21 gra shqiptare “rrëfejnë” historitë e tyre tronditëse, ja çka përjetuan në diktaturë

Historitë tronditëse dhe torturat nën regjimin komunist të 21 vajzave rrëfehen në filmin dokumentar ‘Fluturat’. Faktet dhe emocionet e tyre u përcollën nga intervistat e zhvilluara nga regjisori Bujar Alimani në Gradishtë dhe Savër të Lushnjës. Vajzat e Myzeqesë kërkojnë hapjen e dosjeve dhe publikimin e emrave të xhelatëve të diktaturës dhe autorëve të vuajtjeve të tyre.

Në Gradishtë e Savër të Lushnjës, ku pati qindra familje të internuara veçmas pas fundviteve ’60, regjisori Bujar Alimani përzgjedh 21 histori vajzash duke tentuar të rindërtojë hartën e vuajtjeve të diktaturës, përmes rrëfimeve të tyre. Filmi dokumentar “Fluturat” u shfaq në 85 minuta në kinema “Milenium”.

“Qëndrimi im është politik me këtë film dhe në thelb është ndjesa ime si qytetar i Republikës së Shqipërisë, për çfarë u ka ndodhur këtyre familjeve në 50 vjet masakër”, rrëfen regjisori Bujar Alimani.

Fëmijëria mes përçmimesh, lindja e jetesa në barakë, shkollimi e shëndetësia e mohuar, shtypja e talenteve, punët më të rënda që u ngarkoheshin e tentativa për t’u kapur pas një ëndrre, pas shpresës së diktatura një ditë do të binte.

“Në fakt unë doja një dokumentar që të ishte plot dritë, e këtë ta jep mosha e re”, rrëfen Alimani, duke theksuar se ka realizuar edhe regjistrime me ish-të përndjekur të moshës së tretë, ende të pashfaqura për publikun.

Ka prej fluturave që lindin me etërit në burg, të tjera që kujtojnë arrestimet, e takimet mes hekurave ku përpiqeshin të fshihnin mjerimin ku komunizmi i kish zhytur përmes një buzëqeshje. Apo më keq ato që jetuan pushkatimet e të afërmve. Rrëfimet janë tronditëse, por fajtorët lihen në hije… As kësaj here nuk ka emra konkretë, a një hulumtim të thelluar bazuar mbi fakte e dokumente, ndonëse filmi pati mbështetjen e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.

“Dokumentari  ka karakter historik, por është edhe artistik. Dokumentari nuk ka për qëllim të dënojë, por të zgjojë edhe të rizgjojë, por edhe të dokumentojë një pjesë të së vërtetës”, shprehet më tej.

Siç rrëfen regjisori intervistat realizohen nga vetë ai dhe është i pranishëm, kur disa prej “Fluturave” të mbijetuara rikthehen në kuadër të dokumentarit në vendin ku vuajtën.

“Endja e tyre në Gradishtë, ka qenë pak e hutuar. Ato i kishin lënë barakat të rregulluara të lyera dhe kthehen sot, pas kaq vitesh dhe shohin kallamat jashtë, mure të rënë, të shkatërruar, dhe kjo u jep një tjetër trishtim akoma më shumë. Do mundej, siç shprehen vetë ato që këto ish-kampe të ktheheshin në muze, në qendra pelegrinazhi”, rrëfen Alimani.

Kush prej tyre “ka fluturuar” jashtë atdheut nuk e mendon rikthimin, rrëfejnë me dhimbje se u dukej se “shtëpia” i kishte përzënë. Ndihet zhgënjimi që Shqipëria, nuk krijoi hapësirën për integrimin e tyre pas një kalvari të gjatë vuajtjesh, që ende shteti s’ka ditur  të mëkojë.

“Hapja e dosjeve duhet të kishte ndodhur shumë kohë më përpara, ose së paku duhet të ndodhi menjëherë. Duhet të hapen 100 për qind, një proces që të jetë i plotë, jo i pjesshëm a i njëanshëm, sepse këto bëhen pastaj pjesë e lojërave politike të ndryshme”, thotë regjisori.

Filmi Dokumentar “Fluturat”, është pjesë e nje cikli dokumentarësh që do të vijojnë, ndërsa regjisori Alimani rrëfen se do ta prezantojë edhe në festivale që mbahen për të drejtat e njeriut, të grave etj./shqiptarja.com

——————————

Lexo edhe:

KUR HETUESIA BËHEJ TE 15-KATËSHI: “DO TË HEDHIM ME KOKË POSHTË, SE NUK KA KUSH NA KËRKON LLOGARI…”

ObserverKult