Brezi im, brez i nëmur!

Nga Agron Shaqiri

Gjithmonë ma ka ngacmuar kurreshtjen natyra dhe thelbi i brezit në të cilin përkas.
E kam parë dhe shqyrtuar me sy kritik dhe e kam cilësuar si brez fatkeq.
Pastaj si brez i mashtruar.
Një brez i turpëruar në mes rrëmujës së lirisë.

Një brez i paaftë për të rregulluar dhomën e madhe, ku dikur gjaku ishte himn.
Dhe ekzistencë.
Një kohë kam besuar se do t’ja dalim pastaj gradualisht kam humbur besimin se do ta marrim në duar fatin, i cili na ishte falur nga perënditë e shekujve të ashpër.

Kam pështyrë veten në pasqyrë dhe kam grushtuar të gjitha rrugët, ku kemi marrë dritë derisa jemi rritur.
Historia e brezit tim është fund e krye një këngë e bukur mbi pjeshkën e kalbur, në mes qenieve të liga lakmitare.
Historia e brezit tim është një vezë e kuqe pashkësh e hedhur në pellgun e kujtesës së copëtuar.
Kujtesës që mungon.

Një kohë kam besuar se duke u rritur marrim trajtën e njeriut, pastaj kam humbur besimin dhe e gjithë ajo që më vjen në mend rreth përkufizimit të qenies së sotme bashkëkohore, ka të bëjë me egërsirën.

Tragjedia ka të bëjë me pakënaqësinë qe e marrim si të natyrshme.
Tragjedia ka të bëjë me epokën ku lavdia është pronë e përhershme e marrëzisë.
Brezi im është një brez i këputur në mes.
Që ec në gjunjë, drejt shpresës.

ObserverKult


Lexo edhe:

10 GËNJESHTRA QË I BESOJMË NE SHQIPTARËT DHE I TRASHËGOJMË BREZ PAS BREZI!