95 vjet nga lindja e gjuhëtarit dhe poetit, Martin Camaj

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit kujtoi sot 95-vjetorin e lindjes në Temal të Dukagjinit, të Martin Camaj, gjuhëtarit dhe hartuesit të gramatikës së gjuhës shqipe.

AIDSSH shprehet se “i arratisur nga vendi në 1948, Camaj ka kontribute të qenësishme në letërsi, gjuhësi, sociolinguistikë dhe fushën e albanologjisë. Bashkëthemelues i revistës “Shejzat” në Romë, themelues i katedrës së albanologjisë në universitetin “Ludwig Maximilian” të Mynihut, vepra e tij letrare përfshin vëllime poetike, romane dhe novela. Poezia e tij e rrallë është përkthyer në italisht, anglisht dhe gjermanisht”.

“Camaj gjuhëtar hartoi Gramatikën e Gjuhës Shqipe, “e vetmja gramatikë që shqipen e sheh të përbërë nga tri koiné: Gegë, Toskë e Arbëresh, për t’ia ofruar njohjes e vetëdijes kombëtare”, siç citon Ledi Shamku, ngaqë “ngjarjet që i kanë ra për hise gjuhës time qenë edhe shkaku ma i thellë qi më ka shtye me u marrë si shkencëtar mbi gjuhën”, shprehet AIDSSH.

“Për Camajn, vendlindja e vërtetë ishte gjuha amtare”, thotë Hans Joachim Lanksch. Martin Camaj, me “zemrën e ndame dyshë/dyshë mes dy dhenave/ dyshë mes dy kohnash e dyshë mes dy shijeve” ndërroi jetë në Mynih, më 12 mars 1992./atsh