As sivjet nuk ka restaurim të kullave të Jasharëve në Prekaz

Kanë kaluar dy dekada që nga përfundimi i luftës në Kosovë. Numri i njerëzve që e vizitojnë vendburimin e lirisë është në rritje.

Vizitorë vendorë e të huaj duan të shohin nga afër dëshmitë prej ku nis lufta dhe liria e Kosovës.

Por kullat në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” po rrezikojnë të zhduken për shkak të pakujdesisë nga shteti.

Bekimi, djali i Heroit të Kombit Hamëz Jashari, ka ftuar institucionet e Kosovës që të merren seriozisht me çështjen e konservimit të këtyre objekteve që janë dëshmi e luftës dhe rezistencës që ka bërë familje Jashari.

“Po shpresoj që tani pas rishikimit të buxhetit dhe përfundimit të pushimeve verore, kryesuesi i këtij komiteti, zoti Tahiri ta ftojë takimin e radhës dhe të vazhdojmë të ecim tutje sepse kullat më të vërtetë janë në gjendje kritike sepse nuk ka ditë që nuk bie nga një copë nga ato objekte dhe rreziku është që një ditë kur zgjohemi në mëngjes mos të shohim asgjë. Mirë është të marrim më seriozisht këtë çështje dhe të vazhdojmë të ecim tutje ose të themi që nuk dua të merremi me këtë punë”, citon RTK Jasharin.

Ani pse të gjithë udhëheqësit e institucioneve të Kosovës janë zotuar se do ta kthejnë kompleksin në gjendjen e merituar, Jashari thotë se puna në këtë drejtim është shumë e ngadalësuar.

Në ditën e parë të punës, kabineti qeveritar i udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti, vizituan Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz prej ku kishte premtuar se do t’i trajtojnë me prioritet çështjen e kullave.

“Besoj shumë shpejtë, çështje ditësh ose javësh mos të them kështu por do të mirret me prioritet”, tha Hoti.

Kryetari i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, Bislim Zogaj, thotë se janë vonuar me çështjen e restaurimit të këtyre objekteve. E për këtë thotë se ka një arsye.

“Fatkeqësisht jemi vonuar shumë dhe gjasat reale janë që edhe këtë vit nuk mund të fillojmë punimet në konservimin e këtyre shtëpive sepse janë disa procedura që marrin kohë, gjasat janë minimale sivjet me filluar por po shpresojmë që të gjitha procedurat rreth tenderëve dhe konkurseve për projekte, për detyrë projektuese, kompania që do të bëjë projektin, pastaj kompania të bëjë realizimin projektit do të na marrin kohë por po shpresoj që kjo kohë që ka mbetur këtë vit do të shfrytëzohet për realizimin e këtyre procedurave dhe me fillimin e pranverës së vitit tjetër besoj që më në fund do të fillojë restaurimi i këtyre objekteve”, tha Zogaj.

Ciceroni në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, thotë se Prekazi është vendi më i vizituar në Kosovë që prej pasluftës.

Ndërkohë, Ligji për Kompleksin “Adem Jashari” i ka bartur kompetencat një komiteti ndërministror që formohet nga kryeministri i Kosovës, ku në vitin 2018 kryeministri Ramush Haradinaj kishte formuar një komitet të tillë të udhëhequr nga vartësi i tij, Fatmir Limaj.

Ndërsa tani me qeverinë e re të udhëhequr nga Avdullah Hoti është riaktivizuar komiteti, i cili është pajtuar që vazhdojë punën aty ku ka mbetur nga komiteti paraprak.

Sipas ligjit, komiteti obligohet të bëjë projektin e përgjithshëm të kompleksit dhe Agjensia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale e bënë konservimin e shtëpive dhe objekteve.