1912/ Një përmetar hap shkollën e parë shqipe në Mat

Nëse ju përmend Përmetin, nga vendi ku jeni të ulur do ju zhvendosja midis Nëmërçkës-Dhëmbelit dhe Trebeshinës, ekzakt në juglindjen e Shqipërisë. Po nëse ju përmend Lisin?

Atëherë do të duhet të më ndiqni drejt Veriut të Shqipërisë, sepse jemi mbi Shkumbinin, ose më në qendër sepse do jemi më afër Tiranës. Do të shkojmë, në Mat. Më lejoni të ngushtoj rrezen gjeografike dhe kuptoni që jemi jo larg qytetit të Burrelit, dhe vetëm pak kilometra më në periferi kemi mbërritur në destinacion.
Pse Përmeti? Pse Lisi? Dua t’ju njoh me një institucion arsimi, një personazh dhe një histori.

Pas 107-viteve, unë gjendem përballë një godine të rikonstruktuar, kushedi sa herë, por duke mbajtur në themelet e saj të njëjtin emër rilindasi, do ta kisha konsideruar.
Abdurrahman Përmeti (Toska), është personazhi i historisë që do të lidhte këto dy vende.
Nëse ne sot flasim një gjuhë unike, dhe ruajmë një alfabet, u detyrohemi trashëgimtarëve të tillë.

Në gjirin e një familjeje patriotike u rrit dhe Abdurrahmani, që prej 1 shtatorit të 1880-ës, kur lindi. I detyruar të arsimohej në gjuhën turqishte, në këtë mënyrë e kreu dhe shkollë fillore për t’i hapur rrugë më vonë një udhëtimi të gjatë e të përjetshëm larg Përmetit.
Sot, shoh fotografinë e tij në këndin më të rëndësishëm të shkollës dhe kuptoj që njeriu me veprat e tij duke kapërcyer interesat vetjake, e duke menduar e vepruar më shumë për ato me përmasa kombëtare mbetet gjithnjë në kujtesën e popullit. Mbetet pikërisht në qoshen më të nderuar, në panteonin e vendit të tij. Pas faljes së jetës, nuk e di nëse ka ende një mision me kontribut më të lartë se mësimdhënia, për më tepër t’i mësosh kombit tënd, gjuhën e tij.

Në keni dëgjuar për heronjtë e penës, i nderuari arsimtar ishte i tillë.
Nuk mund të njihja historinë e plot një shekulli më parë, e nëse do duhet të njohësh Abdurrahmanin, duhet të kishe jetuar dhe fundin e dy shekujve më herët.
Sigurisht, bashkëkohësit e tij janë shuar bashkë me të, por ku më saktë se në familje rrjedh historia e qartë.
Vokërr Sulkurti, është djali i një prej vajzave të Abdurrahmanit, gjaku i tij.., nipi.
Vokrri më konfirmoi historinë me të cilën isha njohur përmes historianëve, shkrimeve dhe historitë nga populli.
Me rrëfimin e tij u ktheva edhe unë rreth 130 vite më parë, në fshatin Delvinë të Shqerisë së Përmetit, midis dy lagjeve: asaj të krishterëve dhe asaj të myslimanëve, aty ku i ati i Abdurrahmanit rriti të birin dhe e edukoi me ndjenjën e atdhedashurisë.
Bashkëshortja e Vokrrit më kishte ofruar disa ëmbëlsira, nga ana tjetër shikoja se si ai po përpiqej të kujtonte biseda prej gjyshit të tij.
Aq sa mund të kthehej pas në kohë, pasi sot Vokrri është një arsimtar pensionist dhe Abdurrahmanin mund ta njihte vetëm për 23 vite, kur ai u nda nga kjo botë.
Herë pas here ndalon dhe kapërcen nga një kujtim në tjetrin, çfarëdo që i vjen ndërmend.
Njëherë po më tregonte se si gjatë bisedave të tyre e mësonte siç kishte bërë i ati me të kur në kohën e robërisë turke i kujtonte se njeriu ka detyrimin të punojë dhe për kombin e tij.
Kur atëherë, ish-perandoria turke nuk lejonte lëvrimin e gjuhës shqipe, pleqtë e mençur të asokohe mbronin fort të tyren si atdhetarë të flaktë të shqiptarizmës, e pse të mos e bënin dhe pasardhësit.

Aty u ngjiz gjithçka. “Për tu bërë hero, kërkohet një çast, e për tu bërë njeri i mirë e me vlera për kombin kërkohet një jetë”, Abdurrahmani duket se zgjodhi këtë të dytën.
Me njohjet e të atit ai zhvendoset në Stamboll, ku u njoh me mjaft patriotë e midis tyre me krenari Vokrri veçon vëllezërit Frashëri. I veçon ata sepse edhe vetë Abdurrahmani e kishte treguar shpeshherë mirënjohjen që ruante prej tyre, rolin që kishin luajtur në ndërtimin e personalitetit të tij.

Madje, ai kishte treguar se i ishte dhënë rasti edhe të merrte pjesë në varrimin e Samiut, “ajo ishte ditë e zezë” kujtonte.
Abdurrahman Përmeti dhe Murat Çipi, këtu nisi lidhja e parë e përmetarit me matjanin, atje në Stamboll. I pari shpërndante libra e gazeta shqip…, i dyti duhan…, të dy fshehurazi.
Atëherë kur dukej se fati ishte në anën e tyre, autoritetet turke i gjurmuan dhe i destinuan drejt burgut të Janinës.
Njëjtë, si në skenaret e produksioneve filmike sot, atëherë, kur s’ta priste mendja, në përpjekje të vazhdueshme, ai kishte mundur t’u shpëtonte rojeve e paskëtaj përfundoi në shtëpinë e arbëreshëve të Kardhisë, ku mësohet se qëndroi rreth dy vite, në fshehtësi, por edhe duke punuar.
Ndonëse me kujtime pak të sforcuara, nipi i tij vazhdon e më rrëfen, e në këtë moment vështrova një hije të qeshure. Menjëherë, u veshëm sërish me hijen e rilindasve e po më tregonte se fituan xhonturqit dhe po rikujtoja se kësisoj me regjimin e ri u hartua dhe një amnisti për të burgosurit dhe të përndjekurit. U duk se këtu gjërat po merrnin drejtimin e duhur. Pa humbur kohë, Abdurrahmani u lidh me shoqërinë ‘Drita’ të Stambollit, ku u kthye sërish për të hapur një shkollë shqipe në fshehtësi mu në zemër të Perandorisë.
Pas Stambollit, shoqëria “Drita” e dërgoi Abdurrahmanin në Selanik. Jo rastësisht, por edhe atje u arrit çelja e një shkolle fillore shqipe.

Dhe pas saj, sërish shoqëria “Drita” e nisi drejt Shqipërisë me misionin e madh, çeljen e një tjetër shkolle shqipe.
Vokrri thekson se për këtë fakt ai fliste me pasion edhe në çastet e fundit të jetës së tij.
Abdurrahmani mbërriti në Lis të Matit nga mesi i shtatorit të 1908-ës, dhe sipas dokumenteve që gjenden në muzeun historik të Burrelit ai erdhi i ngarkuar për përhapjen e gjuhës shqipe në Mat, por duke mbajtur postin e një nëpunësi kadastre.

Me mbërritje e tij në Mat u paraqit në familjen Zogolli, ku u mësonte alfabetin dhe gjuhën shqipe motrave të Ahmet Zogut.
Pas kësaj, Vokrri më çoi menjëherë në 1912-ën. U ngrit një flamur në Vlorë më 28 Nëntor. U ngrit dhe një në Mat. Atij iu dërgua një flamur kombëtar që të ngrihej në sarajet e Zogollëve në Burgajet, por aty nuk mundën. Si nën zë, Vokrri më rrëfeu se kishte disa tentativa për ta vrarë. Në këtë mënyrë, fjala mori dhënë, fshatarët u mblodhën, flamuri u valëvit në xhaminë e Lisit, dhe në nëntor të atij viti u çel edhe shkolla e parë shqipe në rrethin e Matit.
Por, megjithatë kjo datë shënon vetëm çeljen, pasi hapja kokrete thuhej të ishte 1 muaj më vonë, më 17 dhjetor të 1912-ës.

Me 10-12 nxënës para tij, me mjedis jo në gjendje të mirë, orendi dhe tekste që mugonin, Abdurrahmani ia kishte dalë. Fjalët përpiheshin.
-“Por që u çel, u çel në nëntor”, përsërit Vokrri. “Et’hem Bërhami ishte nxënës i tij dhe për ta përjetsu kët’ ngjarje ai kishte recitu edhe disa vargje kur është ngrit flamuri.”
Duke qeshur përmend edhe një nga shakatë që Abdurrahmani bënte mbi hapjen e shkollës. Kur e dëgjova s’dija ç’të bëja, ta ndjeja si pendim të tijin apo thjeshtë të qeshja me të. Sipërfaqësisht e qeshura e Vokrrit më impononte vetëm shakanë.
Lisi asokohe ishte kryeqendër e Matit, ku qëndronte paria, udhëheqja, rrjedhimisht për këtë arsye u hap aty edhe shkolla, por ai shprehej: “ta kisha ditur se kryeqendra do zhvendosej në Burrel, s’e kisha hapur këtu.”
Sigurisht çdo etapë e historisë ka prekur rëndë ose jo edhe veprimtarinë e tij. Ajo çfarë ai ishte përpjekur të sillte në mat ishte heroizëm, dhe të tillë njerëz gjithnjë sulmohen. Edhe tradhëtia e njohur për shqiptarët anekënd e Esat Pashë Toptanit, la gjurmë jo pak në veprimtarinë e tij. Ai kishte mbledhur jo pak, por 2000 matjanë, la shkollën dhe u nis për çlirimin e krahinave në Veri nga pushtimi serbo-malazez. Kur u kthye, funksionin e arsimtarit iu desh ta ushtronte diku tjetër, tashmë midis Lisit dhe Burgajetit.
Rryma e hapjes së shkollave atëherë përfshiu edhe shumë fshatra të tjerë, dhe Mati nis të futet në udhën e dijes.

Pastaj e hoqën prapë.
“Merret me aktivitet politik të rrezikshëm”, e duke i shkëputur kështu edhe një pension modest.
Më 1920 rezulton një letër ku vetë Abdurrahmani i shkruan Ministrit të Arsimit, patriotit Luigj Gurakuqi, ku i kërkon një drejtor për shkollën në Lis pasi numri i mësuesve kishte mbërritur në 5.
Në Mat ishin 5 shkolla, mësuesit e të cilave, secili prej tyre e kishte mësuar gjuhën shqipe nga vetë Abdurrahmani, dhe numri i nxënësve kishte mërritur në 209 gjithsej. Në 1922-in u vendos si kryemësues i tyre dhe vijoi të jepte mësim deri më moshën 54-vjeçare, përkatësisht deri në 1934-ën ku doli përfundimisht jashtë kuadrit si mësues. Së paku, kështu do të shkruante Dilaver Kurti, por nëse do kthehemi tek rrëfimi i Vokrrit, Abdurrahmani u largua në 1936-ën.
Duke jetuar në Mat për rreth 63-vite ai u bë model i familjeve matjane ende më shumë se vendalijtë. Në rrëfimin e Vokrrit kuptohet se po flet për një familje fisnike, përmend edhe gjyshen e tij, përkatësisht bashkëshorten e Abdurrahmanit, Hamiden, me të cilën lindi 3 fëmijë.

Ishte koha ta sillnim tani në vëmendje një pasazh nga rrëfimet për Abdurrahmanin. Kujtoj se në fillimet e para ai u ul më odën e familjes së zogut, e pas gjithë sakrificave, secili prej atyre që e njeh historinë e tij, nga larg apo më nga afër, është i zhgënjyer me qeverinë e zogut më së shumti e cila nuk tregoi asnjë kujdes apo vëmendje për të. Vokrri, sot ishte pensioist, por më herët edhe ai ushtronte misionin e arsimtarit, dhe e kuptonte mjaft mirë se veç sadifaksionit moral që merr prej nxënësve, duke i parë të rriten si diej me dije, nuk mjafton, pa fyer asnjë prej sakrificave, më mos drejtpërdrejt, me shprehi të tërthorta ai po e shprehte se evojitet edhe një shpërblim material. Përmeti punonte më shumë pa rrogë se sa pagë si punonjës, kështu shprehej i keqardhur dhe ajo rrudhje balli mbante pak dhimbje, pak inatosje. Por, kështu funksionon për pishtarët. Ata sakrifikohen. Megjithatë, me anë të një dokumenti, i cili daton në vitin 1962, marrim vesh se Abdurrahmani ishte ftuar të merrte pjesë në festimet e 50-vjetorit të Pavarësisë, ku dhe u dekorua nga ish-Presidiumi i Kuvendit Popullor të asaj kohe me Urdhrin e Punës së Klasit të Parë, duke i lidhur më në fund edhe një pension të merituar.

Siç tregonte veterani Et’hem Bërhami: “Sytë i ndrisnin nga gëzimi. Fizionomia e tij e plakur dhe e dobët, dukej e rinuar. Shallin e kuq që i dhuruan në Vlorë e mbante vazhdimisht në qafë dhe krenohej me të”.
Por, nuk ishte kjo arsyeja pse ai shkriu gjithë jetën e tij biologjike në Mat.
Vetëm në vitin 2004, me vendimin e Bashkisë Burrel, shkollës së fshatit Lis iu vendos emri “Abdurrahman Taip Përmeti”.
Kur e pyes Vokrrin si e kishte parë ai figurën e tij, jo si kishte dëgjuar rrëfimet e tij, por çfarë kishte krijuar ai si imazh pas gjithë atyre. E ndjeva menjeherë krearinë që i përshkoi të gjithë shtatin.

Heshti pak, a thua po kujtohej për diçka dhe më tha: “unë mahnitesha pranë tij, ai kishte padyshim njohuri shumë të sakta për gjuhën shqipe, por edhe për gjeografinë. Nuk e di çfarë shkolle kishte bërë ai atje në Turqi, por mund të mos pushonte për ditë me radhë duke të të treguar për botën. A thua njihte çdo ishull, çdo cep toke. Sa herë organizoheshin festa, njerëzit mezi prisnin të çohej Abdurrahmani. Ishte një valltar i jashtëzakonshëm. Sidomos në këngët e jugut.”
Abdurrahman Taip Përmeti u nda nga jeta më 7 shkurt të vitit 1971, në moshën 91-vjeçare, më Lis të Matit.

***

P. S. Doja ta ndaja sot, duke parë trishtimin e kaq shumë njerëzve për lajmin e prishjes së strukturës së gjimnazit Sami Frashëri.

/Bionelda Skonja