“Shtatë fotografë shqiptarë, një rezidencë”. Bëhet fjalë për Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër ku për herë të parë, hapësirat e muzeut i hapen një grupi artistësh shqiptarë të rinj.
“Më 1 Nëntor Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” na fton të ndjekim nga afër një rezidencë artistike mjaft premtuese,” shprehet ministrja e Kulturës, Elva Margariti.
Shtatë fotografë shqiptarë gjenden në Shkodër, në kryeqytetin e dikurshëm të Shqipërisë, të ftuar nga Art House dhe Muzeu Marubi për të evokuar disa imazhe të thjeshta e të thella që i frymëzojnë. Emigrimi është pjesë e rrugëtimit të secilit.
Punët e tyre herë lidhen me të moshuarit që vazhdojnë të jetojnë në vendin e lindjes e herë të tjera shkojnë akoma më larg, në kohën e paraardhësve apo themeluesve. Peizazhin ata nuk e analizojnë, e sodisin. Sa i afërt po aq i largët, nuk arrijnë të kuptojnë çka t’i heqin e çka t’i ruajnë. Në disa udhëtime të bëra në pak kohë, e parandjejnë që kthimi në vendlindje shoqërohet nga një mjegull e dendur, por që nuk është kurrë shumë vonë.
Përzgjedhja e tyre erdhi përmes një thirrjeje të hapur të përbashkët të Art House dhe Muzeut Marubi për edicionin e tretë të rezidencës artistike Art House School të titulluar “Beyond the Image” (19 gusht – 15 shtator 2019), i cili u fokusua në marrëdhënien e ngushtë që lidh autorin me imazhin dhe mundësitë komplekse që aktivizon ky raport.
Artistët Abi Shehu, Bib Frrokaj, Elton Gllava, Erdiola Mustafaj, Erjola Zhuka, Marlin Dedaj, Orestia Kapidani kaluan një periudhë katër javore në Shkodër ku përmes prezantimeve të veprave të realizuara, diskutimeve mbi projekte apo intuita fillestare për punë që nuk kanë lindur akoma, leximeve të teksteve e projektimeve të filmave, refleksioneve e debateve u krijua një hapësirë për kërkim individual.
Në përfundim të kësaj eksperience, ekspozita vjen si një moment njohjeje me skenën shqiptare bashkëkohore duke shprehur njëkohësisht edhe vëmendjen e Muzeut Marubi ndaj dinamikave të saj.
Ekspozita do të organizohet në hapësirat e Muzeut dhe Art House e mbështetet nga Ambasada Franceze dhe Art House.