Nga Agim Morina
1.Intelektshtajni nuk asht, qysh mun duket nё shikim tё parё, prodhim i ri. Poende, asht ma i vjetër edhe se vetë frankeshtajni. Shumë ma i vjetër. Intelektshtajni, qysh mun m’u marrë me mend, nё një mёnyrё, asht e kundërta e intelektualit. Nëse frankeshtajni qe gatu prej copash të dhjeta kufomave tue e marrë herë dorën e dikujt, herë këmbën e tjetrit, intelektshtajni asht gatu prej dhjeta kufomash mendore kështu që asnjë fjalë që e nxjerr prej goje s’asht mendu në kryet e tij ose, edhe nëse asht mendu në trurin e tij, aj mendim asht stramastik i shumë copave trunore xhenazesh. Intelektshtajni ma së miri mun m’u përfshi në atё shprehjen popullore se “asht Vet-i-treqindti”, sepse gёzon privilegjin qё nёn rrashtё tё palojё treqind pjesё truri treqind vetash. Dhe mun m’u marrë me mend se çka mun me ndodhё me një gjykim që asht rezultat i mendimit të treqind vetave tashma tё ndjerё. Dhe ashtu qysh gjestikulacionet e frankenshtajnit janë të pabaraspeshuara e tё pabashkёrenduara, tue qenë arnesë mishi, ashtu edhe mendimet, gjykimet e intelektshtajnit janë të çoroditura, pa lidhje, tue qenë arnesë gjykimesh. Intelektshtajni i arnon vargjet e bisedave të eprorëve të tij, të cilët i ka ndëgju tue pi kafe ose shurup drandofilash nё ndonjё restorant tё shtrejtё apo nё ndonjё takim nё ndonjё bodrum ambasade dhe i trajton ato si tё tijat. Ka pa dikënd me kapuç majuc, apo me vath, apo me mjekёr tё parruar dhe nesёr e sheh intelektshtajnin tue pozu me to.
2. Derisa frankeshtajni asht kriju për me i bë sfidë vdekjes, asht përpjekje e një shkencëtari që lyp përgjigje për msheftësinë e jetës e të vdekjes, intelektshtajni asht fryt i përpjekjeve të Mjeshtёrve të caktuar për m’u shërby me të qysh asht ma së miri për ta, pra, aj e lyp msheftёsinё e suksesit e tё famёs sё shpejtё e tё pamerituar apo ngritjen në karrierë. Kështu, ndër treqind copat e trurit të ngjitura për faqe të zezë nën rrashtën e tij, Mjeshtërit ia ngallmojnë pikërisht ato që atyre u duhen në vendin dhe nё kohën e caktuar. Derisa frankeshtajni, i cili, herë mbas here, kur e sheh veten në pasqyrë, kur e sheh veten se në ç’gjendje ka ra, mallkon veten dhe krijuesin e tij tue e pa veten si ma fatkobin në botë, intelektshtajni, lëre që vetë nuk e mendon kurrë këtë, por atij edhe ma shumë i hyn vetja në huj e shkrun lavde për Mjeshtrin e tij dhe uron ditën kur Basi i tij ka le. Pёr pasojё, aj e ndin veten ma të lumturin në rrokulli, ma fatbardhin nё gjithёsi.
3. Nuk duhet shumë mend e me dijtë se intelektshtajni asht nxirak. Asnjë mendim i tij nuk e ndjek një të maparshmin. Asnjë bindje e tij s’asht fryt as pasojë e zhvillimit të tij të vazhdueshëm mendor. Veprimet e tij janë zingjir dështimesh. Biografia e tij asht statistikë maskash. Veçori spikatëse e intelektshtajnit asht mungesa e tij e ndjenjës për kohën dhe hapësirën sepse kohë-hapёsira e tij asht kohё-hapёsira e Mjeshtrit tё tij. Tue qenё kёshtu aj flet shatra-patra; thotë ‘mirëmbrëma’ në mëngjes ose themelon parti për rujtjen e dinozaurëve, ndërsa edhe zogjtë e dijnë se dinozaurët janë zhdukё para miliona vjetësh! Ma vonё, pa i ardhё marre hiç, tue kujtu se njerёzit e tjerё hanё bar, thotё publikisht: ata qё themelojnё parti pёr rujtjen e dinozaurёve janё tё çmendur, ahmakё e bij ahmakёsh. Dinozaurёt nuk egzistojnё ma! Kёtë e thotё me një mendjemadhёsi tё atillё thu se e ka zbulu kufirin e gjithёsisё. Dhe, natyrisht, e vetmja garё qё çdo i ndershёm doemos del humbёs me intelektshtajnin asht paftyrёsia. Sepse paftyrёsia e tij s’njeh kufi.
4. Nuk duhet kujtu se intelektshtajni asht me ka krejt trullan, lolo, leshko e trudalë. Larg kësaj. Aj e din shumë mirë se nuk asht i zoti që kurrnjë pune m’i dalë matanë. Aj asht gjysëhoxhë. E gjysëhoxha, qysh thonë, ta prish fenё. E intelektshtajni prish çdo gjë. Sepse aj mendon se ndërton tue prishë. Aj prish edhe atё pak gjësend që sapo ka nisë me e bë, sepse urdhri i ri i Mjeshtërve të vjetër e gjen gjithmonë në gjysë tё punёs tue zbatu urdhrin paraprak. Eprorëve të tij gjithmonё u pёshpёrit kёndimthi: ‘Pooo! Si urdhnoooni!’ ndёrsa vartёsit e tij pёrhera i dёrrmon me rrufe: ‘JO’-jash. Din kujt dhe kur m’ia lёpi këmbёt. Poende edhe pak pёrmbi këmbё. Dhe din kush pranon m’ia lëpi këmbёt atij. Sepse intelektshtajni e gjen intelektshtajnin si norka norkën nga krrokamat, si hijena hijenёn tue ia nuhatë shurrën.
5. Intelektshtajni asht mёsu me ndёgju vёmendshёm dhe me mbajtё nё mend vetёm pjesё, fragmente tё gatshme tue mos ua kёrku as shkakun, as pasojёn. Aj gjithmonё asht dikund tue bisedu me dikënd. Ndёrsa shfaqet si person i interesuar nё fusha shkencore e akademike. Aj bisedat i shtron gjithmonё tue pyetё provokueshёm ose tue kundёrshtu çfarёdo pohimi pёr me nxjerrё e me ndёgju sa ma shumё pёrgjegje. Shpesh atë qё e ka lexu dje don me ta thënё me saktёsi dhe don m’u bisedu vetёm rreth asaj çështjeje sepse vetёm aty ndihet i sigurtё. Kur ec ose kur flet e mban një vetull ma nalt, tue u pёrpjekё qё sё paku me vetull tё varet aty ku s’mun m’u varё me zotёsi intelekti dhe s’don as ftyra e tij m’u dukё simetrike sepse te aj çdo gjë asht mbretni e asimetrisë. Sapo rrin me një politikan mendon se asht bë politikolog sepse paska arrijtё me i shtru dy pyetje ‘tё vёshtira’ bashkёbiseduesit tё tij, edhe ato tё huazuara prej një kuvendi tjetër. Posa darkon me një ekonomist mendon se mun me regjistru tashma magjistraturёn n’ekonomi sepse nё disa pyetje ekonomisti i i tij s’kishte arrijtё m’u pёrgjegjё qysh ka ndёgju aj prej një ekonomisti tjetёr. Aj asht i zoti pёr çdo gjë, pos me mendu e me gjyku drejt tue u nisё prej aksiomash tё veta. Shpesh e arsyeton kёtë me faktin se priton me mendu. Dhe kёte nuk e sheh si një mungesё. Pёrkundrazi e çmon si cilёsi tё rrallё. Fjala vjen, arsyetohet aj, a duhet krejt na me ditё me bë televizora apo duhet me i bë do pare e me shku me e ble nё shitore një televizor të gatshёm? Natyrisht, po u bindёm – si aj – se krahasimi qёndron pohimi i tij del shumё i logjikshёm.
6. Frankeshtajni e njeh veten pёr ma tё shёmtuemin, ndёrsa intelekshtajni e mban veten si boll tё bukur. Qebesa edhe shumё tё bukur. Dhe sado qё trushartuar kjo i reflektohet edhe nё jashtёsi dhe doemos ta kujton neandertalin, llojin e zhdukur njerёzor, tё cilit truni s’i punoi qysh duhet dhe u bë arsye pёr zhdukjen e tij. Megjithёse intelektshtajni, tue qenё arnesё, tue pasё zorrёn e Mjeshtrit nё gojё si foshnja nё barkun e s’amёs, ka arrijtё me kriju jetё tё pёrkohshme mendore, edhe gjykimet, edhe bindjet e tij rrnojnё aq sa mushkojat – një ditё.
7. Mjeshtërve tё tij intelektshtajni u shёrben verbërisht dhe kёrkon shёrbim edhe ma tё verbёt prej çirakёve tё tij. Tue u naltu nё hierarkinё intelektshtajniane aj mendon se po bëhet ma i mençёm dhe jo ma dinak. Dobёsia e tij janё paret dhe pozitat apo anasjelltas. Gjithmonё keqkuptohet prej rrethit dhe mirёkuptohet prej Mjeshtërve. Virtyt pёr të asht me mbetё mbi sipёrfaqe me çdo kusht. Qoftё tue e ngulfatё secilin pёrreth pёr me mbetё gjallё, qoftё tue verbu çdokend pёr me pa, qoftё tue i hangёr pёr sё gjalli tё tjerёt pёr mos me vdekё urie. Arsyetohet me pohimin e mjekёve që thënkan se nё luftёn pёr egzistencё s’duhet vepru ma me logjikёn e zakonshme njerёzore.
8. Intelektshtajnёt, si gjeluca tё pёrkohshёm, çdo gjë e kanё tё huej, pra edhe puplat, edhe zërin, edhe ngrehalucërinё… Zëri i tyre nyjtohet nёpёr kofshё aparatesh ma moderne, pra, tingёllon i fortё e gjithpёrfshirёs. Por, fatbardhёsisht, pakkush ua vë veshin. Nё çdo shartesё tё re informative, aj, si halamruk qё asht, don me e pa veten tё lavduar. Pra, shkrun vazhdimisht nё gazetёn e vet, nё tё cilёn thotё se s’asht gazetar – mbasi ka dёshtu nё gazetari; e qun veten tjetёrqysh, shpik ndonjë emёr, ndonjë profesion tё ri sepse i don emёrtimet kuptimet e tё cilave janё tё paqarta, tё mjegullta. E tё tilla janё emёrtimet e hueja, tё reja, ma pak tё njohura. Tue mos e shu krejtёsisht kёnaqёsinё e vetёlavdimeve aj i detyron çirakët e vet, nё gazetёn, nё radion apo nё televizionin e vet, apo nёpёr kafet e qytezave me e lavdu atë, me komentu ndonjё veprim apo thënie tё tij, tue e ndёrlidhё me ndonjё emёr prej Mjeshtërve. Një emёr i huej dhe emri i tij aty e bëjnё ma me peshё, ma tё rëndёsishёm. Nё gazetёn e vet i del syreti tue qeshё ngurrueshёm sikurse kur e djeg supa qё e pin pёrfundi tavolinёs sё Mjeshtёrve tё tij, apo sikurse qeni që krrun bythën për asfalt. Artikullin e tij e stolisin artikujth tё tjerё tё çirakёve tё tij nё tё cilat fryhet pleshti i tij. Vepron me thënien e evgjitit: ‘Kush s’e lavdon veten, ju kalltё shpija!’ Kjo quhet moto e gazetёs sё tij. Artikujt e tij janё, prap, krejt tё paqartё, larg çdo interesimi tё tij qoftё edhe tё pёrkohshёm pёr ndonjë fushё tё caktuar. Shkrun pёr sistemin e ujёsjellёsit, fjala vjen. Ndёrsa një ditё tjetёr pёr strategjinё e aleancave ushtarake botërore. Pra, si i gjithёdijshёm, aj shkrun dhe din çdo gjë. Tamam si diktatorёt, ky asht diktatorth, i cili don me e bë pronё çdo gjë qё s’u takon Mjeshtërve tё tij. Gjuha e tij asht pёrplot kundёrshti logjike si pasojё e treqind copave trunore tё bëra kaçamak nёn rrashtё. Tue u pёrpjekё me thënё atë qё e kanё porositё Mjeshtërit, tue u ndeshё me fakte krejt tё tjera nё njëmendёsi, tue synu sa ma nalt e tue mos pasё takat mendor as me lёvizё prej vendi intelektshtajni flet pёrçart. Shkrun si prostitutat qё shkrujnё ditarin tue bë, nё ndёrkohё, seks me një myshteri. Kёshtu dorёshkrimi i del si shkarravinё, fjalёt e togfjalёshat shpesh janё tё hueja e fjalitё dalin pa ndonjё porosi, si pasojё e shkrimjes sё dallgёve epshore, tё gjakimeve karrieriste dhe turreve tё pafrenueshe emocionale. Pёr Mjeshtërit e tij shkrun lavdata tue ua rritё morrin pёr gjëra qё ata kurrё s’i kanё bë, e as s’e kanё pasё në fund të mendjes me i bë, ndёrsa kundër rivalëve të tij, tё cilёt s’ka guxim me i sulmu drejtpёrdrejt, i ndёrsen langojt e vet tue shpifё e tue i nxi nёpёr gazeta.
9. Ka intelekshtajn i cili ende as e din se asht i tillё, por një ditё, befas, e sheh tue shkru lavdata, veç lavdata pёr njerёz apo grupe njerёzish. E sheh tue ndejtё me një qё tashma asht i njohur si intelektshtajn. Apo shkrun nё gazetёn e një intelekshtajni. Apo flet nё televizor pёr astrologjinё. Befas e sheh nё një pozitё tё naltё: as meritu s’e ka, as mendu s’e ka se aty ka me qenё ndojherё. Por aj s’e mohon ofertёn. Pare e pozita aj s’mohon kurrё. Paraqitet se din shumё gjuhё, e gjuhёn e vet amnore e njeh pёr faqe tё zezё. Si kamerier dikur ka kёndu nёpёr oda dhe e zen veten pёr këngëtar qё ka shёnu epokё nё historinё e muzikёs ose ka vallёzu nё shkollёn fillore potpuri vallesh të hueja dhe tash mendon se Michael Jacksoni ka çka me mёsu prej tij. Pёrpiqet qё vulgut tё tij m’ia shartu idenё e trimnisё sё tij sepse dikur vonё merr urdhrin-kёshillё prej Mjeshtrit tё tij se populli tё cilit i pёrket vetё aj e adhuroka trimninё. Ikjet, qёndrimin e msheftё e tё sigurtё tё tij don me e paraqitё si pёrpjekje tejet tё rrezikshme ku ka mujtё m’e lënё kryet. Krejt kjo vjen ngaqё aj tash duhet m’u shfaqё si trim. Dhe aj bëhet m’u dukё trim. Kryet qё gjithmonё e ka mbajtё pёrpjetё tash pёrpiqet me e çu edhe ma nalt. Natёn bën ngjeshje tё qafёs sepse i shtohen dhembjet tue u pёrpjekё me e çu kryet ma nalt se sa qё qafa biologjikisht asht ndёrtu me u çu. Në mëqakje të këtilla soji dhe sorollopi i tij nisin me i përngja ma shumë gjirafës sesa insanit.
10. Intelektshtajni, tue qenё trushartuar, mendon se din çdo gjë, e, fatkobsisht, din asgjë. Si kompensim pёr kёtё mangёsi tё tij tё dukshme aktrimi bëhet dhunti e lindur e çdo intelektshtajni. Tue aktru shёrbёtorin stёrbesnik, eprorin e rreptё, menalokun e kujdesshёm, palaçon e kalamajve tё Mjeshtёrve aj e ngop çdo ndjenjё të mungesës e të gjytyrymllëkut qё i shfaqet herё pas here. Sepse çka vetëshkridhet e vetëspikatet në këtë botë jallane ma mirë e ma qartë sesa marrëzia?
11. E vetmja zotёsi, aftёsi e pamohueshme e intelektshtajnit asht zotёsia e tij me nёnshkru. Kёtu nuk ia kalon kurrkush. Dhe ndoshta profesioni i vetёm i mirёfilltё i tij asht kudonёnshkrimtaria e tij. Pseudonim i tij, dhe ndoshta emni-kod te Mjeshtërit e tij, asht Kudonёnshkruesi. Romane krejtёsisht tё hueja i nёnshkrun me emrin e tij. Nёse asht dёnu dikush me vdekje aj e nёnshkrun urdhrin pёr egzekutim, pa e njoftё njeriun dhe pa e dijtё se ç’krim ka bë. Nёse e ftojnё me nёnshkru shpallje lufte apo marrëveshje paqeje aj asht aty me vu imzanё. Ky virtuoz imzaxhi as s’ka nder, as ftyrё, as moral. Sepse me qitё imzanё e tij aj mendon se asht morali ma i naltё. Edhe nё popullin, tё cilin aj e nёnçmon dhe e mban pёr gjysёm tё egёr e tё pagdhendun – e n’emёn tё tё cilit aj gjithmonё qet dikund imza – asht zakon qё kur shkon me folё dikund n’emёn tё, sё paku, një tё dyti, duhesh me e pasё miratimin e atij tё dytit. Por, intelektshtajni ynё, i cili s’e ka miratimin as tё dorёs sё vet tё majtё pёr atё se çka nёnshkrun i djathti, tue e zanё veten pёr ma tё mençmin – gjithmonё deri nёn Mjeshtrin e tij – mendon se as dora e majtё e tij, as familja e tij, tё cilёt gjithashtu kurrё s’janё paraqitё publikisht se pranojnё atë çka nёnshkrun aj, aq ma pak populli i tij ‘budallё’, nuk janё tё vetёdijshёm pёr Çastin Historik. Por çështja asht qё, tue i pasё hy vetja nё qejf, intelektshtajni ynё mendon se çdo sekondё qё aj asht mbi tokё asht Çast Historik ndёrsa kur nёnshkrun, nё tё vёrtetё, asht Stёrçast Historik. Kёshtu qё s’ka çka i duhet atij miratimi i popullit tё tij, i familjes sё tij, qoftё edhe i dorёs sё tij tё majtё pёr çka nёnshkrun dora e tij e djathtё kur aj asht pёrcaktu prej hyjnisё sё tij – Mjeshtrit – me vu imzanё. Nёnshkrimin e tij e gjeni nё çdo nevojtore tё shkollave ku aj ka provu m’u shkollu. Nё bankat e amfiteatrave. Nё dyert e zyrave ku asht punësu si nёpunёs, profesor, inxhinier por e gjithë puna që ka me të vërtetë asht puna si kafexhi i Mjeshtërve. ‘Dy lugë kafe një lugë e gjysë sheqer’ – refreni ma i shpeshtë që kanë ndëgju veshët e tij.
12. Shpesh kudonёnshkrimtaria, poende, asht edhe zanat sekret familjar, sikurse argjendaria, pushkataria, bozaxhillёku dikur. Dhe trashёgohet, si çdo ndёrduarçmje, brez mbas brezi. Ndёrrohen pushtete, armata, pushtues e çlirues tё tё gjitha llojeve tё demokracive e tё diktaturave tё mundshme, por dora e Kudonёnshkruesit, e Imzaxhisё, ajo e djathta, asht gjithmonё mbi tavolinё nё këndin e djathtё tё letrёs. I vetmi ushtrim i mёngjesit tё intelektshtajnit tё tillё asht mbledhja-shtrirja e gishtave tё dorёs sё djathtё, ngritja-ulja me rend e tё pestave, stёrvitja tue mbushё fletё tё tëra me nёnshkrime, natyrisht, me myreqep tё zakonshёm. Aj e ka tё trashёguem doracakun e stёrlashtё qё quhet ‘Joga e Dorёs sё Shejtё’.
13. Tue pasё zanat familjar imzaxhillёkun, kudonёnshkruesit e kanё zhvillu deri nё përsosmëri punёn e prodhimit tё lëngut tё domosdoshёm pёr nёnshkrim – myreqepit. Ashtu qysh vija mashkullore e imzaxhive mёson se qysh nёnshkruhet dhe e stёrvit dorёn e djathtё, vija femrore mёson formulёn e gatimit tё myreqepit. Cilёsia e myreqepit asht tregues i pedigresё familjare nё punё imzaxhillёku. Ata qё sapo kanё hy nё tarikatin e imzaxhillёkut prodhojnё myreqep qё dobёt qё zbehet apo edhe shlyhet me kalimin e kohёs. Por ata qё kёtë e kanё traditё familjare formulёn e myreqepit jetёgjatё e rujnё nёpёr hajmalia, mshelё me shtatё dryna. Nёnshkrimi i tyre ka shkёlqim tjetёrfare dhe as shlyhet, as e humb shkёlqimin. Letra mbaron e prishet ndёrsa pjesa ku Kudonёnshkruesi ka kudonёnshkru mbetet tue vizёllu si argjendi që vjen tue u shkri. E kёta janё imzaxhi profesionistё. Ata jetojnё prej punёs qё quhet Kudonёnshkrimtari.
14. Por, si çdo profesion e zotёsi nё kёtё botё jallane, edhe kudonёnshkrimtaria ka hierarki. Janё kasta e naltё, kasta e mesme dhe kasta e ulёt e gjithkund-imzaxhive. Pёr me mujtё m’u pranu nё atё ma tё ultёn kastё, vetja e caktuar duhet me dijtё se qysh lahen këmbёt e hueja e qysh u pihet uji. Natyrisht, pёr një punё tё tillё duhet me e pasё lukthin e fortё. Nё fillim, tue pi ujin prej thembrave tё çara e tё zezave tё thojve, e ndytёsive tё nejeve, e puçrrave me qelb prej sheqerit të tepërt, rishtarёve u trubullohet lukthi. Vjellin netë tё tana dhe gati sa nuk i qesin zorrёt jashtё. Masandej dalngadalё nisin dhe e tretin gjithnjë e ma mirё. Sepse nisin e i lajnё ma shpesh këmbёt e Mjeshtërve tё tyre dhe, për pasojë, nisin e pinё ujё ma tё pastёr. Edhe lukthi, qebesa, shkon tue u mёsu. E, kёshtu, ata bëhen anёtarё tё plotё tё rishtarёve. Nё fazёn e dytё nisin m’u mёsu se qysh lёpihen kёpucët, pёr me vizёllu nё kambёt e Mjeshtërve qysh asht ma sё miri. Lёpijnё lloçin, fijet e baglave tё ngjituna pёr takat e këpucëve, e shkojnё kёshtu tue lёpi çdo gjë si langoi ashtin e hedhur nё baltё. Lёpijnё lugё, enё, sahana, tepsia, piruj, llulla, rrypa, faculeta tё pёrqyrravta, brekё, çorape, kapuça tё Mjeshtёrve. Dhe marrja e diplomёs pёr kastёn e dytё varet se sa tё suksesshёm kanё qenё gjatё lёpimjeve tё maparme. Nё kastёn e tretё janё ata, aristokracia e kudonёnshkruesve, me traditё tё lashtё familjare nё punё nёnshkrimesh, me gjuhё tё stёrvitur tё lёpimjeve, me hundёn pёrpjetё tё dinjitetit tё horrit dhe me faqen qё nuk skuqet kurrё tё llaskucit. Ata kanё nё shtёpitё e tyre trofe e diploma qё kanё marrё prej Mjeshtёrve gjysh e stёrgjysh. Janё kastё dhe martohen veç mbrenda kaste pёr mos me humbё shumё cilёsi si: msheftёsitё e stёrvitjeve tё dorёs sё djathtё, formulёn e pёrbërjes kimike tё myreqepit, stёrvitje e muskujve tё gjuhёs pёr lёpimje rrotullake, tё djathtamajtshme e poshtёpёrpjetshme.
15. Asht një strip, i cili ka pasё pёr personazh një njeri i cili bëhet i padukshёm. Por, pёr me mujtё m’e kallxu pamunisht se ku asht, autori i stripit e paraqet heroin e tij se si e vesh një dorёz nё dorёn e djathtё ashtu qё lexuesi me mujtё me ndjekё se ku asht personazhi i tij kryesor. Kёshtu, prej trupit të tij, na e shohim vetёm dorёn e djathtё se si shetitet poshtё e pёrpjetё. Tё kёtillё janё edhe Kudonёnshkruesit: tё padukshёm kur duhet tё duken nё punё tё vёrteta dhe tё dukshёm vetёm atёherё – me dorёn e tyre tё djathtё – kur duhet me nёnshkru dikund diçka. Edhe atёherё kur mendojmё se tashma janё zhdukё, nёse dojmë me i pa, veç duhet me nxjerrё një letёr tё bardhё e me thënё: ‘Na duhet një nёnshkrim!’ dhe ata na shfaqen pёrnjёheri ashtu qysh shfaqet divi kur fёrkohet llamba e Aladinit, por pёr intelektshtajnin mjafton m’e fёrku prapanicёn e magaricёs.
16. Intelektshtajnёt kanё zotёsi tё pakrahasueshme shёndrrimi. Sepse, si qoftёlargu, ata shumё lehtё trupzohen e shfaqen si dhelpra besnike, si ujq tё mёshirshёm, si gra virgjёnesha, si trima tё hallvёs, si zotni tё palagaçave, si komunistë besnikё, si ballistë tё pёrbetuar, si myslimanё tё fortё, si tё krishterё tё devotshёm. Ngjyra, pёrkatёsia e tyre, botёkuptimi, bindjet dhe çdo gjë tjetёr varen prej asaj cope tё shejtё letre dhe sidomos këndi i i poshtёm i djathtё ku duhet nёnshkru. Nёse duhet nёnshkru ndёrmjet palёve komunistё, intelekshtajni skuqet si prapanica e rrahun e majmunit, veç me u kallxu sa asht i pёrkushtuar nё punё ideologjie e besnikie. Shan me çka t’i vjen nё gojё fetё, e nalton Mjeshtrin ateist si nё poezi, ashtu edhe nё tregime e romane. Profetёt i qun kryerrenca. Tё shejtit lugatё tё pёrparimit njerёzor. Tё nesёrmen, kur vlera e nёnshkrimeve komuniste ka mbaru, e sheh krahaqafas me një prift se si betohet nё kryet e papёs e nё gjakun e Krishtit apo e sheh me tespihë nё dorё para xhamisё se si me hoxhёn bën muhabet rreth sharteve tё turknisё. Betohet se e lexon Kuranin nё origjinal, megjithёse tanё jetёn i ka quejtё arabёt popull tё egёr dhe gjuhёn e alfabetin e tyre krrokama e gjurma laraskash. As s’asht çudi kur e shohim se si shkrun parathënie apologjike pёr poezitё e ndonjë udhëheqësi tё cilin deri dje e ka qujtё derr. Komunizmin e quen verbri e marri. I mallkon tё gjithё ata qё kanё qenё komunistë tue u çuditё se qysh ka mujtё dikush me besu nё një botёkuptim tё tillё qё s’ka ditё çka asht mёshira, tue harru se vetё asht plakё e, qebesa, i ka plakё edhe tё tjerёt tue propagu madhёshtinё e komunizmit. Jep intervista tё gjata tue shitё mend pёr moralin, pёr atdhetarinё, pёr ndershmёrinё, pёr burrninё, pёr artin, pёr estetikёn. Gjuha e tij ka lёpi turlifarё prapanicash dhe me folё fjalё me tё cilat e zhyt veten nё gjiriz nuk asht punё e rëndё pёr të. Tue u plakё, mbasi ka tradhtu, ka propagu, ka shpifё, ka akuzu e ka dёshmu rrejshёm, mbasi ka marrё nё qafё dhjeta e qinda fate njerёzore qoftё fizikisht tue i rrasё nёpёr burgje, qoftё psikikisht tue propagu baglat pёr hoje bletash, intelektshtajnin e gjejmё jo rrallё tё kthyem nё besimtar tё devotshёm i cili predikon mёshirёn – e vetё kurrё s’ka dijtё çka asht mёshira, qoftё burrninё – pa u dёshmu kurrnjёherё nё jetё si i tillё. E, çka asht fund i kusisё, aj mban ders edhe pёr ndershmëninё ndёrsa tanё jeta e tij ka qenё kolekcionim shnderimesh dhe abetare poshtёrsish. E gjejmё nё kishё, nё xhami, nё teqe, kokёulun e serioz si maçorr tue gёrhatё lutjet e rikujtuara tё gjyshes sё vet tё ndjerë. Nё çdo bisedё tё mundshme, aty kah fundi, s’e harron emrin e zotit. E pёrmend me ngashёrim. Por zot i intelektshtajnit mun me qenё vetёm një dreq ma djall se dreqi, një dreq me brina, një zotshtajn.
17. Intelekshtajni, pёr shkak se e ka shpirtin sa syni i pleshtit, asht inatçor dhe s’din çka asht pendesa. S’din çka asht me kёrku falje para shokёve, kolegёve apo vartёsve tё tij, para popullit tё tij, pёr gabimet e dёshtimet me tё cilat i ka marrё nё qafё; asht nё gjendje edhe botёs m’ia shti flakёn vetёm mos me thënё: ‘Mё falni se paskam gabu!’ tue e kuptu kёte si poshtnim e jo si një virtyt e cilёsi njerёzore sepse nuk ka bishё qё din çka asht pendesa. Vetёm Mjeshtёrve tё tij, edhe kur gabon, edhe kur s’gabon, u thotё vazhdimisht: ‘Mё falni mue fatkobin se kam gabu! Mё falni mue gjynahqarin! Falmëni! Mё falni! Falmëni!…’
18. Intelektshtajnin e gjejmё tue ndёrru vazhdimisht profesionet. Sepse aj mendon se me aq lehtёsi qё ndёrrohen ftyrat mujnё me u ndёrru edhe profesionet. Tue e dijtё veten si tё pakurrizor, aj mendon se mun m’u pёrbiru nё çdo profesion. Sot asht valltar nё ndonjё kafe-bordel, nesёr e shohim tue shitё mend nё ndonjё gazetё lokale pёr mёnyrёn dhe stilet e tё shkruarit. Pasnesёr aj asht tue mbajtё kurs rrobaqepёsie apo letёrsie megjithёse as s’din ku vihet as pikë, as presje. Natyrisht, tue qenё nё shёrbim tё Mjeshtёrve, intelektshtajni e mёson shumё shpejt gjuhёn e Mjeshtёrve tё vet. Ua lexon shpejt e drejt lëvizjet e muskujve të fytyrës dhe ata as që duhen me u lodhë me folë. Dhe sa ma shpesh qё ndёrrohen Ustallarёt aq ma shumё gjuhё aj i zotëron dhe aq ma shumё e harron gjuhёn e vet amtare. Kёshtu aj bëhet poliglot dhe poliglotizmi asht një veçori jo pak e randёsishme e intelektshtajnit. Fjala vjen, gjyshin e tij e gjejmё se e pakёsh zotëru pёr bukuri osmanishten e turqishten, arabishten e persishten, dhe kurrё s’e paskёsh lёshu prej goje shprehjen ‘lepe-pekej’ ndaj Ustallarёve tё tij. Por koha që e ngranka edhe kashtёn, e paska shkri edhe Perandorinё e lavdishme Osmane, dhe intelekshtajnit tonё i paskёshin mbetё vetёm reliket e saja: sahati me qystek i gjyshit tё tij, festja e kuqe, syretat e zverdhur tё imamёve, disa fletё tё pakuptueshme tё shkruara nё alfabetin arab e me korniza tё praruara tё cilat gati një shekull qenkёshin shtresu me pluhun nё tavan. Pastaj gjyshi i tij, kah fundi i jetёs, e gjejmё se u paskёsh detyru me e mёsu serbishten dhe alfabetin e vёshtirё cirilik se iu paskёsh dashё me kudonёnshkru sa herё qё e paskёshin thirrё vojvodat dhe naçallnikёt. I ati i tij paskёsh mёsu shumё gjëra prej gjyshit por paskёshin ndёrru kohët dhe paskёshin ardhё tё tjera zemane e tё tjera hyqymete, por zanatit tё kudonёnshkrimtarisё jo vetёm nuk i paskёsh ra vlera por qenkёsh bë edhe ma i çmueshёm. Baba-intelekshtajn paskёsh nisё me mёsu se si nёnshkruhet nё alfabetin cirilik apo alfabetin grek, por tash qysh duhej bë kjo para komisarёsh, nё zyre kryespiunash tё shёrbimeve sekrete ushtarake e tё sigurimeve shtetnore. Edhe kёtë baba-intelektshtajn e paskёsh kry me sukses. Pushkatimet, arrestimet, masakrimet, burgosjet paskan shku tue u shtu e bashkё me to edhe nёnshkrimet shkёlqimplota. Baba-intelektshtajn dalngadalё, qysh tue qenё kёlysh, e paskёsh mёsu se qysh duhet m’u bë langue besnik i gjuetarёve tё fortё tё cilёt dijnё me e vra popullin e tij. Dhe e ka mёsu mirё sepse qysh nё shkollё intelektshtajni jonë paska nisё me zbulu ‘armiq tё kombit’ dhe ‘armiq tё gjuetarёve komisarё’ armiq tё Mjeshtёrve. Kёshtu u paskёsh rritё dhe paskёsh mёsu kudonёnshkrimtarinё, imzaxhillёkun dalngadalё me shumё mund e djersё por, nё fund, me shumё sukses. Kёshtu sa pёr cilёsinё e nёnshkrimit, bukurinё artistike, lakeluket dhe holletrashat e pendёs s’mun i gjindet behane. Edhe sot e kёsaj dite intelekshtajni ynё nёshkrun pёr m’ia pasё lakmi qoftë për me falë tokë, qoftë për me falë det.
19. Intelektshtajni, prandej, asht komponimi ma i karabythёt i mendjes njerёzore. Suksesi ma spektakular i projekteve tё Mjeshtёrve planetarё sot. Aj asht golem, i patrajtё, si jashtëqitje e barqitjes: aty ku derdhet e merr atё formё tue kundërmu ujë kambësh dhe myreqep të patretun mirë. Edhe me u derdhë gjithkund nuk guxon por vazhdon me rrjedhёn tue i nuhatё gjurmat e Mjeshtёrve tё mundshёm në të ardhshmen.
20. Tue e pasё tё vetmin profesion kudonёnshkrimtarinё dikush ka me u dvetё athu qysh rrnon intelektshtajni? Kah merr pare pёr jetesё? Nё tё vёrtetё, aj as nuk din çka asht parja sepse qysh edhe gjyshi i tij ka harru kuptimin e asaj letre pёr tё cilёn njerёzia rroposen tanё jetёn e gjatё. Kjo nuk asht çudi sepse pёr paren e intelekshtajnёve kujdesen Mjeshtërit. Krejt çka u duhet me bë ata asht, natyrisht, vetёm me kudonёnshkru dhe me gjithçkanënshkru. Dhe, si me shkop magjik, gjërat shfaqen sa çel e mshel sytё. Nuk ka rëndёsi se sa projekte dёshtojnё, se sa parja shkon huq sepse intelektshtajni ynё e din se kjo s’çon peshё ngaqё një nёnshkrim i tij ripёrtёrin çdo gjë dhe se taphanja e Mjeshtrit punon pajada. Çdo gjë prej tij asht larg vetёm një imza. Tue e pa se me nёnshkru s’qenka punё e kotё gjindja me primje intelektshtajniane hidhen me mёsu sa ma shpejt pehlivanllёkun e tё nёnshkruarit. Por, tё shkretёt, as nuk e dinё formulёn e msheftё tё gatimit tё myreqepit, as nuk dijnё ku janё dyert e mёdha tё Mjeshtёrve tё Taphanes. Dhe, kёto dy fakte i lënё me gishta nё gojё tё gjithё ata entuziastë dhe imzaxhi potencialё.
ObserverKult