Hora e Arbëreshëve shtrihet rrëzë malit të Picutës, njëzet e katër kilometra larg nga Palermo. Në të djathtë të saj shtrihet qyteti i Monrealit.
Të parët e arbëreshëve që shkuan në Italinë e jugut, fillimisht zbarkuan në Solunto, afër Palermos, por nuk u lejuan të vendoseshin aty dhe u drejtuan për në vendet që sot quhen Hora.
“Hora është ngulimi më i madh arbëresh. Ajo shtrihet në një pllajë, rrëzë maleve, ndërsa poshtë hapet një luginë, përfund së cilës llamburitin ujërat e një liqeni. Ishte një pamje e bukur, plot dritë, një dritë që vinte nga shtëpitë e gurta, nga malet shkëmbore, nga pasqyra e liqenit, edhe pse dita ishte në të thyer. Ai është mali i Picutës, – thotë Paskali, duke na treguar një nga malet që i rrinë në shpinë Horës. Interesant, – thotë Zefi, – një Picutë e lashë në Shënkoll e një e gjeta këtu. Si shpjegohet ?”. Kështu shkruan Prof. Nasho Jorgaqi te libri i tij “Larg dhe afër”, pas vizitës tek arbëreshët në Itali. (fq.161).
Duke e ftuar të vizitojë Horën, Zef Skiroi i shkroi atëherë Prof. Nashos : “Çdo katund i yni e quan veten kërthizë të botës arbëreshe, por në të vërtetë ne jemi kërthiza e Arbërisë!” (N. Jorgaqi, Larg dhe afër, fq.154). “Nuk dihet mirë se në ç’muaj e në ç’mot të viteve 80 – të të shekullit XV një vargan njerëzish, duke zbritur nga veriu, u dukën në Qafën e Picutës. Vendi ishte i shkretë, tokat qenë djerrë. Këta njerëz, të lodhur e të rraskapitur, që flisnin gjuhë të huaj, ngritën në qafë të malit disa tenda ushtarësh. Legjenda tregon se atë kohë bënte ftohtë e fishkëllenin grykat e maleve. Pleqtë e fëmijët nisin të mërdhinin dhe atëherë turma zbriti më poshtë, fare në fushë, atje ku sot gjendet liqeni. Po përsëri nuk ndiheshin mirë dhe u kthyen mbrapa, duke u ngjitur pesëqind metra më lart, aty ku ngrihet tani pjesa më e vjetër e katundit. Kjo është Piana, siç e thërrasin vendasit, po që në shqip do të thotë Fusha. Prej asaj kohe u quajt Piana degli Albanesi – Fusha e Shqiptarëve dhe me këtë emër të ri u shënua nëpër harta. Në pergamenët e vjetër e gjejmë me këto fjalë: “Nobilis Universitas Planae Albanesium…” (Qyteti fisnik i Fushës së Shqiptarëve). … Vetëm një pergamen që ruhet edhe sot, është i vetmi dokument që provon ardhjen e arbëreshëve të parë në Horë dhe themelimin e katundit të tyre. Sipas këtij dokumenti, më 30 gusht 1488 u lidh një aktmarrëveshje midis parisë së të ardhurve dhe kardinalit të Monrealit, Xhovani Borxhias. Në bazë të kësaj kontrate zyrtare, refugjatëve shqiptarë u njihej e drejta të vendoseshin në feudet e Merkut e të Apudingjit.
Dokumenti është legalizuar në Palermo në dy gjuhë, italisht dhe shqip dhe është nënshkruar nga bujarët Jan Barbati, Pjetër Bua, Gjergj Golemi, Jan Skiroi, Jan Markaluzi, Thoma Thani, Teodor Dragoti, Gjergj Barleshi, Gjergj Lashari e të tjerë”. (Po aty fq.167).
Duhet sqaruar se ky Gjergj Golemi nuk është princi Gjergj Arianiti, i cili vdiq në vitin 1462 në Durrës dhe u varros në katedralen e Shën Maria të Ipeshkëvisë së Durrësit, por një pinjoll i mëvonshëm Arianitas. “Për viset se nga kanë ardhur në Horë dhe sot nuk janë të gjithë në një mendje. Disave u pëlqen të thonë se e kanë origjinën nga Shkodra, po më shumë ka të ngjarë të jenë nga viset e jugut, sidomos nga Himara e Çamëria.
Më vonë më 1532 Hora u rrit e u fuqizua me arbëreshët e ardhur nga Korona e Moresë”. (Po aty, fq 167).
Hora ka 6 deri në 8 mijë banorë. Është thjesht arbëreshe, me vetëm disa familje italiane. Një pjesë e quajnë Horën si Korça arbëreshe, sepse ajo ka qenë një vatër patriotizmi dhe përpjekjesh për progres. Në kohën e luftës së Garibaldit më 1860, nuk mbeti familje në Horë pa marrë pjesë në këtë luftë të shenjtë. Si luftëtarë të spikatur nga Hora në këtë luftë përmenden mbiemrat Peta, Matrënga, Petroja, Suli (Sula, shënimi im F.F), Stasi, Skiroi (Skura, shënimi im F.F), Kuçea (Koçi – shënimi im F.F) e plot të tjerë. Prof. Nasho Jorgaqi u shpreh në një takim në Horë: “Ju keni lindur revolucionarin e shquar Nikolla Barbaton (1856 – 1923), që ka luftuar për të drejtat e të shtypurve e për drejtësinë shoqërore, i njohur në historinë e Italisë punëtore”. ( Po aty, fq.189).
Në fshatin Sendastinë, në jug të Horës, Prof. Nasho takoi Prof. Zef Kiaromonte – Muzaka, që kishte ardhur nga Palermo për të ndihmuar në kurset e hapura në fshat për njohjen e gjuhës shqipe e të folklorit. Ai kishte thënë: “Emrat e familjarëve (në Sendastinë, shënimi im F.F) janë nga më të vjetërit si Muzakajt, Matrëngët, Lleshët, Riolot, Skirojt. … Gjurmët e së kaluarës këtu janë më të pakta se në Horë, e megjithatë, po t’i kërkosh i gjen. Ja një prej tyre. Është shtëpia e katragjyshërve të mij, e familjes së Muzakajve. Të parët e saj erdhën në Sicilipas vdekjes së Skënderbeut. Në historinë e atyre kohëve të ndritura dera jonë është e njohur dhe e nderuar.” (Po aty, fq.195, 197). Në atë vizitë në Siçili, Prof. Nasho Jorgaqi u takua dhe u njoh me kryetarin e bashkisë së Horës, Xhakomo Kuçia (Koçi, shënimi im F.F) dhe me mësuesen patriote Xhuzepina Kuçia (Koçi, shënimi im F.F). në këtë rast mësoi se që më 1902 ishte krijuar shoqëria kombëtare e arbëreshëve të Palermos, me degë në Horë, në krye të së cilës ishte Franko Muzaka. Në Kozenca të Kalabrisë, Prof. Nasho Jorgaqi u njoh me mbiemrat arbëreshë si Gropa, Skura, Muzaka, Skutari, Mashi.
Për të patur të dhëna sa më të plota në interes të shtjellimit argumentues të hipotezës së shtruar që në titullin e këtij shkrimi, po iu referohemi edhe disa librave të tjerë me fakte tepër interesante. Në librin ‘Shëngjergji’, fq. 135, studiuesi Dhori Qiriazi sjell fakte të plota, gati të pamohueshme se: ‘Motivi i poemës “Kënga e Sprasme e Balës” e Gavril Dara (I Riu) e ka frymëzimin nga krahina e Shëngjergjit dhe Çermenikës. Ja një pjesë nga kjo poemë që lidhet me faktin e mësipërm: Maj Gurmadhit zhveshur/ Për te hija e lisit t’helmët/ Veç gjith’ ballëfshehur/ rri i madhi i Golemëve.”
Po në këtë poemë gjenden edhe mbiemra e toponime që lidhen me dy krahinat e lartpërmendura si Mara e Bitërve, Muzhakët, Lalët, (Bala – Balla, shënimi im F.F), mbiemra që i gjen me shumicë në Gurakuq, Orenjë, Shëngjergj. Po kështu toponime si : Mali i Gropës, Guri i Muzhakit. … Komuniteti arbëresh i Italisë, i ka ruajtur traditat, kulturën dhe gjuhën e bukur Albaneze, që me të drejtë Prof. Françesko Altimari e quan “Dialekti arbërisht”, pasi është gjuha mesjetare që flisnin albanezët dhe arbëreshët e Italisë, pra ka ekzistuar krahas dy dialekteve gegërisht dhe toskërisht”. (Prof. Dr. Ferit Balla, Bij të mëdhenj të Çermenikës dhe të gjithë Elbasanit, fq. 51, 53, 54). Në një historik për Zdrajshin, Genc Leka, që më 1963 shkruan: “… flitet se disa persona (familje të tëra, shënimi im F.F) nga zona e Çermenikës janë larguar qysh në kohën e Skënderbeut… Këta janë përqendruar në Shkodër dhe në Italinë e Jugut (Kalabri), (edhe në Sicili, shënimi im F.F). (F.Fixha, Zdrajshi – Izranishi i lashtë, fq. 112).
Në librin tim të cituar më lart, shkruaj: “Pas ngrënies së darkës, dasmorët shkonin nëpër mjediset ku ishin para darkimit dhe sërish niste ahengu. Një pjesë largohej, të tjerët vazhdonin këngë e valle deri afër mesnatës. Në këtë kohë bëhej edhe ceremonia e heqjes së duvakut të nuses nga njëri prej vëllezërve të dhëndrit ose një nip shtëpie (që duhej të ishin të martuar) dhe gjëmonte kënga e grave për bukurinë e nuses. Kur bëhej ky rit, shumica e dasmorëve ishin larguar, kurse të afërmit dhe familjarët mblidheshin në shtëpinë e bukës dhe kërcenin e këndonin Horën e mëngjesit.” (fq. 172 – 173).
Le të qëndrojmë tani tek pyetja: A ka lidhje emërtimi Hora i ngulimit arbëresh në Sicilime emrin e valles së lashtë Çermenikase Hora e mëngjesit (vallja e nuses)?
Unë shprehem pa mëdyshje: PO. Përse?
Së pari, mbiemrat e arbëreshëve, kryesisht në Horë që përmenden nëpër faqet e librit “Larg dhe afër” të Prof. Nasho Jorgaqit, janë të njëjtë me mbiemrat çermenikas të cilët përmenden në librat “ Bij të mëdhenj të Çermenikës dhe të gjithë Elbasanit” të Prof. Dr. Ferit Ballës, “Shmili një rrugëtim në shekuj” të Agim Qokut dhe librin tim “Zdrajshi – Izranishi i lashtë”. Të tillë mbiemra janë : Gropa (Qoku), Mashi (Mazhi), Skura (Skiroi), Muzaka, Skutari (Shkurta, I shkurtëri), Berbeti (Barbati), Golemi, Suli (Sula), Kuçia (Koçi), Lleshi etj.
Së dyti, mbiemrat dhe toponimet që përmend poeti i madh Gavril Dara (I Riu) në poemën e tij të bukur “Kënga e Sprasme e Balës”, ekzistojnë edhe sot në Çermenikë. Këto Gavril Dara (I Riu), domosdo i ka dëgjuar në kontaktet me arbëreshët çermenikas në Horë etj. Ndoshta edhe nga të parët e tij që mund të kenë qenë me origjinë nga kjo krahinë.
Së treti, emërtimi Hora i ngulimit arbëresh në Sicili nuk shpreh asnjë kuptim tjetër në gjuhën italiane, pra është një emërtim shqiptar.
Së katërti, “Dialekti arbërisht”, siç e quan Prof. Françesko Altimari, është gjuha e bukur albaneze që ka ekzistuar krahas dy dialekteve gegërisht dhe toskërisht. Çermenika, vendlindja dhe zotërimi i Arianitëve ka qenë pjesë e Shtetit të Albanisë në vitet 1190 – 1255 dhe e Mbretërisë së Albanisë (1267 – 1373) prandaj “gjuha e bukur albaneze”, “dialekti arbërisht”, është pikërisht e folmja çermenikase.
Së pesti, vallja e kënduar Hora (Vallja e mëngjesit), një valle e lashtë, me vlera koreografike dhe muzikore, quhet kështu vetëm në fshatrat e Çermenikës. Edhe sot e kësaj dite, ardhur e pa ndryshuar nga shekujt, ajo është shumë e bukur, dinamike dhe gazmore. Kuptohet, teksti i saj ka ndryshuar deri në tjetërsim.
Këtë valle “e morën” me vete çermenikasit që u ngulën në Sicili. Edhe pse ata nuk ishin shumica e emigrantëve shqiptarë të vendosur atje, bukuria e valles Hora imponoi tek të gjithë shqiptarët e emigruar që vendbanimi i tyre i ri në Sicili të quhej Hora.
Nuk e di nëse kjo valle njihet dhe luhet akoma në Horën Arbëreshe apo është harruar dhe tjetërsuar nëpër rrjedhën e kohës, por është e sigurt se në vitet 80 – të të shekullit XV, kjo është luajtur e pëlqyer aq shumë sa shqiptarët arbëreshë të të gjitha krahinave shqiptare, vendbanimin e tyre të ri në Sicili e quajtën me emrin Hora, siç është edhe emri i valles çermenikase/ Ferit Fixha, Dita.