Nga Gëzim Kabashi
Në ujrat tona detare ndodhen mbi 60 anije, të mbytura në veprimet ushtarake gjatë dy Luftrave Botërore, por edhe në periudhën pas Luftës së Ftohtë.
Aktualisht ato nuk mund të kthehen në objekte atraksioni nënujor për zhytësit e pasionuar për shkak të konventave ndërkombëtare, por edhe për mungesë të koordinimit mes institucioneve shqiptare.
Disa prej tyre në 20 vitet e fundit janë bërë pre e zhytësve grabitës, që të ndihmuar edhe nga indiferenca e shtetit i kanë kthyer mjetet lundruese me vlera historike të rëndësishme thuajse në hekurishte.
“Ne synojmë përmirësimin e legjislacionit aktual që rregullon kompetencat dhe përgjegjësitë e zbulimit, ruajtjes dhe konservimit të objekteve që i përkasin të trashëgimisë sonë kulturore në det,” tha për BIRN zv. komandanti i Forcës sonë Detare, Artur Meçollari, me nismën e të cilit u organizua në Durrës ditën e premte Takimi i parë Koordinativ me përfaqësues të ministrive e institucioneve të linjës mbi trashëgiminë nënujore detare.
Sipas Meçollarit, nga 64 anijet e mbytura përballë brigjeve shqiptare pjesa më e madhe i përkasin dy luftrave botërore, viteve 1914-1918 dhe 1939-1945, ndërsa 19 të tjera, janë anije të Flotës sonë Detare ushtarake gjatë Luftës së Ftohtë, që u fundosën për shkaqe të ndryshme pas viteve 1990.
Konventat e fundit ndërkombëtare UNCLOS III, ku aderon edhe vendi ynë kanë përcaktuar një periudhë 100-vjeçare, gjatë së cilës të drejtat mbi anijet e mbytura i kanë së bashku, si shteti i flamurit të mjetit lundrues dhe vendi të cilit i përkasin ujrat detare ku anija ndodhet.
Tradita detare dhe e drejta zakonore e konsiderojnë detyrim human respektin ndaj anijeve të mbytura, të cilat shpesh herë quhen varreza njerëzore me një lidhje të veçantë shpirtërore me shtetin e flamurit.
Sipas arkeologut nënujor Adrian Anastasi, kontribues i palës shqiptare në hartimin e Konventës së vitit 2008, gjatë dy dekadave të fundit nën ujë ka vepruar ligësia e grabitësve dhe jo ligji.
Anastasi jep shembullin e eksplorimit të pakontrolluar të kryqëzorit “Lika” në gjiun e Durrësit p.sh., apo destrojerit “Intrepido” dhe anijes spitalore “Po” në Vlorë, të cilët kanë sjellë dëmtime të rënda të vlerave historike të tyre. Kjo ka ndodhur edhe kur zhytës të huaj kanë ndërhyrë në anijet e mbytura pas marrëveshjeve me palën shqiptare.
Duke iu referuar 26 anijeve të mbytura prej një shekulli në periudhën e Luftës së Parë Botërore, dr. Anastasi shton se nuk duhet të spekullohet me kalimin e periudhës 100-vjeçare nën ujë.
“Megjithë të drejtat mbi këto anije mbarojnë, ato nuk duhet të lëvizen nga vendi pa përfunduar procesi studimor “in situ”, që do të dëshmojë vlerat e vërteta dhe historikun e mjetit lundrues,” tha ai.
Ndërkaq, vendndodhjet e objekteve mijëvjeçare me rëndësi arkeologjike nën det janë përjashtuar nga hartat e përpiluara nga Forca Detare për të shmangur abuzimet e rënda që kanë ndodhur më parë në ujërat territoriale përballë qyteteve bregdetare.
Dr. Ilir Çapuni ka ardhur nga Ulqini për të ndjekur takimin koordinativ për trashëgiminë nënujore, dhe përvoja e tij si zhytës profesionist në ekspedita kombëtare dhe ndërkombëtare pritet me interes nga pjesmarrësit. Ai ndan të njejtin mendim me kolegun nga Durrësi për rëndësinë shkencore të studimit , por nënvizon edhe nevojën e ngutshme për një Muze Kombëtar të Detarisë.
“Kroacia vitet e fundit ka hapur katër muze të detarisë në po kaq qytete, ndërsa ka nxjerrë mbi ujë një pjesë të anijeve të mbytura pranë brigjeve të saj,” tha Ilir Çapuni.
“I mjaftoi një moratorium 2-vjeçar si dhe pjesmarrja në projektet të mëdha ndërkombëtare për të krijuar një rrjet muzeal të panjohur më parë, mjaft tërheqës për turistët e huaj,” shtoi ai.
Zhytësi ulqinak nënvijëzoi se materiali që ndodhet ende nën ujë përballë brigjeve të Shqipërisë “mundëson hapjen e të paktën tre muzeve, madje edhe në Ulqin, të cilët duhet të dëshmojnë të vërtetën e traditës në fushën e detarisë që në kohën e ilirëve, por edhe atë të peshkimit.
“Fatkeqësisht në stendat e Muzeut të detarisë në Kotorr (Mali i Zi), ku janë vendosur edhe stendat e traditës ulqinake kuratorët e muzeit shkruajnë ende “anijet armike të shqiptarëve,” tha Çapuni, i cili është njëkohësisht edhe kryetar i Kuvendit Komunal të Ulqinit.
Gjet Ndoj, drejtor i drejtorisë së përgjithshme të politikave të zhvillimit të kulturës në Ministrinë e Kulturës u ndal te rëndësia e inventarizimit të objekteve të trashëgimisë që ndodhen nën ujë.
“Tashmë kemi një institut të regjistrimit të objekteve të trashëgimisë dhe ky regjistër kombëtar duhet të përmbajë “pasaportat” e mjeteve lundruese dhe objekteve të çdo lloji që janë të mbytur në 100 vitet e shkuara, por edhe ato më të hershme me vlera arkeologjike,” tha ai.
“Kjo do ta shtojë përgjegjësinë dhe do të rrisë bashkëpunimin mes institucioneve,” shtoi Ndoj, duke vlerësuar së tepërmi nismën e Forcës detare.
Muzealizimi i relikteve nën ujë apo në tokë vazhdon të jetë vetëm një dëshirë e mirë në një vend si i yni me rreth 6,200 kilometra katrorë det territorial dhe me hapësirë të përgjithshme detare prej 11 mijë kilometra katrore. Institucionet pranojnë se megjithë traditën e hershme ilire dhe shqiptare në këtë fushë, aktualisht në vendin tonë nuk ka një muze të mirëfilltë të detarisë.
Nëdetësja 105, siç u emërtua në filmin artistic “Ballë për ballë”, vazhdon të tërheqë vemendjen e brezit që erdhi në moshë gjatë regjimit komunist.
“Mjeti është restauruar dhe ndodhet në Bazën detare të Pasha Limanit, por bashkë me kushtet jo të mira të infrastrukturës rrugore vizitat në Bazë krijojnë problem për sigurinë. Pas një kontrate që i jep të drejtën e menaxhimit ministrisë së Kulturës, tashmë ajo po i kthehet përsëri Ministrisë së Mbrojtjes,” tha komandanti Meçollari, që të ardhmen e saj e sheh në Vlorë.
“Megjithë kostot e mëdha për transferimin dhe ekspozimin, ajo mund të jetë pjesë e rëndësishme e Muzeut të ardhshëm të Detarisë, shtoi ai.
Ai bëri të premten të njohur propozimin për ta kthyer ish-shkollën e Flotës Luftarake Detare në Vlorë në një Muze kombëtar ku mund të ekspozohet trashëgimia jonë detare 2-mijëvjeçare. Shkolla ka një sipërfaqe të përgjitshme prej 27 mijë metra katrorë, ndërsa sipërfaqja funskionale e saj arrin në 3,400 metra katrorë.
Pas përvojës pozitive të vitit 2001, kur në brigjet e Sarandës u krijua Parku i parë nënujor, ku u fundosën gjashtë anije ushtarake të dala jashtë inventarit, Komanda e Forcave detare propozoi të premten edhe krijimin e tre parqeve të tjerë në Radhimë, në kepin e Shën Janit (Karaburun) dhe në Kepin e Palit (Durrës). Sipas komandantit Meoçllari “thellësitë nga 20-25 metra i bëjnë ato mjaft joshëse për turistët, që mund të mbërrijnë lehtësisht me rrugë tokësore përballë parqeve.
Një park nënujor me anije që nuk krijojnë rreziqe dhe që shtojnë biodiversitetin në të njejtën kohë i adreson turistët e pasionuar larg anijeve me vlera dhe që mbrohen nga konventat ndërkombëtare.
Komandanti Artur Meçollari uron që ky takim koordinues të hapë rrugën e bashkëpunimit dhe të marrjes së përgjegjësive nga të gjitha palët.
Forca Detare ka detyrë të mbrojë trashëgiminë kulturore nënujore, por sipas oficerit me përvojë të gjatë në det gjithçka duhet ligjëruar, pasi kur vjen puna tek abuzimet, “nëse nuk është e shkruar, atëherë është e lejuar”./birn