Si e humbëm Lurën?

Nga Marsel Lela

Ndërsa ecim rrugëve të Tiranës, te ‘Komuna e Parisit’, Sevin Serjani, një mik dhe aktivist i shoqërisë civile, më tregon një histori sa komike aq edhe tragjike. Një ndodhi që i kishte ngjarë disa aktivistëve për mbrojtjen e natyrës, të cilët ishin nisur drejt Parkut të Lurës për të mbjellë disa pisha. Mjeti me të cilin ata udhëtonin që nga Tirana nuk e përballonte dot rrugën deri te Parku dhe aktivistët vendosin të gjejnë një makinë më të madhe, që mund të ecte nëpër rrugën e keqe.
Një banor i zonës, që ishte aty i pranishëm, u vjen në ndihmë duke u thënë se do të përpiqej të gjente një makinë të përshtatshme, që të mund t’i nxinte të gjithë. Ndërkohë ai nxjerr telefonin dhe merr dikë, të cilit i drejton këtë pyetje: ‘Ben, a do të shkosh sot lart për të prerë pemë se kanë ardhur ca nga Tirana për të mbjellë?’
Këtë histori Sevini ma tregon ndërsa shkojmë tek ‘Galeri E. Rira’, ku artisti Ajet Rira ka zhvilluar një ekspozitë me titull ‘Si e humbëm Lurën’. Ekspozita përmban foto të masakrës ekologjike që i është bërë jo vetëm asaj zone, por gjithë Shqipërisë. Një prej parqeve përrallore, i njohur edhe jashtë Shqipërisë për bukuritë, sidomos për shtatë liqenet idilike, Parku i Lurës ka qenë kurora e lavdisë së peizazhit malor shqiptar.
Por sot kjo Lurë ka mbetur vetëm në kartolina apo intervalet e dikurshme të TVSh-së. Kush nuk ka mundur ta vizitojë përpara ekocidit që dora e njeriut bëri ndaj këtij Parku, nuk do mund të thotë kurrë se e ka shijuar plotësisht madhështinë e tij. Fotografitë e Ajet Rirës janë plagët e Lurës që kullojnë gjak në sytë e të gjithë atyre që janë të dashuruar me natyrën, e që janë mirënjohës ndaj bujarisë së saj. Në to shihen hektarë të tërë pyjesh të shkretuar pa mëshirë nga motosharrat që nuk kanë kursyer as drurët qindravjeçarë.
“Unë jam nga Rrajca, që ka Shebenik-Jabllanicën që është pjesë e UNESCO-s. Jam i apasionuar që në vogëlinë time me pyjet.” Kështu e nis rrëfimin e tij artisti Ajet Rira, duke shtuar se Rrajca ka një madhështi tjetër në raport me Lurën që është sot. Ai tregon për Politiko.al se nuk ka pasur mundësi ta vizitojë Lurën në atë periudhë, por ai e shijonte atë gjithmonë nëpërmjet një hapësire televizive te TVSh-ja. Bëhet fjalë për një interval muzikor ku në sfond ishte Parku i Lurës. Rira shprehet se ato pamje i ngjasonin me Pyllin e Zi në Gjermani, i cili e ka marrë këtë emër nga dendësia e madhe e pemëve në të. Këto pamje ngulitën në mendjen e Ajet Rirës dëshirën për të parë Lurën.
“Unë shkova në Lurë për ditëlindjen time dhe në momentin që arrita atje u përballa me gjithë këtë masakër që në të gjithë udhëtimin tim turistik dhe në të gjitha daljet e mia në Evropë dhe Perëndim, unë nuk kam arritur të gjej dot arsyen se çfarë mund ta shtyjë njeriun që të shkaktojë një kasaphanë të tillë”, shprehet Rira.
Ishte pikërisht kjo ajo që i dha atij spunton për të bërë një projekt të mbështetur nga Fondi Zviceran për Kulturën në Shqipëri, të cilin ai e përktheu në një ekspozitë fotografike rreth gjithë asaj masakre që i kanë bërë Lurës.
Ai shton se do ta mirëkuptonte prerjen e pemëve nëse kjo do të bëhej për interesa të vogla, siç është shfrytëzimi i druve për zjarr. Por sipas tij, pas kësaj kasaphane ka edhe një realitet tjetër të hidhur që lidhet me prerjen në masë të këtij pylli, jo thjeshtë të disa pemëve. Me keqardhje, Ajeti shprehet se dëmi që i është bërë Shqipërisë me prerjen e pemëve në Lurë është disa miliard dollarë. Për të kjo histori mund të kuptohet vetëm nga disa që kanë njëfarë kulture, ndërsa pjesa tjetër e shohin, siç thotë ai, si ‘fshati në festë’. “Nëse e shikon me vëmendje te fotot që kam paraqitur në ekspozitë, gjithçka këtu është prerë me motorsegë dhe nuk bëhet fjalë që pemët e prera të jenë shfrytëzuar vetëm për dru zjarri. Njerëzit përpiqen ta shesin ndryshe duke thënë se Lura është e bukur, sigurisht që Lura është e bukur pasi ajo ka peizazhe, ka bimësi dhe gjallesa të ndryshme, por Lura sot është një masakër e bërë nga dora e njeriut.”
Rira e hedh poshtë idenë se kjo masakër është bërë nga vendasit, apo barinjtë, pasi ai shikon pas këtij ekocidi dorën e shtetit dhe përfituesve që kanë lidhje të ngushta me të. Këtu ai përmend disa statistika të frikshme, sipas të cilave ajo zonë është shpopulluar thuajse tërësisht.
“Ka një statistikë, nëse shkojmë sot në Lurë, ose në harkun kohor të 5-6 viteve të fundit nuk gjen dot më shumë se 5-6 njerëz. Njerëzit kanë ikur. Prandaj me disa terma abuzohet, pasi nëse marrim deklaratat që ia vuri zjarrin bariu, apo i prenë barinjtë, aty nuk ka më barinj. Nëse shkojmë bashkë do të shohim që ata njerëz që banojnë aty edhe kosin që përdorin e blejnë në dyqan.”
Përtej kësaj, dimensioni i liqeneve të Lurës ka një shtrirje shumë të mdhe gjeografike. Artisti shpjegon se për të shkuar nga liqeni i luleve tek liqeni i madh, aty ku vdiq ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Joseph Limprecht, është një distancë kilometrike sa nga Kodra e Diellit te Mali me Gropa.
Sipas tij, politika qendrore ka interes në gjithë këtë sepse një dru i atyre përmasave që është prerë në pyllin e Lurës ka një kosto shumë të lartë në momentin që kalon për eksport.
“Mund të jenë përdorur disa banorë të zonës në atë periudhë, por për të bërë punën e krahut dhe pjesa tjetër pastaj ka pasur një klan të mirëfilltë trafiku për gjithë këtë masakër që është bërë këtu.”
Rira shpjegon se ata nuk kanë treguar as interes për të folur, madje në dy apo tre raste kanë tentuar të humbasin edhe gjurmët duke i vënë zjarrin, por ka qenë një lëvizje jo e menduar sepse këta janë drurë që nuk marrin kollaj flakë e të zhduken si bari. Siç shikohet edhe në fotot e ekspozitës, zjarri nuk ka mundur t’u bëjë gjë trungjeve dhe ato kanë mbetur sërish aty si një provë e gjallë e masakrës shumëvjeçare që i është bërë Lurës. Disa nga pemët e prera, trungjet e stërmëdha të të cilëve duken në foto janë mbi 300 vjeçare sipas ekspertëve.
“Një sasi e tillë lënde drusore e çuar jashtë përkthehet në miliarda dollarë. Dhe po të shohësh sipërfaqet për metra katrorë që janë shpyllëzuar në atë vend do të kuptosh që shifra është marramendëse”, rrëfen Rira.
Ai shprehet se ka dëshirë ta zhvillojë këtë projekt për të shkuar edhe në vende të tjera ku natyrës shqiptare i janë bërë masakra të tilla. Artisti shpjegon se ky është një projekt relativisht i kushtueshëm në dy aspekte. Së pati në aspektin financiar, e së dyti është edhe aspekti tjetër ku, sipas tij, duhet të jesh i zgjuar për të gjetur kohën që mos të krijosh tensione, sepse ka disa njerëz të cilëve mund t’u preken interesat nga kjo dhe ai është personi që duhet të përballet direkt me këtë.
Më tej ai shton se i ka kërkuar ndihmë shtetit që të mund të sillte në ekspozitë disa trungje që të ishin prezentë aty, pasi sipas tij, kjo është mënyra e vetme që njeriu të identifikohet me madhështinë e tyre. Kjo ndodh për shkak se në natyrë objektet humbasin pasi janë në habitatin e tyre, në hapësirën e tyre dhe pamja duket krejtësisht normale. Por duke i parë në një ambjent tjetër, arrin ta dallosh më mirë përmasën që ato kanë.
Sipas artistit Ajet Rira, në më pak se 20 vjet kemi humbur mbi 380 km2 sipërfaqe pyjore. Thënë më qartë, kemi humbur sipërfaqen e Bashkisë Durrës dhe Sarandë të marra së bashku. Krahas pyjeve, kemi humbur vlera të pallogaritshme në oksigjen, biodiversitet dhe përjetime natyrore dhe sociale. Nëse vazhdohet me këtë ritëm, shumë shpejt hapësira pyjore e Shqipërisë do të reduktohet në trungje cung, hapësira djerrë, përmbytje masive të përsëritura e të tjera katastrofa ekologjike. / Politiko.al