
Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka inspektuar punimet restauruese në dy objekte të rëndësishme të trashëgimisë kulturore islame: Xhaminë e Sudi Efendisë në Prishtinë dhe Xhaminë e Mulla Vesel Gutës në Ferizaj.
Vizita u zhvillua bashkë me Kryeimamin e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Vedat ef. Sahiti, dhe zyrtarë të tjerë të institucionit.
Sipas Çekut, restaurimi i këtyre objekteve po zhvillohet me kujdes të shtuar për të ruajtur vlerat e tyre historike, arkitekturore dhe shpirtërore, ndërsa theksoi se rikthimi i tyre në funksion do t’i shërbejë komunitetit dhe trashëgimisë kulturore të vendit.
Për Xhaminë e Mulla Vesel Gutës në Ferizaj, Ministria ka ndarë 1.5 milion euro, ndërsa 600 mijë euro janë alokuar për restaurimin e Xhamisë së Sudi Efendisë në Prishtinë.
“Të dy projektet po realizohen në bashkëpunim të ngushtë me Bashkësinë Islame të Kosovës, si pjesë e përpjekjeve tona të vazhdueshme për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore islame në gjithë vendin”, deklaroi Çeku.
Punimet në të dy objektet pritet të vazhdojnë deri në përfundimin e plotë të restaurimit, ndërsa Ministria e Kulturës ka paralajmëruar se projekte të tjera të ngjashme do të mbështeten edhe në komuna të tjera në muajt në vijim.
ObserverKult
Lexo edhe:
MISTERI I PLLAKËS SË BASHPLEMIT! A FSHEH GJURMËT E NJË GJUHE TË HUMBUR TË KAUKAZIT






