Më shumë se 500 vjet përpara se të themelohej Universiteti i Oksfordit, në Universitetin Nalanda të Indisë studionin rreth 10.000 studentë.
Në botën e lashtë, konsiderohej një prej qendrave më të mëdha të të mësuarit. Por sot gjithçka që ka mbetur janë rrënojat me tulla të kuqe.
E themeluar në vitin 427 të erës sonë, Nalanda konsiderohet një nga universitetet e para në botë, shtëpia e nëntë milionë librave dhe mijëra studentëve nga e gjithë Azia Lindore dhe Qendrore.
Ata ndiqnin degët e mjekësisë, logjikës, matematikës dhe mbi të gjitha parimet budiste nga disa prej studiuesve më të nderuar të epokës.
Burimi i të gjitha njohurive
“Burimi i gjithë njohurive budiste që kemi, ka ardhur nga Nalanda”, është shprehur dikur Dalai Lama për këtë universitet.
Kurikulat akademike të këtij universiteti u bënë ndikuese dhe përcaktuese për shumëçka, jo vetëm në Indi, por edhe më gjerë.
Sistemi i lashtë mjekësor indian, i cili bazohet në metodat e shërimit nëpërmjet natyrës, mësohej gjerësisht në Nalanda dhe më pas u shpërnda në pjesë të tjera të Indisë.
Institucione të tjera budiste u frymëzuan nga dizajni i oborreve të hapura të kampusit, nga sallat e lutjeve dhe dhomat e leksioneve. Gjithashtu, një ilaç i prodhuar në këtë universitet u përhap në pak kohë në Tajlandë, ndërsa arti i përpunimit të metalit nisi të zbatohej në Tibet dhe gadishullin Malajan.
Megjithatë, trashëgimitë më të rëndësishme të Nalandës janë arritjet e saj në matematikë dhe astronomi.
Aryabhata, i konsideruar si babai i matematikës indiane, mendohet se ka drejtuar universitetin në shekullin e 6-të të erës sonë.
“Ne besojmë se Aryabhata ishte i pari që caktoi zeron si një shifër, një koncept revolucionar, i cili thjeshtoi llogaritjet matematikore dhe ndihmoi në evoluimin e rrugëve më komplekse si algjebra dhe llogaritja.
Pa zero, ne nuk do të kishim kompjuterë. Ai ishte gjithashtu i pari që ia atribuoi shkëlqimin e hënës dritës së reflektuar të diellit.”
Anuradha Mitra, profesoreshë e matematikës
Universiteti dërgonte rregullisht disa nga studiuesit dhe profesorët e tij më të mirë në vende si Kina, Korea, Japonia, Indonezia dhe Sri Lanka për të përhapur mësimet dhe filozofinë budiste.
Ky program i lashtë i shkëmbimit kulturor ndihmoi në përhapjen dhe formësimin e budizmit në të gjithë Azinë.
Fundi i një tradite
Mbetjet arkeologjike të Nalandës janë tashmë një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Në vitet 1190, universiteti u shkatërrua nga një trupë plaçkitëse pushtuesish të udhëhequr nga gjenerali turko-afgan Bakhtiyar Khilji.
Kampusi ishte aq i madh sa zjarri i ndezur nga sulmuesit thuhet se u dogj për tre muaj me radhë.
Megjithatë, ky nuk ishte sulmi i parë ndaj Nalandës, pasi ajo u sulmua nga hunët në shekullin e 5-të, dhe përsëri pësoi dëme të rënda nga një pushtim i mbretit të Bengalit, Gauda, në shekullin e 8-të.
Gjatë 6 shekujve të ardhshëm, Nalanda gradualisht do të zhytej në harresë dhe do të kthehej në rrënoja, përpara se të zbulohej nga topografi skocez Francis Buchanan-Hamilton në vitin 1812. Ndërsa më vonë u identifikua si Universiteti i lashtë Nalanda nga Sir Alexander Cunningham në vitin 1861.
Sot, zona e gërmuar prej 23 hektarësh ka të ngjarë të jetë vetëm një pjesë e kampusit origjinal, por gjithsesi kalimi nëpër rrënojat e manastireve dhe tempujve risjell ndjesinë se si duhet të ketë qenë të mësosh në këtë vend fantastik.
Për këtë arsye, grupe murgjish, veshur me rroba të kuqe e vizitojnë këtë vend, herë pas here, kryejnë homazhe dhe meditojnë./a2news.com
ObserverKult
Lexo edhe:
UNIVERSITETI I OKSFORDIT PROPOZON TË STUDIOHET LIPA NË VEND TË MOZART-IT
Akademikët në Universitetin e Oksfordit në Britani kanë bërë një propozim.
Ata kanë propozuar që të zëvendësohen kurrikulat në degët e studimit të arteve muzikore. Në mënyrë që rrymat e reja muzikore të zëvendësojnë ato klasike.
Sipas ‘The Telegraph’, është propozuar që të studiohet rryma muzikore e këngëtares shqiptare, Dua Lipa. Kjo e fundit, theu çdo rekord në ‘livestream’. Duke zëvendësuar muzicientët klasikë siç janë Mozarti e Beethoveni.
Këngëtarja me origjinë shqiptare, Dua Lipa fitoi çmimin Grammy për albumin më të mirë vokal në pop. Lipa interpretoi këngën ‘Don’t start now’. E cila gjithashtu u nominua për Këngën e Vitit dhe Regjistrimin e Vitit.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult