85-vjetori i lindjes së aktorit të madh shqiptar, Bekim Fehmiut

Bekim Fehmiu

Bekim Fehmiu është aktori i parë shqiptar që preku Hollivudin. Ai lindi në Sarajevë më 1 qershor 1936.

Fehmiu u bë i famshëm me filmin “Mbledhësit e Puplave”, në vitin 1967. Deri në atë kohë, ai kishte studiuar dhe ishte bërë i njohur nga shumë shtëpi filmi nëpër botë. Ai është aktori i parë shqiptar i filmit dhe i teatrit, i cili ka luajtur me sukses në filmat dhe skenat e gjithë hapësirës së ish-Jugosllavisë. Ka qenë një nga personalitetet që ka lënë gjurmë në kinematografinë ballkanike, por mbi të gjitha, ai është i madh për kontributin artistik në kinematografinë botërore.

U martua me Branka Petriç dhe kishte dy djem. Shqipërinë e ka vizituar në vitin 1972 dhe nuk e ka fshehur kurrë mallin që kishte për të. Në të gjithë hapësirën ballkanike është gati në përmasat e një miti. “Njeriu nuk duhet të fajësojë për diçka që i ndodhë as babanë as vëllezërit, as fqinjën, as perënditë, por vetëm veten. Njëra nga tragjeditë tona lidhet me atë, që duke jetuar për shekuj së bashku nuk kemi mësuar nga njëri-tjetri, por dhe kur e kemi bërë këtë kemi mësuar vetëm të keqen” – shprehet ai.

Fehmiu u gjet i vdekur në apartamentin e tij në Beograd më 15 qershor 2010 në moshën 74-vjeçare.

Rolet e tij në “Prova speciale”, “Odiseja”, “Aventurieri”, “Rruga”, “Vitet e nxehta”, “Dezertori”, përmenden si kryevepra. Nga filmat e para kanë qenë “Vitet e nxehta”, “Protesta”, “Eskadrionet e partizanëve” dhe “Të kuq dhe të zinjë”. Ai ka bashkëpunuar me John Huston, Olivia de Havilland, Ava Gardner, Robert Show, Dirk Bogart, Sharl Aznavur, Irene Papas, Claudia Cardinale etj. Ka interpretuar në shqip, serbisht, maqedonisht, turqisht, në gjuhën rome, në spanjisht, anglisht, frëngjisht dhe italisht.

Bekim Fehmiu është një nga artistët më të mëdhenj shqiptarë. Nga viti 1987, kur në mënyrë demonstrative braktisi shfaqjen “Madame Kolontine” të Anete Playel, ku luante Leninin dhe Stalinin, në teatrin jugosllav të dramës, ai i dha lamtumirën aktivitetit artistik në Jugosllavi.

Pas disa kohësh mori dhe vendimin për t’i dhënë fund karrierës edhe në aktivitetet artistike botërore. Pak kohë më parë në Jugosllavi është botuar libri me kujtime i Bekim Fehmiut, “Shkëlqim dhe tmerr”, në të cilin përshkruhet periudha që nga lindja e tij në Sarajevë, duke përfshirë gjithëçka deri në vitin 1955, kur u pranua në teatrin e dramës së Prishtinës./diasporashqiptare.al

LEXO EDHE: Kush ishte dashuria e parë e Bekim Fehmiut?