Nga Kozeta Kurti
Sot, më 20 gusht, 19 vjet nga ikja e Dorit.
Me siguri mund të jesh duke qeshur: kush është kjo që më flet me kaq shumë koefidencë? 😊
Epo ja që ti s’ke nga ta dish, që ndërsa ndiqja shkollën e mesme në vitin e trishtë 1997, ti më mësove, frymëzove të shkruaj!
Më kujtohet një episod: Kisha marrë nga Biblioteka e qytetit librin “Prostituta” dhe po e lexoja në plazh, nga i cili ngrihesha gjithmonë shumë më shpejt se shokët dhe shoqet, pasi duhej të kapja transmetimin e programit në radio. Pasi eca në rërë, drejt stacionit, u kujtova se harrova librin. Meqë përtova të kthehem, ngrita tërë plazhin në këmbë duke thirrur: “Geeeeeeeeert, ma sill pak “Prostitutën” se e harrova tek çadra. 🙈
Pastaj erdha në fakultet dhe aty njoha një shok, i cili më dërgonte mesazhe aq të bukura, sa unë i mbaja shënim në një bllok të veçantë. Midis tyre kishte pa fund copëza nga veprat e tua. E ruaj edhe sot midis kujtimeve të mia të vyera personale.
Pastaj… kush do e mendonte që zonja jote e bukur do të mirëpriste një telefonatë timen nga Radio Tirana, nëpërmjet valëve të së cilës, i dhurova intepretimin e “Xhulit”, me anë të një miku të shtrenjtë, aktor.
Dhe sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, yt vëlla Iliri, më ka mbështetur mua në çdo sipërmarrje timen artistike, sidomos në të fundit mbi kolonat zanore të filmave shqiptarë, ku Iliri zbrazi arkivën e kujtimeve të së ndjerës, nënës suaj.
Vetëm disa ditë më parë më dhuroi “ Si breshka në shpinë mbaj një varr”.
Një ditë, jam e sigurtë që unë do ta kthej borxhin moral të kontributit që ti, pa e ditur, ke tek unë.
E justifikova koefidencën?
Teodor Keko, mbetsh i paharruar, në rreshta e vargje, në kujtime e përjetime!
LEXO EDHE: Teodor Keko: Unë ‘Ai’, Ti ‘Ajo’