Për herë të parë në gjuhën shqipe, 138 vjet pas botimit në gjuhën frënge, nga Shtëpia Botuese Armagedoni vjen vepra “Buvar dhe Pekyshe” e Gustav Floberit.
E cilësuar nga autori si kryevepra e vet e po njëjtë edhe nga kritika, vepra e krahasuar me Don Kishotin e Mançës, në gjuhën shqipe vjen e përkthyer nga Verjon Fasho.
Në vazhdim mund ta gjeni fjalën e botuesit:
Një fjalë për Buvarin dhe një tjetër për Pekyshenë
Berat Armagedoni
Buvar dhe Pekyshe (tit. origjinal Bouvard et Pécuchet) është romani i fundit i papërfunduar i Gustav Floberit që për herë të parë përkthehet dhe botohet në gjuhën shqipe. Kritikët francezë, sapo kjo vepër u botua në Francë pas vdekjes së autorit më 1881, hezituan të shkruajnë. Meqë atëkohë kritika s’shkroi shumë dhe gjatë për të, as publiku s’shprehi interesim të madh për të. Megjithatë, disa vjet pas botimit të saj në format libri (disa kapituj, më 1880, sa autori ishte gjallë, u botuan në revistën Nouvelle Revue) kritika franceze këtë vepër e cilësoi kryevepër të Floberit ashtu sikurse e konsideronte vetë Floberi. Menjëherë po të njëjtin vlerësim nisi ta jepte edhe kritika e huaj, e cila sugjeronte për përkthim të saj në akëcilën gjuhë.
Romani Buvar dhe Pekyshe nga kritika franceze është konsideruar roman enciklopedik, i arritjeve shkencore në fund të shekullit XIX. Së këndejmi, pararendës i romanit të ri të shekullit 20 ose, ndryshe, një roman i ri francez. Ndërkaq, kritika vendëse, po sidomos e huaj (hungareze), e ka quajtur të gjithin përpjekje për shkrimin e historisë së madhe të marrëzisë njerëzore.
Për ta shkruar këtë roman Floberi
ka punuar 18 vjet me radhë. Kushedi edhe sa kohë do të shkruante në të po mos
të ndërronte jetë edhe disa vjet. Sigurisht edhe shumë gjatë pasi që, sikurse
do të lexoni në fund të veprës, autori ka lënë edhe disa shënime për vazhdimin
e saj dhe një paralajmërim për një pjesë të dytë. Idenë për këtë roman e kishte
marrë nga romani i Barthélémy Maurice, Dy sekretarët e gjyqit (Les deux
greffiers), i cili qe botuar më 1841, në të cilin, ashtu si në veprën e
Floberit, na paraqiten dy qytetarë parisianë sa të shkolluar, po aq edhe të
shkalluar!
Sipas disa korrespodencave dhe bisedave që autori ka pasur me disa miq në kohën
kur e shkruante këtë roman, po edhe sipas disa huazimeve të librave që ka marrë
në disa biblioteka publike dhe private, ai fillimisht ka lexuar 1 500
koleksione të librave dhe ka pasur qasje, nëpërmjet parapagimit në, së paku,
tridhjetë revista shkencore.
Buvar dhe Pekyshe, pasi bëri bujë
të jashtëzakonshme si vepër letrare, në vitin 1989 u ekranizua nga regjisori
dhe producenti Jean-Daniel Verhaeghe. Filmi, po me të njëjtin titull, edhe pse
u realizua mirë, nuk bëri bujë aq sa vepra. E njëjta vepër e Floberit u dramatizua
dhe u shfaq në disa teatro të Francës dhe të Evropës nga dramaturgë dhe nga
regjisorë profesionistë, disa prej të cilëve më në pah nxirrnin veprimet komike
të personazheve, të Buvarit dhe të Pekyshesë, disa të tjerë veprimet
tragjikomike të tyre.
Është mirë që ky roman të dramatizohet nga ndonjë dramaturg i Kosovës dhe të
vihet në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës.
Historia e dhjetë kapitujve të këtij romani është e lidhur kryesisht me personazhet tragjikomikë, me Buvarin dhe Pekyshenë, të cilët lënë qytetin dhe zhvendosen në fshat për të bërë studime eksperimentale. Ata shkrijnë të gjithë pasurinë e vet dhe atë të trashëguar për lloje të ndryshme budallallëqesh, të cilat, ani pse i mërzitin shumë, s’i nxitin që t’i ndërpresin njëherë e përgjithmonë. Pra, aventurat e këtyre dy Don Kishotëve modernë, të Buvarit dhe të Pekyshesë, për të cilët di e gjithë bota, hëm do t’ju mërzitin, hëm do t’ju kënaqin. Ndiqini pas…/ ObserverKult