Shkrimtari kontrovers austriak dhe fituesi i çmimit Nobel për Letërsinë, Peter Handke, mbante gjithashtu një pasaportë të Republikës Federale të Jugosllavisë, shkruan The Intercept, përcjell Telegrafi.
Po sipas këtij mediumi, në vitin 1999, në kohën e fillimit të rënies së regjimit të Sllobodan Millosheviqit, Handke mori një pasaportë të RFJ-së si dhuratë, dhe gjithashtu shtetësinë jugosllave.
Në atë kohë, Handke u kritikua për disa shkrime që konsideroheshin se mohonin gjenocidin serb të myslimanëve në Bosnje.
The Intercept: Imazhet e fshira tani të pasaportës jugosllave të Handke – Koleksioni privat i Hans Widrich përmes arkivit në internet të Bibliotekës Kombëtare Austriake
Por pasi SHBA-ja dhe aleatët e saj të NATO-s filluan një fushatë bombardimesh kundër caqeve serbe më 25 mars, Handke u fut edhe më thellë në këtë lojë duke udhëtuar në Beograd për të shprehur solidaritetin e tij me vendin e izoluar dhe Sllobodan Millosheviqin.
“Vendi im është në Serbi nëse kriminelët e NATO-s e bombardojnë”, citohet të ketë thënë Handke.
Kujtojmë gjithashtu se në Austri, Handke vuri në skenë një shfaqje duke kritikuar qëndrimin e Perëndimit ndaj Millosheviqit dhe politikës serbe.
Ai kritikoi gjithashtu aktakuzat e ardhshme ose të tashme kundër udhëheqjes serbe, përfshirë Millosheviqin, për krimet e luftës të kryera në rajon, përfshirë edhe Kosovën.
Këto ishin periudha shumë polarizuese për Handke, dhe ndërsa pikëpamjet e tij pro-serbe ishin të njohura në atë kohë, po shpalosej një kapitull i jetës së tij që nuk është bërë publike deri më tani.
“Më 15 qershor 1999, shtatë ditë pasi emisioni u transmetua, Handke mori një pasaportë RFJ nga Ambasada e RFJ-së në Vjenë. Pasaportat u lëshohen vetëm shtetasve, duke çuar në përfundimin se Handke është shpallur shtetas i RFJ-së”, shkruan The Intercept.
Konkretisht, Biblioteka Kombëtare Austriake ka krijuar një arkiv të teksteve dhe fotografive që kanë të bëjnë me jetën dhe veprën e Handke.
Ndërsa kërkuan në arkiv, reporterët në The Intercept vunë re një fotografi si pjesë e një koleksioni të dhuruar në bibliotekë nga Hans Widrich, një ish-zëdhënës i Festivalit të Muzikës në Salzburg.
Në mënyrë të veçantë, Handke i dha atij disa nga tekstet dhe pasaportat e tij.
Kur bëhet fjalë për pasaportat jugosllave, Widrich pretendon se Handke shpjegoi ekzistencën e tij si një mënyrë për të paguar fatura më të vogla në hotelet serbe, sepse shteti në atë kohë në të vërtetë ngarkonte të huajt më shumë për shërbime hoteliere sesa qytetarët e saj.
“Fakti, i panjohur deri më tani, që Handke kishte një pasaportë jugosllave do të ishte një tregues i ri i simpative dhe besnikërisë së tij”, shkruan ndër tjerash ky medium. /Telegrafi/