7 vjet pa shkrimtarin e profesorin e njohur, Halil Haxhosaj

Në kujtim të shkrimtarit, kritikut letrar e profesorit Halil Haxhosaj në 7-vjetorin e vdekjes

Nga Blerim Valla

“Lamtumirë Kapiteni im”…

Profesori Lil po na mungon shumë. Po i mungon gjithë skenës kulturore e letrare të Gjakovës e më gjërë. Ai ishte shembull i mirësisë, urtësisë dhe intelektualizmit. Ishte i papërsëritshëm dhe i denjë për respekt nga gjithë ata që e kanë njohur!

Halil Haxhosaj nuk jeton qe 7 vite! Ai u largua nga kjo botë me po atë lehtësi dhe po atë qetesi, siç edhe kishte jetuar. Iku duke marrë me vetë një jetë të trazuar nga problemet e jetes dhe të shendetit, dhe duke lënë këtu, një vepër me të cilën do ta gjykojmë edhe shumë vite pas kësaj.

Poet, shkrimtar, kritik letrar, profesor – mësimdhënës karriere, gazetar, dhe mbi të gjitha Njeri i Mire. Halil Haxhosaj ka lënë gjurmë në shoqërinë dhe kulturen gjakovare dhe kosovare së paku në pese dekada.

Halil Haxhosaj i takon së bashku me Ali Podrimjen, Din Mehmetin, Enver Gjerqekun, Agim Gjakoven, Teki Dervishin, Besim Bokshin, Jusuf Buxhovin, Agim Bycin, Mazllum Sanejen, dhe disa të tjerë, një brezi shkrimtarësh të qarkut letrar të Gjakovës, që transformuan krejtësisht letërsinë shqipe në Kosovë, ‘të mbytur’ nga socrealizmi dhe mediokriteti i viteve 50 – 60. Ky brez, vijoi të dominojë krijimtarinë letrare shqiptare me dekada.

Sot mund të themi lirisht se këta emra vijojnë të mbeten ikonat e letërsisë shqipe jo vetem të Gjakovës por edhe të Kosovës, dhe janë padyshim edhe emrat më të lexuar në Kosovë.

I njohur kryesisht si një poet, i shquar për lirikën e tij, por edhe si nje nga kritikët letrar më të shquar nga vitet e ‘90 – ta e kendej, Halil Haxhosaj ishte po kaq interesant si prozator, si romansier dhe tregimtar. Libri i tij i fundit, romani “Shenimet e kapitenit” është padyshim një nga librat më cilësor të prozës shqipe.

Halil Haxhosaj ishte një njeri që donte të jetonte; që vdekjen edhe në librat e tij e paraqiste si një të keqe që e luftoi për shumë vite dhe që shpesh asaj do t’i rrinte përballë me kurajo dhe forcë.

Ai iku, ashtu siç jetoi. Një njeri i mirë, i qetë dhe buzagaz. Iku duke lënë pas një vepër dhe një boshllëk. Po atë boshllëk që lë ikja e çdo intelektuali në këtë vend që njerëzit e zot i ka kaq të rrallë. Iku ashtu sikurse edhe personazhi i tij i mrekullueshëm, Kapiteni tek romani “Shenimet e Kapitenit”. Andaj, udhëtimin e tij në atë botë për ku u nis para 7 viteve, më së miri mund ta mbylli me fjalët: “Lamtumirë kapiteni im”…

ObserverKult


Lexo edhe:

BLERIM VALLA: MAGJIA E LIBRIT!