Kur George Orwell e shkroi romanin “1984”, diktaturat kishin nënshtruar lindjen e Evropës.
Propaganda, mbikëqyrja, dhuna, terrori, shtrembërimet e se vërtetës apo edhe censura që vijnë përmes një vepre si paralajmërim për njeriun, e kthyen atë shumë shpejt në një doracak për totalitarizmin.
Përkthyesi i veprës në shqip për botimet “Pegi”, Sokol Çunga thotë se romani është “një manual huliganizmi, proteste e dashurie. Secili mund të gjejë veten në këtë libër. Unë do të thosha që ‘1984’ është dalje e njeriut nga forma e tij e natyrshme”.
Duke akuzuar rolin e shtetit, atë të pushtetit, manipulimin përmes medias edhe të vetë historisë, survejimin si formë dhune dhe dhunën si formë e ruajtjes se pushtetit, deri ne detyrimin e individit të humbë ndërgjegjen dhe të dashurojë të urryeshmen, ai është cilësuar si roman distopik. 70 vite më vonë, duket se shumëçka ka ndodhur tashmë.
Çunga thotë se tanimë “romani nuk është edhe aq distopik. Ka qenë profetik dhe diktaturat vunë në jetë shumë pjesë të romanit”.
Njerëz që zhduken, që ju lexohen mendimet, njerëz që kanë humbur të drejtën të mendojnë, të gjykojnë, të duan a të urrejnë, njerëz nën presion dhe të denoncuar nga vetë fëmijët e tyre, njerëz që nuk mund të dashurojnë as të duan përtej kornizave të Vëllait të madh, njerëz që tashmë nuk kanë as fjalët për të shprehur mërinë. 1984 sjell rrëzimin e individit dhe çdo grimcë njerëzore në të./BW