Si me jetue nji dashni të madhe!

dashni

Me jetue nji dashni të madhe, asht e domosdoshme me pasë vëmendjen ma të madhe dhe guximin ma bindës, shumë seriozitet dhe mjaft buzqeshje!

Vinicius de Moraes


Me jetue nji dashni të madhe. Ma s’pari duhet me qenë burrë i nji grueje të vetme… përndryshe, ruejna Zot, me qenë burrë i shumë grave!
Me jetue nji dashni të madhe mund të jetë edhe e lehtë, por kjo s’ka asnji lloj vlere.
Me jetue nji dashni të madhe, ma s’parit asht e domosdoshme me e shenjtnue vedin kalorës dhe me qenë i plotë veç i damës tande – sido që të vërtitet puna.
Ju duhet me pasë nji banesë tuejën, ku ta mbyllni pothuej n’izolim të plotë gruen që dashuroni, me e përgjue nga jashtë me shpatën gati – nëse dishron me e jetue nji dashni të madhe.
Me jetue nji dashni të madhe, po ju lajmroj, asht e domosdoshme me pasë shumë kujdes prej “mikut të vjetër”, pse tuj qenë gjithnji vetëm, dëshiron me ju ba si vedja: me u ndje edhe ju të zhgënjyem prej dashnisë së madhe .

Duhet me qenë tejet i vëmendshëm edhe prej çdokujt që s’ka qenë i dashunuem, sepse kushdo që s’e njef pasionin dashunor asht gjithnji gati me ua përdhosë dashninë e madhe.

Me e jetue nji dashni, duhet me depërtue thellë te e vërteta; pse s’mund të ketë nji dashni pa besnikëri – dhe me e jetue si duhet n’nji dashni të madhe.

Pra kushdo që e tradhton dashninë e tij për kotësina, asht i pavetdijshëm për lirinë, për ma të madhen liri, at të pakufishmen, lirinë e papërshkrueshme që mundet me e sjellë veç dashnia e vetme.

Me jetue nji dashni të madhe, përveç se me qenë besnik, duhet me qenë njoftës i artit të kuzhinës dhe xhudos – me jetue at dashninë të madhe.

Me jetue nji dashni të madhe e të përsosun, s’mjafton me qenë veç njeri i mirë; duhet të keni gjithashtu edhe krahnuer, krahnuer me u grahë fort rremave.

Asht e domosdoshme që ju gjithnji ta shihni të dashunën tuej të ambël si të fejuemen tuej të parë, po edhe si vejushën tuej, mbështjellë me qefinin e dashnisë suej sublime.

Asht absolutisht e domosdoshme që ju të merrni nji kredi për drandofile pranë nji dyqani lulesh – pse vlen shumë, shumë ma tepër se nji rrobaqepëse – për me e ba të kënaqun nji dashni të madhe.

Sepse ajo çka i intereson me t’vërtetë dashnisë e madhe, asht vetë dashnia, dashnia e bollshme; mandej nji pjatë groshë me patatet e skuquna s’asht veç nji shërbesë…

Asht shërbesë e madhe me dijtë me gatue do gjana të thjeshta: si fjala vjen vezë të fërgueme, karkaleca deti, supna gjithfaresh, salca t’llojllojshme, biftekë Stroganof – gjithfarë vogëlsinash mbas nji dashnie vlejnë.

S’ka gja ma të bukur se me shkue në kuzhinë e me përgatitë me aksh të shpirtit nji pulë a nji pjatë të pasun e të shijshme për dashninë e madhe?

Me jetue nji dashni të madhe asht shumë, po shumë e randësishme me jetue gjithnji bashkë n’se do të ishte e mundun; pse njeriu i vetmuem – për mos me vdekë prej hidhnimi, e ndjen të domosdoshme me u përkujdesë vazhdimisht jo veç për trupin, po edhe për mendjen, sepse n’se e dashtuna e ndjen kët “rrzim” tonin – dashnia ka nisë me marrë pak të ftofun.

Duhet me qenë shumë të sjellshëm pa mirësjellje; të ambël dhe paqtues pa qenë të flashkët; duhet me dijtë me fitue parà prej poezisë e me fitue para për poezinë!

Me e jetue nji dashni të madhe asht e nevojshme me pi edhe Whisky, (pa rrezikue asnjiherë si nji pijanec i keq!) e me qenë krejt indiferent ndaj çdokujt – çka do thotë ai – s’ka asnji lidhje me dashninë.

Po e gjitha kjo ka me qenë krejt e pavlerë n’se në kët pyll të zymtë e të pashtigje, ju s’keni qenë i zoti me gjetë nji të dashtun – dhe me jetue me të, nji dashni të madhe!

Në shqip: Jozef Radi

ObserverKult

Lexo edhe:

ARJOLA ZADRIMA: T’KAM THANË SE DASHNIA I GJEN T’MARRËT