Gjenerata e re e aktorëve gjakovarë e dominoi kastën e këtij projekti teatror.
Mbi supe, ata kanë marrë portretizimin e personazheve të një vepre goxha të vjetër.
Shfaqja “Shumë zhurmë për asgjë”, që u dha premierë në Gjakovë, përmes veshjeve e skenografisë e dërgoi publikun në kohë të largët. Këtë komedi, dramaturgu i njohur William Shakespeare, mendohet ta ketë shkruar përgjatë viteve 1598 dhe 1599, raporton “Express” i KTV-së.
Me muzikë e vallëzim shtjellohen shumë ngjarje. Tingujt janë ata që të dërgojnë në kontekst me arbëreshët e Italisë.
Përmes këtyre elementeve, regjisorja Zana Hoxha ka sjellë një projekt kontemporan me koreografi të Robert Nuhës.
Përplasja e personazheve karizmatikë e formësojnë rrëfimin me plot kthesa, që qëllim kryesor e ka dashurinë.
Krejt kjo vjen përmes roleve të aktorëve gjakovarë, të cilët thonë se e kanë shijuar procesin e punës me regjisoren për të sjellë këtë vepër te publiku.
Rolet e shfaqjes i portretizojnë aktorët Vali Krasniqi, Vlera Pylla, Ylber Mehmeti, Besfort N Berberi, Mikel Markaj, Vlora Dervishi, Edmond Hafizademi, Valon Pallaska e të tjerë.
Repriza e shfaqjes “Shumë zhurmë për asgjë” do të jepet të enjten, në orën 20:00 në teatrin “Hadi Shehu” në Gjakovë.