Tri net muzikë korale do t’ia dhurojë kryeqytetit festivali “Prishtina Internacional Vocal Festival” në edicionin e tij të dytë, që nis sot (e hënë).
Festivali i themeluar vitin e kaluar, me qëllim që në vend t’i kushtohet më shumë vëmendje muzikës korale, do të mbahet nga 7 tetori deri më 10 tetor. Hajrullahu Syla, udhëheqësi i Festivalit, ka thënë se ideja për krijimin e një festivali të tillë dedikuar muzikës korale rrjedh nga fakti se në Kosovë nuk organizohen festivale të tilla.
Nata e parë e Festivalit do të sjellë në Prishtinë korin “GACC”, një kor gjermano-amerikan nga Gjermania. Përveç korit “GACC”, do të paraqitet edhe kori i shkollës së muzikës “Halit Kasapolli” nga Peja. Koncerti, i cili do të jetë edhe hapës i këtij edicioni, do të mbahet në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë nga ora 20:00.
Nata e dytë e Festivalit do të sjellë edhe kulminacionin e këtij organizimi. Në Katedralen e Prishtinës, në qendrën “Bogdani Polis”, do të performojë ansambli “The King’s Singers”.
“Ubi Caritas” titullohet vepra të cilën Hajrullah Syla ia ka dedikuar sopranos Adelina Paloja. E njëjta vepër do të interpretohet në natën e tretë të festivalit më 10 tetor. Ajo do të interpretohet në koncertin e parë për këtë sezon të Korit Profesional të Filarmonisë së Kosovës, në bashkëpunim me festivalin “Prishtina Internacional Vocal Festival”. Koncerti do të mbahet në kishën katolike “Shën Ndou” duke filluar nga ora 20:00. Koncerti do të dirigjohet nga spanjolli Fernando Briones./koha