Saimir Pirgu shkëlqen në Palermo
“Eugene Onegin”, vepra më e famshme e repertorit rus është rikthyer në sallën e Teatrit të Operas dhe Baletit në Palermo pas 24 vitesh. Shtëpia e artit Massimo Vittorio Emanuele mirëpriti një kast të shkëlqyer sopranosh dhe tenorësh. Ata çelën më 19 maj siparin e natës së parë të veprës ruse.
Tenori shqiptar Saimir Pirgu është pjesë e këtij kasti, me një ndër rolet kryesore. Ai interpreton romantikun Vladimir Lenskij të cilin e veshi mjeshtërisht për ta përçuar në zemrën e publikut Italian.
I njohur për diksionin e tij sa elegant aq edhe potent, interpretimi i Pirgut u shoqërua me ovacione dhe duartrokitje që zgjatën për më shumë se 15 minuta.
Me një axhendë tejet të ngjeshur, në teatrot më prestigjozë në botë Saimir Pirgu vijon të magjeps publikun anekënd globit.
“Qielli është limiti i tij”; ka qenë një prej vlerësimeve që artistit shqiptar i kanë bërë kritikët e The New York Sun. Këto 15 minuta duatrokitje pa ndërprerje për virtuozin shqiptar, e dëshmojnë këtë.
Nën drejtimin e Omer Meir Wellber i cili është një interpretues i jashtëzakonshëm i Çajkovskit, publiku në sallë ka shijuar këtë spektakël klasik. Për rreth 190 minuta artdashësit përjetuan emocione drithëruese nga interpretuesit në tri aktet e veprës.
Eugene Onegin i Pushkinit është operë lirike, së cilës Çajkovski i shtoi muzikë të natyrës dramatike.
Opera “Eugenij Onegin” u interpretua për herë të parë në Moskë më 29 mars 1878. Në Teatrin e Operas dhe Baletit në Palermo do të shfaqet edhe në datat, 21, 21, 24 dhe 25 Maj.
ObserverKult
Kliko edhe: