Kam të njëjtët sy të trishtuar të nënës sime
të njëjtët lot të ëmbël e të lodhur
që bulëzojnë papritur.
Rrudhat na degëzohen ndryshe,
mendimet na mpleksen gjithnjë keq
si nyje drurësh,
e heshtjet na dorëzohen me kapitullim
pragjeve të buzëve.
Edhe në telefon
kemi filluar
rënkimet t’i ngulim njësoj,
si ca kapëse rrobesh të harruara diku në telat e ndjesive të shkuara.
Muaj kanë kaluar pa prekjen e duarve të saj
e këto të miat gjithëherë sikur dridhen botëve të prekjeve të huaja.
Era shkërmoq çaste
si kashtën e tharë të vetmisë
hapat e largimit shtypin
drejt hyrjeve të aeroporteve…
Kam të njëjtët sy të trishtuar të nënës sime
që sido e kudo
vetëm e vetëm
më buzëqeshin.