Komunizmi në Shqipëri
Pyetja e parë që më bëri mua hetuesi në seancën e parë hetuesore ishte: “Ti je spiun i famshëm i Perëndimit, ashtu si Mata Hari. Na trego ore armik i poshtër veprimtarinë tënde agjenturore me Agjenturat e Fshehta të 17 Vendeve të Huaja Perëndimore dhe të Botës”.
Kjo për arsye se Sigurimi i Shtetit kishte dyshime të mëdha për takimet e mia me turistët e huaj gjatë 8 viteve dhe të korrespodencave të shumta postare me filatelista të vendeve të mësipërme. Sot ky hetues është i gjallë.
Gjatë kontrollit të shtëpisë tonë në Tiranë dhe të dollapit tim të hotelit në Qytetin e Burrelit, Sigurimi i Shtetit gjeti dhe mori Librat e Shenjtë të Biblës dhe të Kuranit në gjuhën angleze. Mori shumë libra dhe revista të vjetra angleze; disa fjalorë dhe blloqe me skica antenash moderne televizive. Nuk e kurseu pajisjen time elektronike televizive me dy tranzistorë dhe përforcuesin e sinjaleve televizive, etj”.
Të gjitha këto e të tjera ngjarje të jetës së tij, Sajmir Maloku i ka përmbledhur në një libër me titull “SI MBIJETOVA NE FERRIN KOMUNIST”. At përfshihet fëmijria, shkollimi, periudha e rinisë me jetën në Tiranën e fillimviteve ’70-të. Po ashtu kemi edhe ndjekjen dhe survejimin nga Sigurimi i Shtetit, diplomimi, emërimi si inxhinier ushtarak i Ndërlidhjes në një repart të Burrelit. Edhe arrestimin, gjyqin e demaskimin publik, hetuesinë, burgun etj. Pjesë të tyre ai i ka dhënë për botim ekskluzivisht për Memorie.al
Komunizimi si regjim në Shqipëri me në krye diktatorin Enver Hoxha, ka qenë diktatura më e urryer dhe më e egër në Evropë për 47 vite.
Brezi i ri i popullit shqiptar dhe i gjithë njerëzimi duhet të dijë se çfarë dënimesh të rënda shpirtërore, shëndetësore, psikike, morale, fizike, financiare, familjare e tjerë, si dhe torturat e tmerrshme që i bënte regjimi komunist të burgosurve politikë nëpër qelitë e policisë gjatë kohës së paraburgimit në godinat e Degëve të Punëve të Brendshme në të gjitha qytetet e vendit tonë.
Shumica e njerëzve të pafajshëm në vendin tonë kur arrestoheshin, internoheshin dhe dëboheshin, shpreheshin: “O Zot, çfarë kam bërë që u arrestova dhe ky ndëshkim paska qenë një fat i keq në jetë për mua dhe familjen time”?
“Bëni çfarë të doni me mua por familjen time ma lini të qetë”.
“Unë, viktimë e pafajshme e torturave të Sigurimit të Shtetit”
Viktimë e këtyre dënimeve dhe e torturave të tmerrshme të xhelatëve komunistë isha edhe unë, Saimir Maloku. Në qelinë time të nëndheshme për rreth 200 ditë unë provova vdekjen kur akoma nuk kisha vdekur.
I frymëzuar nga “Ditari i Anne Frank”, shkrova këto rrëfimet e mia, që sot më duken si një ëndërr, se si kam mbijetuar në ferrin komunist!
Nuk e besoja se Komunizmi i shndërronte njerëzit në “kafshë”, i rrihte si kafshët dhe i mbante të izoluar më keq se kafshët e egra të pyllit. Na ulnin personalitetin e dinjitetin tonë njerëzor duke na thënë: “Ti more qen i biri i qenit, je bërë si këlyshi i Imperializmit dhe i Perëndimit”.
E habitshme se këta komunistë, na shanin sikur ata vetë ishin mjekë të çmendur veterinerë…!? Gjithashtu, të gjitha aspiratat dhe ëndrrat e mia për të krijuar familje dhe të isha i lumtur në ato vite më të bukura të jetës time, u shuan si një meteor në qiell dhe u venitën si ajo lulja e mbetur pa ujë.
Lumturia ime në moshën më të bukur, atë të rinisë, m’u kthye në fatkeqësi. Në vend që unë të provoja dashurinë, provova dhunën e pashembullt mbi trupin tim. Në vend që unë të krijoja familje dhe të kisha në dorë unazën e martesës, m’u vendosën prangat metalike. Hija e pleqërisë më pushtoi rininë, sepse në kokën time më ra dëbora e keqe e Komunizmit, që i zbardhi flokët e mi të bukura me kaçurrela dhe të zinj.
Sëmundja famëkeqe e “Murtajës Komuniste” helmoi shpirtin tim të çiltër dhe të pastër dhe e transformoi si mos më keq fytyrën time djaloshare. Sikur të ishte fytyra e zbehtë e një njeriu të vdekur! Hera – herës nuk e kuptoja se ku banoja. Në botën e të gjallëve apo në botën e të vdekurve. Vetmia në qelinë e nëndheshme ishte diçka tepër e tmerrshme dhe e llahtarshme. Ky ishte ferri më i tmerrshëm komunist në botë. Vdekja kishte vlera shumë më të mëdha se jeta e njeriut, sepse shpëtoje nga vuajtjet e vazhdueshme. Lotët e gëzimit në sytë e mi m’u shndërruan në lot hidhërimi. Kisha një dëshirë të jashtëzakonshme të shikoja njerëz, kafshë dhe zogj, si dhe kopshte me lule edhe pyje plot gjelbërim dhe lumenj e përrenj. Dielli, hëna dhe qielli m’u zhdukën nga vështrimi im.
Komunizmi si djall zuri vendin e engjëllit në shpirtin dhe në zemrën time. Parajsa e jetës time u bë si një ferr apo skëterrë e mbushur plot me mistere dhe tmerre të pafundme e të pabesueshme. Shumë njerëz që unë i konsideroja miq, m’u bënë armiqtë e mi! Në vend që të isha i lirë dhe të shijoja jetën plot gaz dhe hare si çdo qytetar i Shqipërisë, më ndodhi e kundërta.
Në trupin dhe në shpirtin tim filluan vuajtjet e paimagjinueshme, si pasojë e torturave të tmerrshme të kriminelëve komunistë. Komunizmi më arrestoi mua dhe mjaft djem të rinj, pse baballarët tanë kishin mbaruar studimet në Shkollën Teknike Amerikane të Tiranës. Apo në vendet perëndimore. Sepse ne u edukuam me kulturën perëndimore dhe u brumosën me pikëpamjet antikomuniste dhe demokratike.
“Kryeministri Mehmet Shehu dha urdhër të arrestohesha si ‘armik i poshtër”
Kryeministri Mehmet Shehu dha urdhër që të arrestohesha menjëherë si armik i poshtër, në një kohë kur unë e doja popullin dhe isha tepër i shqetësuar për vuajtjet e tij. Shumë prej intelektualëve shqiptarë ishin me mendimin për t’u kthyer në atdhe. Të krijonin familje me gra e burra, me djem e me vajza virtuoze, mbasi përfunduan studimet në universitetet e Italisë, Francës, Gjermanisë, Amerikës, Anglisë dhe përfunduan në ferrin komunist.
Oficerët e Sigurimit të Shtetit na arrestuan ne fëmijët e këtyre prindërve intelektualë të mirëfilltë. Na torturuan, ashtu siç bëjnë zogjtë shtegtarë, që hanë dhe bëjnë copa-copa frutat më të pjekura dhe më të shijshme të pemëve. Koha tregoi se këta intelektualë të mësipërm dhe fëmijët e tyre, ishin ajka apo krenaria e inteligjencës properëndimore dhe më demokrate e Shqipërisë. Regjimi komunist, duke më mbajtur të vetmuar për afro 200 ditë në qelinë e nëndheshme dhe nën tortura e kondita nga më çnjerëzoret, kreu një ndër krimet më të rënda të historisë njerëzore.
Ky krim duhet të dënohet edhe sot e kësaj dite, sepse ishte një shkelje flagrante e Konventës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut kudo në botë.
Kjo sepse një pjesë e persekutorëve të mi komunistë janë akoma gjallë.
Ndofta në botë, si dhe njerëz të tjerë, theva normat e durimit njerëzor dhe të mjekësisë botërore, që shpëtova nga çmenduria dhe vdekja e sigurt.
Gjatë tre muajve të fundit, unë isha i izoluar totalisht nga shoqëria njerëzore. Më ndaluan të shihja rrezet e diellit dhe të mos ngopesha me ajër të pastër.
Trupi im nuk ishte prej hekuri apo prej çeliku, sepse do të ndryshkej dhe do të deformohej nga goditjet e torturave të tmerrshme. Aty në atë qeli të tmerrshme, e cila ishte dhe shpikja më e madhe eksperimentale e Sigurimit të Shtetit dhe të diktaturës komuniste, unë pashë botën e ferrit.
Pashë botën e djallit, botën e vetmisë, botën e kafshërisë, botën e çmendurisë. Botën e torturave, botën e urisë, botën e sëmundjeve, botën e krimit komunist, botën e uljes së dinjitetit njerëzor etj.
Unë isha i gatshëm që, tërë jetën time ta kaloja në burg përjetësisht, sesa ta kaloja këtë kalvar të tmerrshëm vuajtjesh në atë qeli të nëndheshme. Atje kam kujtimet më të mbrapshta të jetës.
Le të jetë ajo si muze së bashku me qelitë e tjera dhe ta shikojë brezi i ri dhe mbarë njerëzimi. Nostalgjikët e komunizmit, që janë të veshur me pushtet, do të përpiqen fshehurazi dhe në mënyrë të kamufluar ta shkatërrojnë atë për të zhdukur gjurmët e persekutimit më të egër komunist në vendin tonë.
Prandaj i lutem Trupit Diplomatik Perëndimor, Ambasadës të OSBE dhe Fondacionit Gjerman “Konrad Adenauer” në Tiranë, të ndërhyjnë pranë Qeverisë tone, për të realizuar këtë muze të bërë nga “Djalli Komunist”, ku kanë vdekur mjaft priftërinj dhe intelektualë.
“Ja cilat janë arsyet që unë e akuzoj regjimin komunist”
Ja cilat janë arsyet e mëposhtme që unë e akuzoj regjimin komunist, për këtë krim të përbindshëm e çnjerëzor që bënë ndaj meje.
Komunizmi më dënoi qysh pa dhënë Gjykata vendim për dënimin me vdekje. Nëpërmjet Sigurimit të Shtetit dhe Policisë Komuniste, kërkonte vdekjen time përmes kushteve tepër çnjerëzore ndaj meje dhe jetës time.
Këto metoda torturash çnjerëzore dhe barbare, as gjatë periudhës së Mesjetës nuk janë përdorur. Vendndodhja ime ishte tepër sekrete edhe tre muaj mbas gjyqit.
Komunizmi më cilësoi si një ndër armiqtë më të rrezikshëm të Shqipërisë, duke më torturuar në mënyrë tepër çnjerëzore, gjatë viteve më të bukura të rinisë time.
Ai më dënoi dhe ma bëri qelinë time të nëndheshme, sikur të ishte një arkivol apo sarkofag, ku djalli komunist vinte çdo ditë dhe më thoshte që të vdisja si armik i popullit dhe spiun i Perëndimit sepse: “Ke fyer Enver Hoxhën, heroin dhe Perëndinë e komunizmit dhe të socializmit”.
Këta barbarë më dënuan me 10 vjet burg, mbasi unë doja që populli shqiptar të mendonte i lirë, të fliste i lirë, të jetonte i lirë dhe të lëvizte i lirë e pse jo, edhe jashtë kufijve të vendit. Komunizmi më dënoi duke më shkëputur lidhjen me familjen time dhe i’a mbajti të fshehur për tre muaj vendndodhjen time pas gjyqit.
Cila ishte arsyeja që Sigurimi i Shtetit e mbante të fshehtë vendndodhjen time për një kohë të gjatë? Po plani kriminal i tyre?
Tani, mbas 43 vitesh, bazuar në dokumentet e hershme shtetërore të Sigurimit të Shtetit Komunist, zbulova se plani kriminal i tyre ishte dënimi im i dytë. Së bashku me babanë tim të paralizuar. Me vdekje si agjentë imagjinarë të Shërbimeve të Zbulimit Anglez apo Britanik.
Pra, komunizmi më dënoi personalitetin dhe dinjitetin tim, duke shpifur në popull, sikur isha i çmendur. Sepse, sipas tyre, kisha fyer rëndë engjëllin e komunizmit shqiptar – diktatorin Hoxha, i pagëzuar nga djalli Marksizëm Leninizmi.
Më dënoi komunizmi sepse unë kërkoja të isha me të drejta të plota edhe si çdo qytetar i Evropës dhe Shqipëria të ishte një vend i lirë dhe demokratik. Siç thash komunizmi më dënoi duke më rrahur, torturuar dhe goditur më keq se një kafshë e egër e pyllit. Kjo ngase nuk pranoja që isha spiun britanik dhe i Perëndimit. Sepse unë demaskova dhe i’u kundërvura diktatorit Hoxha dhe regjimit komunist, për krimet e tyre para popullit, si dhe lavdërova Perëndimin, kulturën dhe muzikën perëndimore.
Më dënoi mushkëritë që mezi ngopeshin me frymë, duke u sforcuar nga ajri i pakët, i ndotur e plot lagështi në atë qeli të nëndheshme. Kjo më shkaktoi ftohje dhe dëmtim të mushkërisë së djathtë.
Unë flija mbi dyshemenë e ftohtë, prej dërrase, tregon mes tjerash, Saimir Maloku.
Si pasojë, nga dëmtimi i rëndë i gojës dhe i dhëmbëve prej infeksioneve qelbi, e kisha të vështirë të haja ushqime edhe në të ardhmen.
Mbizotëronte pagjumësia, uria e tmerrshme, fyerjet nën kërcënimin e përdorimit të elektroshokut, të ftohtit të acartë, torturat psikologjike. Isha në pragun e çmendurisë njerëzore, etj.
Kjo më shkaktoi infeksione të shumta të lëkurës të shoqëruara me skuqje dhe me vatra qelbi.
Koha tregoi se unë kisha të drejtë.
Ishin persekutorët komunistë që kishin përgatitur “varrin tim të fshehtë të vdekjes”.
Kjo është arsyeja që fytyrat e persekutorëve të mi, nuk më hiqen nga mendja dhe nga shpirti im gjatë gjithë jetës. Ata gjithmonë më janë bërë dhe më duken si fytyra e djallit, që ka dërrmuar shpirtin tim. Më hapën një plagë të madhe dhe nuk ka ilaç në botë që ta shërojë atë.
Po kështu, janë me dhjetëra mijëra vetë, që patën fatin tim. Kjo sepse unë dhe të gjithë të persekutuarit politikë nuk lindëm që të vuajmë në këtë botë të qytetëruar dhe moderne./marrë me shkurtime nga memorie.al
ObserverKult
Lexo edhe: