Më 28 nëntor të vitit 1443, Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe forcat e tij çlirojnë Krujën dhe ngrenë flamurin kuq e zi.
Pasi kishte braktisur osmanët në betejën e Nishit më 3 nëntor, Skënderbeu, në krye të 300 kalorësve, u kthye në trojet e tij dhe u bë sundimtar i Krujës, duke ringjallur Principatën e Kastriotëve.
Sipas Marin Barletit: “Skënderbeu valëviti në Krujë me 28 nëntor 1443, për herë të parë në histori, flamurin kuq e zi dhe në kulmin e entuziazmit popullor të të pranishmëve tha: “lirinë mund ta kishit fituar me trimërinë tuaj edhe me një çlirimtar tjetër, se Arbërisë nuk i mungojnë burrat. Lirinë nuk jua solla unë po e gjeta këtu në mes tuaj. Armët nuk jua ngjesha unë, por ju gjeta të armatosur, lirinë e kishit kudo, në kraharor, në ballë, në shpatë dhe në ushtat”.
Fjalimi i Skënderbeut nxiti frymën atdhedashëse. Kryengritja çlirimtare u bë e përgjithshme. Gjatë dhjetorit, Shqipëria e Mesme dhe e Veriut u spastruan nga forcat osmane, u çliruan njëra pas tjetrës kështjellat e kësaj zone.
Shembulli i tij nxiti thuajse të gjithë princat shqiptarë të ngriheshin kundër sundimit osman; në përpjekje për bashkim forcash, më 2 mars 1444, Skënderbeu i thirri ata në Lezhë për një kuvend ku pavarësisht nga grindjet mes tyre, themeluan një bashkim, i njohur në histori si Lidhja shqiptare e Lezhës.
Fitorja e parë e Skënderbeut në krye të ushtrisë së Lidhjes ishte beteja e Torviollit më 1444, e cila shënoi fillimin e më shumë se 20 vjet luftë me perandorinë osmane. Forca e Skënderbeut arritën më shumë se 20 fitore në fushë-betejë dhe përballuan 3 rrethime të kështjellës së Krujës, që u udhëheqën nga vetë sulltanët.
Në vitin 1451, Skënderbeu pranon de jure sovranitetin e Mbretërisë së Napolit, duke nënshkruar Traktatin e Gaetas, për të siguruar një aleancë mbrojtëse ndaj osmanëve, megjithëse de facto ai mbeti sundimtar i pavarur.
Në vitin 1460-1461, Skënderbeu mori pjesë në luftërat civile të Italisë në përkrahje të Ferdinandit të Napolit.
Më 1463, ai u caktua komandant i përgjithshëm i forcave të kryqëzatës së shpallur nga Papa Pius II, por Papa vdiq ndërsa trupat ishin ende në procesin e grumbullimit, kështu që sipërmarrja u ndërpre. Së bashku me venedikasit, Skënderbeu luftoi në Luftën osmane – veneciane (1463-1479), deri në vdekjen e tij më 17 janar 1468.
ObserverKult
Lexo edhe: