Kjo është qendra e re e kulturës shqiptare, e inaguruar në qytetin e Astit, në veri të Italisë. E pagëzuar me emrin e aktores së madhe Margarita Xhepa , kjo qendër synon ruajtjen e traditës, kulturës dhe historisë, jo vetëm përmes kurseve të gjuhës shqipe, por edhe veglave muzikore tradicionale shqiptare.
“Krizat e personit fillojnë tek identiteti. Nëse ne transmetojmë origjinën, kulturën, traditat tona, do të thotë që ne jemi të realizuar plot, fillojmë me rrënjë shqiptare dhe lulëzojmë si italiane pastaj. Ky do të ishte një sukses i plotë”, ka thënë Mimoza PRendi Mustafa.
“Ndihem i lumtur se flas gjuhën e nënës dhe babës tim”, ka thënë Shefqet Kasa.
8 mësues do të drejtojnë në këtë qendër vullnetarisht, me kurse të ndara në katër nivele që do të ofrojnë gjuhë, histori, kulturë e traditë shqiptare. Synimi është ruajtja e tyre tek të rinjtë dhe të vegjlit, të lindur e të rritur në Itali.
“Të gjitha janë punimet e mija si pikturat, instrumentat folklorike tonat dhe projektet e modeleve të veshjeve tona kombëtare. Kush ka me e ruajt tjetër, ne do ta ruajmë rinia, njerëzit, mësuesit, historianët, kryetarët e bashkisë, shqiptarët vetë duhet me e ruajt historinë e tyre, po se ruajtëm ne kush me na ruajt, të tjerët na e djegin”, shprehet Kristjan Zefi.
“Në fillim është ajo përpjekja si gjithkush mendoj që të integrohet dhe integrimi sipas meje ishte që të mësoja italisht sa më mirë, të flisja gjuhën e tyre, kulturën e tyre, dhe nuk jam i penduar, por gjithmonë pas disa viteve të kujtohen rrënjët, të kujtohet, sidomos kur bëhesh edhe baba, të kujtohen rrënjët ku i ke, kështu që duhet ti transmetosh edhe fëmijëve ato virtyte ato rrënjë shqiptare që kemi”, ka shtuar Marjan Bjeshkëza.
“Me ndihmën e Komunës morëm këto ambientet këtu që ishin në mëshirë të fatit dhe i kthyem në një gjë që ishte ëndërr për ne. Me ndihmën e grupit si shoqatë, por edhe të gjithë shqiptarëve jo vetëm te Astit, por edhe nga qytetet të tjera përreth, biles edhe nga Firenze”, ka thënë Genci Velaj.
Inisiativa e shoqatës së shqiptarëve në Piemonte është mbështetur nga komuniteti shqiptar të cilët në forma të ndryshme kanë bërë të mundur kthimin e godinës së vjetër, në një qendër të vërtetë kulturore siç ajo është sot. Në këtë qytet shkolla shqipe ka dy vite që funksionon, por ky vit i ri do ti gjejë fëmijët në këtë qendër të re plotësisht për ta.
“Kjo do të shërbejë që tu transmetojmë fëmijëve tonë traditat, kulturën e kombit tonë, historinë e popullit shqiptar”, ka thënë Genc Velaj.
Përgjatë dy ditëve Asti ka festuar jo vetëm nën muzikën tradicionale të disa prej këngëtarëve më të njohur, por edhe pjesëmarrjen e mjaft personaliteteve të tjera nga të gjitha trojet shqiptare. Mesazhi që vjen nga ky qytet kërkon të përçohet kudo ku jetojnë shqiptarët, për të ruajtur gjuhën dhe rrënjët e tyre pavarësisht largësisë nga vendi./Top Channel