
Në kuadër të Ditëve të Diasporës 2025, Podujeva u bë vatër e fjalës poetike me organizimin e Festivalit të Poezisë “Valët e Llapit”. Ky manifestim kulturor, tashmë i shndërruar në traditë, bashkoi poetë, studiues dhe lexues, duke e kthyer mbrëmjen e 18 gushtit në një festë të letërsisë.
Në kuadër të festivalit u zhvillua një takim kushtuar poetes Donika Dabishevci, e cila prezantoi veprën e saj më të fundit poetike, “E gjithkohshmja Andërr”, libër i nderuar me Çmimin Kombëtar për Poezi, 2024, nga Ministria e Kulturës. Studiuesi Imer Topanica vlerësoi çështje të ndryshme të librit duke u ndalë te dimensioni estetik dhe fuqia e kujtesës që ai sjell, për t’i dhënë zë traumës dhe dëshmisë kolektive. Autorja, në fjalën e saj, falënderoi publikun dhe organizatorët, duke theksuar se letërsia mbetet një nga mënyrat më të fuqishme për të ruajtur kujtesën dhe për ta shndërruar dhimbjen në dëshmi artistike.

Një pikë e veçantë e Festivalit ishte Ora letrare, ku poetë të shumtë sollën poezitë e tyre para publikut. Në lexim morën pjesë: Dan Ibrahimi, Violeta Kadroiu, Emine Konushevci, Sokol Qerimi, Hilmi Kadriu, Ramiz Oraca, Gani Hamza, Mehmet Breznica, Majlinda Deda, Lumni Limani dhe Mexhid Havolli, duke e pasuruar mbrëmjen me shumëllojshmërinë e temash e qasjesh poetike. Në fund, u ndanë edhe çmimet për poezitë më të mira të kësaj ore letrare, duke inkurajuar krijimtarinë dhe duke mbajtur gjallë garën e bukur shpirtërore të fjalës së shkruar. Të shpërmblyerit ishin Mehmet Breznica dhe Lumni Limani,

Festivali “Valët e Llapit”, i organizuar nga Shoqata e Shkrimtarëve të Llapit me mbështetjen e Komunës së Podujevës, dëshmoi edhe një herë se, falë përkushtimit të organizatorëve dhe vullnetit të krijuesve, Podujeva mbetet një qendër e gjallë e kulturës dhe e poezisë shqipe.
ObserverKult







