Si sot më 17 janar 1468 u nda nga jeta heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti, Skënderbeu.
Zot i Arbërisë, ashtu siç ai e nënshkroi veten, ai paraqet një epokë të tërë të historisë kombëtare në luftën shekullore kundër zgjedhës osmane, në mbrojtje të tokës, pasurisë e të lirisë.
Emri i tij na përfaqëson denjësisht në rrafshin e historisë botërore, si një figurë kyçe që i lidh shqiptarët me Perëndimin, botën e qytetëruar evropiane.
Pavarësisht se ka jetuar para më shumë se pesë shekujsh, nderimi i shqiptarëve për të edhe sot mbetet i pakursyer! Monumenti i tij ndodhet në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Krujë dhe disa qytete të tjera. Emri i tij shënon shumë institucione arsimore, ndërsa është figurë për të cilën ende nuk rreshtin hulumtimet e studimet.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në Shqipëri me rastin e 554 vjetorit e ndarjes së tij nga jeta e përkujton sot me dy fotografi të pikturave me portretin e Gjergj Kastriot Skënderbeut, me tre ekzemplarë dekretesh të përgatitura në emrin e Gjergj Kastriotit të cilat ndodhen të ruajtura në AQSH, si dhe me një fotografi të një tabloje të titulluar “Skënderbeu gjatë një beteje”.
Meta: Skënderbeu do të mbetet përjetë shqiptari më i gjallë ndër nesh
Presidenti Ilir Meta përkujtoi sot heroin tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu duke theksuar se “kryeheroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, krenaria dhe fuqia, trimëria dhe guximi, frymëzimi dhe lavdia jonë e çdo epoke, do të mbetet përjetë shqiptari më i gjallë ndër nesh”.
“Vepra e pavdekshme e simbolit më përbashkues, që përcaktoi përkatësinë tonë evropiane do të na udhëheqë gjithmonë në çdo përpjekje për liri, sovranitet dhe dinjitet kombëtar”, tha Meta.
Xhaçka: Trashëgimia diplomatike dhe ushtarake e Skënderbeut burim frymëzimi
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka përkujtoi sot Gjergj Kastriotin Skënderbeun në 554 vjetorin e vdekjes.
“Gjeni në fushat e politikës, diplomacisë dhe artit ushtarak, ai organizoi dhe drejtoi luftën e popullit shqiptar kundër Perandorisë Osmane duke e lidhur atë ngushtë me koalicionin ushtarako-politik evropian. Trashëgimia e tij diplomatike dhe ushtarake është burim frymëzimi në rrugëtimin dinjitoz euro-atlantik të Shqipërisë së sotme”, theksoi Xhaçka.
Balla: Sot 554-vjetori i kalimit në amshim të Gjergj Kastriotit Skënderbeut
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla përkujtoi në 554 vjetorin e vdekjes Gjergj Kastriotin Skënderbeun.
“Sot 554-vjetori i kalimit në amshim të Gjergj Kastriotit Skënderbeut.
Mënyra më e mirë për të vlerësuar Heroin tonë Kombëtar është t’u drejtohesh fjalëve që kanë thënë për të disa shkrimtarë dhe ushtarakë të shquar”, thekson Balla.
Balla shprehet se “Volteri ka shkruar se sikur ta kishte mbrojtur Skënderbeu Konstantinopolin, turqit nuk do të kishin mundur ta merrnin në maj 1453. Gjenerali Xhejms Volfi, heroi i Kuebekut, ka thënë: “Ai (Skënderbeu) ua kalon gjithë oficerëve, të lashtë e të sotëm, për drejtimin e një ushtrie të vogël mbrojtëse”. /ATSH
ObserverKult
_________________
Lexo edhe:
MËRGIM BEKTESHI: SKËNDERBEU DHE SHTETI I SË DREJTËS TË ARBRIT
ObserverKult