Migjeni: Përse po më ban që kaq të vuej?

migjeni

Nga Migjeni

Frymzim’ i em i pafat,
që vjen e më djeg mu në gji,
për kë po më flet? Për kë të shkruej?
përse po më ban që kaq të vuej?
pse vjen e më djeg mu në gji,
frymzim’ i em i pafat?

Për të gjorët? Për ata që nuk kanë dritë?
O frymzim’ i em i ngratë,
mjaft me plagë që s’kan shërim,
leni të dergjen në mjerim,
Njerzit s’duen ma trishtim,
botës s’ia kande atë kangë të thatë,
thot se mjell një farë të idhtë.

Far’ e idhtë… far’ e idhë…
– O njerz të bimë nga far’ e ambël!
Frigë të mos keni, pse një kangë
mund t’ju theri në ndjesi,
t’ju kujtojnë zemrën në gji
në ndërgjegje dhe një dangë…
por ju t’ju bajë edhe ma zi.

Frymzim’ i em i pafat!
Shporru ktej! Nuk të due!
S’i due hovet tueja të nalta,
as fluturimet… Nëpër balta…
të ditve tona të shklas un due
rrokë me njerzit që rrok nata.

*Titulli i origjinalit: “Frymëzim i pafat”

ObserverKult


Lexo edhe:

MIGJENI: SOKRAT I VUEJTUN APO DERR I KËNAQUN

Një alternativë me dy ftyra, siç janë të gjitha alternativat. Tue u krue mbas veshi, rri njeriu përpara alternativës; dy ftyra – mbrapa nji ftyre asht Sokrati i vuejtun me rropatmet e veta e mbrapa së dytës ashte derri i kënaqun me trup të rrumbullakët të vetin.

Te Sokrati nuk ke çka shef: dy sytë të tretun në rrashtë, disa shkarravina të palexueshme dhe një trup me do gjymtyrë të zhgatrrueme e pa asnjë vijë harmonike; e te derri ke çka shef: at frotë të kombinuese mbas rregullave strikt estetike, – e sidomos që të kënaqë synin – aj trup i majun e i shndoshë e me andje zhigatuni, dhe në fund ai bisht i përculluem në flakën e bukurisë hyjnore.

Rri njeriu përpara kësaj alternative tue u krue gjithnji mbas veshi, ku e ha dyshimi – se nuk di se ç’ftyrë të zgjedhi…

Tekstin e plotë e gjeni KËTU