Ermonela Jaho, sopranoja shqiptare me fame botërore do të rikthehet në Tiranë për të mbajtur një koncert të madh në sallën e Katedrales Ortodokse. Duke qenë njëkohësisht ambasadore e YWCA në kuzën e “Fjongos Rozë”, ka përgatitur një surprizë për shqiptarët.
Lajmin e bënë të ditur vetë sopranoja e njohur nëpërmjet një posteri të koncertit, që ka protagonist edhe tre artistë të tjerë shqiptarë; Vikena Kamenicën, Enada Hoxhën dhe Elda Laron, ndërsa e ka konfirmuar më tej edhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, i cili fton qytetarët të ndjekin koncertin.
“Jam shumë i lumtur që një talent i rrallë dhe një mike e çmuar si Ermonela Jaho, kthehet në Tiranë për t’iu bashkuar zërit te vajzave dhe grave shqiptare në një koncert bamirësie. Ky koncert mbart një mision shumë fisnik që është mbledhja e fondeve për tetorin rozë.
Merr mikeshat dhe mos e humb datën 22 tetor, ora 19:00, te salla e Katedrales Ortodokse.
P.s Të gjitha të ardhurat e këtij koncerti do t’i kalojnë YWCA për punën e saj në ndërgjegjësim dhe mbështetjen për gratë e prekura”, shkruan Veliaj në Facebook.
Fitimet e koncertit që do të mbahet në datën 22 tetor do të shkojnë për organizatën YWCA për të mbështetur femrat me kancer gjiri./shqiptarja.com