MBANI MEND: Markezi nuk ka shkruajtur “Letër lamtumirëse”, Johnny Welch është autori!

lamutmirës

Me tituj tejet patetik si: “Letra e lamtumirës”, apo “Letra prekëse e Markezit pasi doli me kancer”, apo edhe ” Ah Zoti im, sikur të kisha një copëz jetë”, po vazhdon të bëjë xhirot e saj nëpër botë, duke ja mveshur autorësinë të madhit Gabriel Garsia Markez, monologut “Kukulla” të shkrimtarit Johhny Welch .

Dezinformimi nisi fillimisht nga mediat meksikane, duke u shpërndarë tutje në Amerikën Latine, për të vërshuar pataj edhe në SHBA dhe Evropë.

As mediet shqiptare nuk kanë shpëtuar nga kjo zallamahi ngatërresash. Si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri, Gaboja i madh vazhdon edhe sot e kësaj dite “të recitoj” vargje Welchiane çastesh të fundme, pavarësisht se autorësia e saj ka kohë që është sqaruar, transmeton ObserverKult.

Është publicisti Albert Vataj, ai i cili ishte ndër të parët trajtoi autorësinë e këtij teksti tek ne, duke shkruajtur dhe publikuar edhe trajtesë ku flet gjërë e gjatë për ngatërresën.

Autori i poemës “Kukulla”, i kësaj krijimtarie që ka përçuar kaq shumë energji, që ka motivuar shumë e shumë njerëz në mbarë rruzullin është e shkrimtarit, komedianit dhe ventriloquist-it meksikan, Johnny Welch”, shkruan Vataj duke sqaruar tutje se edhe e shumënjohura, “La Republica”, bashkë me portalet e ndryshme, për një dhjetëvjeçar kanë dezinformuar opinionin dhe admiruesit, kanë abuzuar duke i atribuuar gabimisht autorësinë e kësaj poeme, e këtyre vargjeve monumentale, nobelistit Gabriel García Márquez (1927-2014).

Megjithëse autori i pretenduar, Gabriel García Márquez, sa ishte gjallë u përpoq të bindte lexuesit se “Kukulla” nuk ishte shkruar prej tij, “se unë nuk jam kaq shumë i djathtë”, e pati të pamundur të ndalte vërshimin e këtij keqkuptimi. Edhe pse ai e bëri përmes një deklarate shtypi, sërish këto vargje e kishin të pamundur t’i riktheheshin autorit të vërtetë të tyre, ventriloquist-it, Johnny Welch.

Edhe pse Welch e ka interpretuar disa herë në emisionet televizive meksikane, bota e madhe zgjodhi të ishte e ndarë në mes, në ata që besojnë në autorin e rrem dhe në ata që besojnë të vërtetin.

Kur Gabo u shua më 17 prill 2014 fama e këtij krijimi mori përmasa përmbytëse, ripublikuesit dhe promovuesit e kësaj poeme as që donin t’ia dinin se këto vargje nuk i përkisnin Markezit që kishte marrë udhën e përjetësisë.

Mediat prestigjioze, përfshi dhe BBC e kanë trajtuar këtë dezinformim, duke e konsideruar si të rëndësishme atribuimin e këtyre të drejtave, të kësaj fame, autorit të vërtetë. Gjithsesi, historia botërore, ka patur, ka dhe do të ketë gabime të këtilla.

Teknologjia, e drejta e publikimit pa lejen e autorit dhe neglizhenca të kësaj natyre, bëjnë që kjo epidemi të jetë e shumëfishtë dhe më e rrezikshme, kjo edhe për një fakt shumë të thjeshtë se lexuesi i interesave të përcipta nuk është kureshtar për autorin e atij mëkimi që atë e mbush, e motivon, e ushqen me çfarë ai ka kaq shumë nevojë“, thekson Vataj.

Ua rikujtojmë se ngjashëm interneti dhe rrjetet sociale e kanë vendosur një monolog të fuqishëm në gojën e aktores Meryl Streep, gjë për të cilën ObserverKult ka shkruajtur kohë më parë.

Lexo edhe: MË KA SOSUR DURIMI PËR TË GJITHË ATA QË S’E MERITOJNË DURIMIN TIM…Ky monolog po vazhdon të shpërndahet ende duke ia mveshur autorësinë aktores Meryl Streep, pavarësisht se shkrimtari portugez ose Jose Micard Teixeira ka thënë se ai është autori.

Në vazhdim para se t’ua risjellim edhe njëherë tekstin “Kukulla” të Johnny Welch, thjesht sa për t’i thirrur kujtesës, se nuk është Markezi autori:

Johnny Welch: Kukulla

“Sikur Zoti të harronte për një moment që unë jam një dordolec i ndrequr me rrecka dhe të më dhuronte një copëz jetë, mbase nuk do t’i thosha të gjitha ato që po mendoja, por sigurisht do ti mendoja ato që po them.

Do t’i jepja rëndësi gjërave, jo për vlerën, por për domethënien e tyre. Do të flija pak, do të ëndërroja më shumë, sepse çdo minutë që mbyllim sytë humbasim 60 sekonda dritë.

Do të vazhdoja kur të tjerët do ndalonin, do të zgjohesha kur të tjerët do flinin. Do të dëgjoja kur të tjerët do të flisnin, dhe sa do ta shijoja një akullore me çokollatë!

Nëse Zoti do më jepte një copëz jetë, do vishesha thjesht, do shtrihesha përballë diellit duke e lënë të pambuluar jo vetëm trupin, por edhe shpirtin tim.

Ah Zoti im, sikur të kisha një copëz jetë, nëse do mundesha, do ta shkruaja urrejtjen time mbi akull, dhe do prisja të dilte dielli. Nuk do të lejoja të kalonte as edhe një ditë pa i thënë njerëzve që dashuroja se i dashuroja.

Do të bëja çdo burrë dhe grua të besojnë se janë njerëzit që dua dhe do të dashurohesha me dashurinë.

Te njerëzit do të tregoja se sa gabim bëjnë kur besojnë se ndalojnë së dashuruari kur plaken, pa kuptuar se plaken kur ndalojnë të dashurojnë. Fëmijës së vogël do t’i jepja pendë, por do ta lija të mësonte vetë sesi të fluturojë.

Pleqve do t’u tregoja se vdekjen nuk e sjell pleqëria por “harresa”.Mësova kaq gjëra nga ju, njerëzit.

Mësova se të gjithë duan të jetojnë në “majën e malit”, pa kuptuar se lumturia qëndron në mënyrën se si zbret “faqen e pjerrët”.

Mësova se kur fëmija i porsalindur shtrëngohet mbi pëllëmbën e tij të vogël, për herë të parë gishti që zgjatet i babit të tij e robëron përgjithmonë.

Mësova se njeriu ka të drejtë ta shohë tjetrin nga lart, vetëm kur duhet ta ndihmojë të çohet…

Të thuash gjithmonë atë që ndjen dhe të bësh gjithmonë atë që mendon… Nëse do ta dija që sot do të ishte hera e fundit që do të të shihja duke fjetur, do të të përqafoja fort, fort dhe do t’i lutesha Zotit që të bëhesha roja e shpirtit tënd.

Nëse do ta dija se kjo do ishte hera e fundit që do të të shihja të dilje nga dera, do të të përqafoja dhe do të të jepja një puthje dhe do të të thërrisja përsëri që të të jepja edhe të tjera.

Nëse do ta dija që kjo do të ishte hera e fundit që do ta dëgjoja zërin tënd, do të regjistroja çdo fjalë tënden që të mund të të dëgjoja përsëri, përsëri…

Nëse do të dija që këto do të ishin momentet e fundit që do të të shihja, do të të thosha “të dashuroj” dhe do të supozoja jo logjikisht se e dije më parë.

Ekziston gjithmonë një e nesërme dhe jeta na jep edhe mundësi të tjera që t’i bëjmë gjërat siç duhet, por nëse bëjmë gabime na mbetet vetëm e sotmja. Do të doja të të thoja se sa shumë të dua dhe se kurrë s’do të të harroj.

E nesërmja nuk është e sigurt për askënd, si i ri, si i vjetër. Sonte mund të jetë hera e fundit që i shikon njerëzit që do. Prandaj, mos prit më, bëje sot sepse e nesërmja nuk vjen kurrë.

Sigurisht do të pendohesh për ditën kur nuk gjete kohë për një buzëqeshje, një përqafim, një puthje dhe sepse ishe i zënë për të realizuar një dëshirë të tyre.Mbaji ata që dashuron pranë vetes, thuaju duke mërmëritur se sa shumë ke nevojë për ta, dashuroji, sillu mirë, gjej kohën për ta, thuaju “më vjen keq”, “më fal” , “faleminderit” dhe të gjitha fjalët e dashurisë që di.

Asnjëri nuk do të të mbajë mend për mendimet e tua të fshehta…

ObserverKult

Kliko edhe:

GATI PANAIRI I LIBRIT NË VITIN KUR SONDAZHET TREGOJNË SE 80% E SHQIPTARËVE NUK LEXOJNË